Patenta, rryshfeti 20 mijë lekësh
pezullohet zv/shefi i rrugores

Patenta, rryshfeti 20 mijë lekësh<br />pezullohet zv/shefi i rrugores
TIRANE - Pezullohet nga detyra dhe nis hetimi ndaj zv/shefit të komisariatit të policisë rrugore në Tiranë, Komisar Baftar Hadushaj. Vendimi është marrë nga Departamenti për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithme të Policisë së Shtetit, pas shfaqjes së pamjeve në emisionin “Fiks Fare”, ku Hadushaj paraqitet duke marrë shumën prej 20 mijë lekësh.

Lajmi është bërë i ditur për shqiptarja.com nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit. Ndërkohë Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj Komisar Baftjar Adushaj.

INVESTIGIMI I EMISIONIT FIKS FARE
Fiks Fare i dha përgjigje pyetjes që shtroi dy ditë më parë, nëse ishin marrë apo jo paratë për kthimin e patentës së emigrantit nga policiët e qarkullimit rrugor të Tiranës dhe kush i kishte marrë.

Pas sorollatjes nëpër sportelet e komisariatit të qarkullimit rrugor të Tiranës emigranti shqiptar nga Italia, më në fund ka rimarrë lejen e tij të drejtimit të automjetit të lëshuar nga autoritetet italiane. Patentën ai e ka rimarrë, por pa kaluar në komision dhe pa u ndëshkuar.

Gazetarët e Fiks fare dje treguan sesi bllokohet patenta e një emigranti dhe sesi i kthehet atij duke paguar 20 mijë lekë në zyrën e një prej drejtuesve të komisaritit të qarkullimit rrugor, në atë të zv-shefit të këtij komisariati, zotit Baftar Hadushaj.

Investigimi i Fiks fare ka vazhduar pas premtimit që punonjësi i policisë, anëtar i komisionit të patentave, i bëri emigrantit për rimarrjen e patentës pa dalë në komision e pa u ndëshkuar.

Për të mos i dërguar dokumentet në Ministrinë italiane të Transporteve, dhe që të mos penalizohet në shtetin ku ai jeton, polici shqiptar i propozoi një rrugë tjetër zgjidhjeje, atë të ryshfetit.

Kundrejt një pagese që do të ishte më e lartë sesa gjoba, ai i del garant që t’i nxjerrë patentën nga dosja ku është futur. Takimi i lënë për ditën e nesërme është zhvilluar në zyrën e zëvendëshefit të qarkullimit rrugor të Tiranës, zotit Baftjar Hadushaj.

Ai e ka pritur vetë emigrantin në oborrin e komisariatit dhe e ka shoqëruar për në zyrën e tij.

Pikërisht në zyrë ai ka marrë prej emigrantit shumën prej 20 mijë lekësh të reja. Pasi ka bërë një shënim për rimarrjen e patentës i ka thënë emigrantit që mund ta tërhiqte tashmë patentën në sportel.

Më pas emigranti është kthyer në sportelin ku ndodhej efektivi i policisë, anëtari i komisionit të patentave, z. Agim Kamberi, i cili një ditë më parë i kishte treguar sesi mund ta nxirrte patentën nga dosja pa u penalizuar, por duke paguar.

Ai e ka pyetur nëse kishte mundur të rimerrte patentën. Emigranti i është përgjigjur se patentën e kishte marrë pasi kishte paguar 20 mijë lekë dhe në fund të bisedës i lë edhe atij një bakshish prej dy mijë lekësh.

Menjëherë pas videos së parë të publikuar nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, ku një emigranti i bëhej presion nga policia shqiptare për të marrë ryshfet, ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai ka përjashtuar nga detyra policin Agim Kamberi, me gradë nënkomisar, me detyrë polic pranë Drejtorisë së Policisë Rrugore me akuzën e shkeljes së Kodit të Etikës.

Makthi i një emigranti që iu drejtua për ndihmë emisionit “Fiks Fare” nisi kur policia i bllokoi dokumentet e qarkullimit rrugor vetëm pse nuk kishte ndezur dritat.
Emigranti kërkoi rikthimin e shpejtë të dokumenteve pasi do ikte në Itali dhe efektivi i policisë, Kamberi i ofron ndihmë përkundrejt ryshfetit.

Gjatë bisedës së tij për të bindur emigrantin për kryerjen e pagesës efektivi i policisë, Kamberi shprehet se shteti dhe policia është shkrehur tani përpara ardhjes së qeverisë së re, duke theksuar se më pas nuk do ketë më allishverishe.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca