LEZHE - Kreu i Komunës Kaçinar në Mirditë, Petrit Bardhi ka reaguar ndaj akuzave se nuk ka pranuar të deklarojë pasurinë, akuza për të cilat ai ndodhet nën hetim. Ai e ka cilësuar një hakmarrje që bën prokuroria ndaj tij, pasi dy muaj më parë ka akuzuar organin e akuzës për neglizhencë të hetimeve të tragjedisë në Hecin e Qafë Mollës, ku humbën jetën 3 punëtorë. Sipas tij arsyeja që nuk ka deklaruar pasurinë është se në kohën kur i është kërkuar të bëjë deklarimin, në komunën Kaçinar nuk ka funksionuar zyra postare për dy muaj, fakt për të cilin ai ka njoftuar prokurorinë. 

“Kam marrë një letër te Drejtori i postës së Rrëshenit dhe ja kam dërguar Prokurorisë që nga filandatë deri në filan datë nuk punon posta e Kaçinarit për dy muaj. Jam i hapur për çdo hetim kundrejt meje. Tani po më hetojnë mua se unë po dal në çdo protestë për 3 viktimat në Mirditë, po kam akuzuar edhe prokurorinë atëherë, se të vdesin 3 punëtor dhe të mos shoqërohet asnjë kjo është punë lekësh”, thotë Bardhi.
Kryekomunari i Kaçinarit, Petrit Bardhi përsëri hedh akuza ndaj prokurorëve të Lezhës duke i akuzuar ata për afera korruptive. Prokuroria e Lezhës vetëm pak ditë më parë ka nisur hetimet ndaj Kryetarit të Komunës Kaçinar Petrit Bardhi me akuzën e mos deklarimit të pasurisë, ndërsa tashmë çështja i ka kaluar gjykatës për shqyrtim.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)