TIRANE - Pasardhësit e e familjes Toptani vjojnë gjyqet me gazetarin Blendi Fevziu, për ndarjen e pasurisë së trashëguar. Dy ditë më parë në 3 dhjetor, paditësit nga familja Toptani, përkatësisht Evelina, Ibrahimi, Refiku dhe Viviana Toptani hodhën sërish në gjyq Blendi Fevziun për pjesëtim të pasurisë dhe të sendeve në bashkëpronësi. Gjyqin më të ri të trashëgimtarëve të Toptanëve dhe gazetarit Fevziu do ta drejtojë gjyqtari Ilir Çeliku.

Kjo është padia më e fundit e trashëgimtarëve të familjes së njohur dikur, ndaj gazetarit Fevziu, ndërsa lët kanë patur edhe padi të ndërsjella.

Në shkurt 2011 avokati i Blendi Fevziut, iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, me një kërkesë padi, ku kërkonte trashëgiminë për pasurinë dhe pronat e birësuesit të tij, shtetasit Ali Fevzi i njohur edhe si nipi i familjes Toptani. Sipas padisë me nr. 8124 të regjistruar pranë Gjykatës më 15 mars 2011, paditësi Blendi Fevziu kërkonte "lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë testamentare për testaorin Ali Fevzi".

Ali Fevzi njihet edhe si birësuesi i gazetarit Blendi Fevziu, i lindur në fshatin Çermë të Lushnjës nga prindërit biologjik Hektor dhe Rezane Bregasi. Me një vendim të datës 25 shkurt 2008, gazetari Fevziu ndryshoi të dhënat e aktit të lindjes, pasi, sipas padisë, kanë qenë të pasakta, konkretisht nga vendi i lindjes "Lushnjë" në atë "Tiranë", padi kjo që u pranua nga togat e zeza. Ndërkohë, referuar dokumentave gjyqësorë, që në vitin 1983, kur Fevziu kishte mbushur 14 vjeç me vendim të Gjykatës së Tiranës, e ndryshoi mbiemrin nga "Bregasi" në "Fevziu" për shkak se ishte birësuar pranë familjes së Ali Fevziut.

Historia mes gazetarit dhe një pjese të Toptanasve është e hershme dhe e mbushur me kërkesa gjyqësore vitet e fundit. Ali Fevziu sipas vendimeve të gjykatës, ishte djali i Niagjar Toptanit, vajzës së Refik Bej Toptanit, i cili ishte martuar me Advijen dhe kishte katër fëmijë. Iliazin, Ibrahimin, Niagjarin dhe Ganimeten. Advija u nda nga Refik Bej Toptani dhe u largua në Itali, ndërsa tre fëmijët mbetën nën kujdesin e Refik Bej Toptanit. Pak kohë nga ndarja, vrau veten në Vjenë të Austrisë djali Ibrahimi. Tre fëmijët e tjerë u rritën dhe u arsimuan. Refik Bej Toptani e ndau dhe përpjesëtoi pasurinë e bashkëshortes dhe të tijën në katër pjesë, për vete dhe tre fëmijët, pra Iliazin, Ganimeten dhe Niagjarin.

Iliazi e shiti pasurinë te dy motrat, Ganimete dhe Niagjar, dhe iku nga Shqipëria për në Itali. Pak vite më pas Refik Bej Toptani rimartohet. Me gruan e re, znj. Zybejte, pati dy fëmijë, Petritin dhe Pelazhin. Pelazhi vdiq pa lanë trashëgimtar. Ndërsa, Petriti pati katër fëmijë, Refikun, Ibrahimin, Vivianen dhe Evelinën.

Tashmë, pas vdekjes së Pelazhit edhe fëmijët e Ganimetes dhe Niagjar Toptanit kërkojnë pasuri nga Pelazhi, por, trashëgimtarët dhe vetë Refiku, Ibrahimi, Viviana dhe Evelina kërkojnë që fëmijët e Niagjarit dhe Ganimetës të mos përfitojnë pasuri nga vdekja trashëgimia e Pelazhit, pasi pasurinë ata e kishin marrë.

Ky kundërshtim mes tyre, ka bërë që avokati i Refikut, Ibrahimit, Vivianës dhe Evelinës t'i drejtohet me një sërë padish civile kundërshtimit të përfitimit të trashëgimisë nga dy motrat dhe trashëgimtarët e tyre, mes tyre edhe gazetari Fevziu. Për këtë fakt, gazetari Fevziu është kallëzuar edhe në prokurori, nga avokati i Refik, Ibrahim, Viviana dhe Evelina Toptani të cilët e akuzojnë për "vjedhje me anë të mashtrimit" të pasurisë së tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print), datë 5 dhjetor 2012


(ad.ti/shqiptarja.com)