Festa e pavarësisë nuk e bashkoi politikën as këtë 28 nëntor. Opozita, festoi e vetme dhe nderimet në Sheshin e Flamurit në Vlorë, i bëri e ndarë nga përfaqësuesit e shtetit.
I pari që vuri kurorat me lule në Monumentin e Pavarësisë nga opozitarët ishte Tedi Blushi i Partisë së Lirisë.
Partia Demokratike, dërgoi në Vlorë për ceremoninë dy nënkryetarët e saj, Luçiano Boçin dhe Flamur Nokën.
Vetë Berisha zgjodhi të mos shkonte në Vlorë, por urimin e tij ta bënte në rrjetet sociale, duke kujtuar gjithnjë se në këtë ditë feste, nuk mund të jetë plotësisht i lumtur, pasi vendi drejtohet nga Edi Rama.
“Ne festojmë këtë ditë të madhe nën diktaturën vjeçar e narkoshtetit të Edi Ramës, Pashiqit të Tiranës që në një hark kohor 10 ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, zëvendësoi zgjedhjet e lira me farsat zgjedhore dhe me politikat e regjimit kleptokratik po shkreton dhe zbrazë sa asnjë pushtim tjetër në histori Shqipërinë nga shqiptarët", shkruan Berisha.
Nuk mungoi as urimi i Ilir Metës nga burgu. Ai shkruan se patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari i përhershëm dhe që hap sytë e udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
Komente












