Pasuritë nëntokësore të prodhuara në 2012 llogariten në 65.8 miliardë lekë

/ATSH/-Pasuritë nëntokesore të prodhuara gjatë vitit 2012 në vendin tonë llogariten ne 65.8 miliardë lekë, nga 70.7 miliardë lekë që ishin në vitin 2011. Drejtoresha e Nismës për Transparencë në Industritë Nxjerrëse (ALBEITI), Dorina Cinari, prezantoi të enjten Raportin e Transparencës për Industritë Nxjerrëse EITI 2012, mbi të dhënat për nxjerrjen e naftës, gazit dhe minierave gjatë vitit 2012 dhe kontributin që kanë patur në buxhetin e shtetit.

Zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja, theksoi se do t'i kushtohet më shumë rëndësi transparencës në këtë sektor, pasi ka pasur një neglizhencë totale për mbledhjen e të dhënave. Nafta zinte 76% të prodhimit total në vitin 2012 dhe 68% në vitin 2011. Rreth 85% e naftës u prodhua nga puset në Patos-Marinëz. Prodhimi i kromit zinte rreth 62% të prodhimit minerar në 2012 dhe 66% në 2011. Rreth 58% e kromit në vitin 2012 dhe 70% e kromit në vitin 2011 u prodhua në rrethin e Bulqizës. Sipas të dhënave, prodhimi nga industria nxjerrëse e naftës, gazit dhe mineraleve përbente rreth 5.6% të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2012 dhe 4.3% në vitin 2011. Kontributi i industrisë nxjerrëse në punësim mbetet modest. Sipas të dhënave, shoqëritë e liçensuara në nxjerrjen e naftës, gazit dhe mineraleve e tjera punësojnë së bashku më pak se 1% të totalit të të punësuarve në vend. Të ardhurat e gjeneruara nga industria nxjerrëse nga ndarja e prodhimit të naftës, renta minerare, tatimi mbi fitimin dhe bonuset e nënshkrimit) janë në total 11,860 milionë lekë. Këto të ardhura përfshijnë prodhimin e naftës dhe bonuset në vlerën 5,415 milionë lekë të mbledhur nga Albpetrol për liçensat e prodhimit nën administrimin e tij. Albpetrol, si shoqëri e liçensuar, derdhi në buxhetin e shtetit rentën minerare, tatimin mbi fitimin dhe dividentin në shumën 1,901 milionë lekë në total. Pagesat në shumën 8,346 milionë lekë ose 70% e flukseve totale të parasë gjeneruar nga industria nxjerrëse, janë regjistruar në buxhetin e shtetit. Këto pagesa kontribuan me 2.5% në totalin e të ardhurave të buxhetit të shtetit në vitin 2012 (2011: 1.8%). Sektori privat i naftës dhe gazit gjeneroi pjesën më të madhe të kontributit në buxhetin e shtetit në vlerën 5,180 milionë lekë ose 62% e pagesave ndaj buxhetit të shtetit nga industria nxjerrëse. Albpetrol dhe sektori minerar gjeneruan përkatësisht 23% dhe 15% të këtij kontributi. Në vitin 2012, pagesat e kryera ndaj Albpetrol nga shoqëritë e naftës dhe gazit në përputhje me marrëveshjet hidrokarbure ishin 5,415 milionë lekë (2011: 3.5 miliardë lekë). Sipas standardit të EITI, të liçensuarit dhe institucionet qeveritare kanë si detyrim të raportojnë pagesat e kryera dhe të ardhurat e arkëtuara çdo vit, të dhëna këto që më pas rakordohen nga një administrator i pavarur.
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Pandemia e heshtur që po ‘vret’, infeksionet mykotike shkaku i dhjetra sëmundjeve / Altin Joka: Ja disa kura natyrale tepër efikase