Patate të mbushura me djathë

Përbërësit:

  • 4 patate të mëdha
  • 4 vezë
  • 4 lugë gjelle djathë i thërrmuar
  • Kripë, piper
  • Majdanoz i grirë hollë
  • Pak qumësht (nëse masa del e trashë)

Për salcën beshamel:

  • 3 lugë gjelle miell
  • 2 gota qumësht
  • 3 lugë gjelle gjalpë
  • 1 vezë
  • 2 lugë gjelle kaçkavall i grirë
  • 1 lugë gjelle gjalpë për sipër

Përgatitja:

Zieni patatet me lëkurë derisa të zbuten. Pasi të ftohen pak, qërojini, pritini për së gjati dhe nxirrni me kujdes zemrën e tyre. Zemrat e patateve shtypini në formë pureje. Rrihni vezët dhe përziejini me purenë e patateve, djathin e thërrmuar, kripën, piperin dhe majdanozin. Nëse masa është shumë e trashë, shtoni pak qumësht. Mbushni gjysmat e patateve me këtë përzierje dhe vendosini në një tavë të lyer me gjalpë. Përgatitni beshamelin, shkrini gjalpin, shtoni miellin dhe kaurdiseni lehtë. Hidhni gradualisht qumështin duke e përzier vazhdimisht derisa salca të trashet. Hiqeni nga zjarri, lëreni të vaket dhe shtoni vezën e rrahur dhe kaçkavallin e grirë. Hidheni salcën beshamel mbi patatet e mbushura, spërkatini me pak gjalpë (sipas dëshirës, edhe pak kaçkavall të grirë). Piqini në furrë në 180–190°C për 25–30 minuta, derisa të marrin ngjyrë të artë.