Pata: Tërmeti real që parashikoi Meta është ai politik

Pata: Tërmeti real që parashikoi Meta është ai politik

Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta, për herë të parë ka pranuar publikisht se nëse PD e LSI do të hynin në zgjedhje atom und të fitonin bashkitë dhe votat që do t’i përfaqësonin politikisht këto forca opozitare në sistem.

Është një farë mënyre një mea culpa e një personazhi që ka rol kyç në skenarin radikal të opozitës për të goditur sistemin duke dalë nga mekanizmi kryesor i tij siç janë zgjedhjet.

Tashmë kjo deklaratë është një coming out verbal i tërmetit real që ka ndodhur në Shqipëri më 30 qershor, një tërmet me lëkundje të forta që pritet të sjellë pasoja tektonike në politikën shqiptare.

Këto lëkundje do të aktivizohen më shumë gjatë vjeshtës me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, lëvrimit të politikës aktive dhe debatit publik real për hallet e njerëzve që ka munguar kaq vjet nga opozita, e cila ka harxhuar kaq energji vetëm me mënyrën si të rrëzojë Edi Ramën duke goditur poshtë dhe në prapaskenë dhe jo direkt me mekanizmat që ky sistem ofron.

Megjithatë ka kohë për të analizuar të gjitha pasojat e këtij tërmeti politik që u ngiz në shkurt dhe përfundoi më 30 qershor.

Një nga pasojat e dukshme të këtij tërmeti politik është edhe nisja e tronditjeve të të ashtuquajturave bastione bunker, të cilët kishin fiksuar një statukuo politike për gati 30 vjet, duke bllokuar qarkullimin e ajrit e ujit të freskët që sjellin prurjet dialektike në politikë.

Edhe pse zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin proces konkurues, edhe pse nuk ishin zgjedhje për të seleksionuar më të përkrahurin, ata si një zgjidhje deux ex machine, kanë ndikuar për të goditur edhe pse fort sistemin e vjetër të bunkerëve-bastione.

Edhe pse e goditura kryesore duket se është opozita jashtëparlamentare, pasojat do të vijnë apo po vijnë edhe për bastionet e socialistëve.

Kalimi paqësisht i pushtetit nga kryebashkiaku i PD-së tek ai i PS-së, ishte një sinjal i qartë jo vetëm i dialektikës vendore të komunitetit të Kukësit për një normalitet në zhvillimet politike, por realisht ka thyer një realitet bunkerizues që u krijua për tu mbajtur me forcë, ku në fakt realisht nuk ishte i tillë.

Kukësi i krijuar si një bastion politik i PD-së, duket se ishte një realitet i sforcuar, pasi përpara vitit 2009, ku qarku verilindor i dha shumicën e mandateve PD-së kur ajo ishte në kulmin e pushtetit dhe mori edhe frytet e Rrugës së Kombit, çka është normale, në historinë 30 vjeçare ka qenë i lëvizshëm nga e majta në të djathtë, duke votuar sipas rasteve. Në 1992 PS merrte shumicën e bashkive, e në vitin 1997 po ashtu sipas zhvillimeve politike.

Por bastionet më të palëvizshme në vend janë Shkodra dhe Kamza. Gabimisht ato krahasohen me Vlorën apo Fierin që votojnë majtas. Në fakt sin ë Vlorë edhe në Fier, Partia Demokratike ka marrë shumicën në zgjedhjet e vitit 1991 sidomos në qytete e më pas në 22 marsin e 1992-shit.

Kurse Shkodra dhe Kamza, që nga viti 1992 kanë votuar vetëm një parti: Partinë Demokratike.

Madje Kamza, me instalimin e sistemit të ri politik të vitit 2008 me proporcionalin rajonal, u kthye në “serbratorin” politik të PD-së për të siguruar ekuilibrin në qarkun e Tiranës. Në zgjedhjet e vitit 2009, PD me anë të Kamzës e Paskuqanit arriti barazimin në Tiranë, çka nuk e kishte pasur që në kohën e pas 1997-s.

Në 2013-n e 2017-n, Kamza i ka siguruar PD-së që të mos shkërmoqet, edhe pse humbi keqas në kryeqytet, apo zonat bregdetare të Kavajës që janë pjesë e qarkut Tiranë.

Por me largimin e Xhelal Mziut, bashkia Kamëz nuk do të jetë më qendra e pushtetit që jo vetëm furnizon me protestues PD-në në aksionet e saj jashtë institucioneve por mbi të gjitha, me anë të një operacioni tampon i siguron që të mos ketë hemoragji politike në qarkun më të madh të vendit, ku dalin 34 deputetë.

Kjo lëvizje detyrismisht do të sjellë efekt domino edhe në qark, duke i hequr pak nga pak rolin e ngjashëm që PS-ja përfiton me njësinë 5 në kryeqytet, e kryesisht me Komunën e Parisit, që është blloku më homogjen politikisht pro të majtës në Tiranë.

Edhe në Shkodër, duket se do të ndodhë e njëjta gjë; PD që nga vera e vitit 1991 nuk e kontrollon pushtetin lokal në kryeqendrën e veriut. Në këtë post do të jetë një socialist, i cili më shumë se një kryebashkiak politik, duket se ka shansin t’i kthejë të majtës rolin e saj politik në Shkodër, çka është penguar prej politikës-bunker, por edhe prej kundërmasave krejtësisht të padobishme nga PS-ja duke krijuar një terren për të ashtuquajturit të fortë që gati rrënuan tektonikën politike të elektoratit socialist.

Me rastin e Keti Bazhdarit në vitin 2015, PS-ja kishte shansin për tu ringritur nga qyteti, por që kundër pasojat ishin stanjative. Sot kemi një situatë të tillë: në fshatrat e Shkodrës ka më larmshmëri politike ku mund të lëvizë rezultati, ndërsa në qytet PD edhe si pasojë e kontrollit të bashkisë mbante një bastion që duket prej kohësh që ishte lëkundur.

Dhe pikërisht kjo situatë mbante të fiksuar rezultatin 6 me 4 apo 5 plus 1 me 4 në qarkun Shkodër.

Kryeqendra e veriut ka mundësinë që të lëvizë politikisht në një shtrat jo më të diktuar, por edhe sipas lëkundjeve që do të pësojë politika shqiptare nga shtatori. Dhe pikërisht këto do të kenë efekt domino në të gjithë vendin. Ndoshta për këtë tërmet ka pasur shumë të drejtë Presidenti Ilir Meta.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar