Pas arrestimeve Prokuroria vinte sekuestro për pronat dhe sidomos për sendet personale të të arrestuarve. Por kjo pasuri e vënë në sekuestro kishte shumë raste që nuk iu kthehej më edhe nëse gjyqet vendosnin për pafajësi.
Sendet e sekuestruara sipas rregullit duheshin mbajtur nen ruajtje nga N.T.SH(Ndërmarrjet tregtare Shtetnore). Por ata i regjistronin si të ardhura të ndërmarrjes.
Problemin e ngrinte Prokuroria e Përgjithshme në një shkresë të datës 5 mars 1947. Dokumentin bashkë me dy shkresa të jera që dëshmojnë keqfunksionimin e komisioneve të ngritura për regjistrimin e pasurive të konfiskuara, e sjellim si vijim të speciales së botuar një ditë më parë nga gazeta.
Dokumenti 1
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PROKURORIJA E PËRGJITHËSHME
(Drejtorija Penale)
Nr. 712
Tiranë, më 5/III/1947
L ë n d a: Mbi sendet që sekuestrohen nga Prokurorit dhe i dorëzohen ndërmarrjes tregtare Shtetnore dhe nuk kthehen prej saj.
Kryeministrise
K ë t u
Prokurorit e ndryshme na raportojnë se, kur gjat hetimeve vënë sikuestro mbi sende të ndryshme, kto për ruajtje ja dorëzojnë – ndërmarrjes tregtare Shtetnore. Por kur në përfundimin e gjykimit vendoset pafajsija e të pandehurit, ndërmarrja nuk ndëgjon të këthejë sendin e dorëzuar, duke pretenduar se sendi në fjalë është rregjistruar si e ardhur e ndërmarrjes. Po një veprim i tillë kuptohet vetiu se nuk është i ligjëshëm; ndërmarrja Shtetnore duhet të gjejë mënyrën që të kthejë sendin ose vleftën e tij passi gjer në përfundim të gjykimit është depozitare e atij sendit. Vetëm kur sendi konfiskohet bëhet mall’ i Shtetit.
Duke parashtruar të gjitha, kemi nderin t’ju lutemi që të ipen urdhërat që do të shifen t’arësyeshme në këtë rast.
Prokuror’i Përgjithëshëm:
(Bedri Spahiu)
(firma, vula)
Dokumenti 2
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM:
Prokuroris së Përgjithshme
T i r a n ë
Për njoftim dhe në gjegje të shkresës t’uaj Nr.172 datë 5.III.1947.
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM:
(firma)
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPNIS
V. F. L. P.
KOMITETI EKZEKUTIV I KËSHILLIT POPULLOR
I PREFEKTURËS SË DURRËSIT
Komi.Konf.Pas.Private
Nr. 110/III Prot. Rez.
Durrës, më 3.III.1947
Landa: Mbi punën e Komisionit mbi konfiskimin e pasunive.
K R Y E M I N I S T R I S Ë
T i r a n ë
Në lidhje me Qarkoren t’uaj Nr.90/I Res.dt.23/I/1947 njoftojmë sa vijon:
Ky Komision u ngrit dhe filloj veprimtarinë e vet qysh me datën e daljes së ligjës relative. Deri me datën 9 Shkurt të vitit vazhdues nuk mujti me marrë asnji vendim për shkak se dosjet kishin mungesa të mjafta, të cilat gjat kësaj kohe Komisioni mujti të mbledhë gjithë shënimet e duhuna për vendim.
Gjat muejit Shkurt u morën 10 vendime dhe mbrenda muejit Mars do të kryhen të gjitha dosjet e tjera, me përjashtim t’atyne që nuk ka përfundue gjyqi ende.
p. KOMITETIN EKZEKUTIV TË K.POPULLOR
PREFEKTURËS SË DURRËSIT
SEKRETARI: Petro Taku)
KRYETARI: (Iljaz Reka)
(firma, vula)
Dokumenti 3
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
V. F. L. P.
KRYEMINISTRIA
Nr. 90 Rez.
Tiranë, më 22.1.1947
Landa: Mbi Komisionet e konfiskimeve të pasurive private.
Ministris së Financavet
T i r a n ë
Përgjigje e shkresës Nr.3/18 datë 18.I.1947.
Kjo Kryesi i ka shkrue me kohë gjith Komisioneve të Konfiskimit pasunive të kriminelave të luftës dhe armiqve të popullit, se nuk janë tue tregue interesimin e duhun për kryemjen e detyrës që u asht ngarkue me Dekret-Ligjën Nr. 249 datë 29.5.1946, duke kërkue njikohësisht prej tyne që t’i përfundojnë sa ma parë veprimet e konfiskimeve dhe për të na paraqitë në fund të ç’do mueji nga nji raport mbi çeshtjet e përfundueme.
Vëçanrisht u asht shkrue edhe Komiteteve Ekzekutivë të Prefekturave që të kujdesohen mbi punën e Komisioneve dhe të na raportojnë mbi aktivitetin e tyne.
Deri tash na janë përgjigjun, se kanë fillue nga puna vetëm Komisionet e Prefekturave të Tiranës, Gjinokastrës dhe Korçës. Besojmë se edhe Komisionet e Prefekturave tjera do të kenë fillue nga veprimi.
Si do qoftë, kjo Kryeministri po i shkruen përsëri gjithë Komisioneve të naltpërmendun për të na paraqitë regullisht për ç’do muej nga nji raport mbi çeshtjet e përfundueme, duke i porositun njikohësisht që t’i japin fund sa ma parë që të jetë e mundun detyrës që u asht ngarkue.
P. K R Y E M I N S T R I :
(firma)
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com