TIRANE - Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor dhe Policia Rrugore, kanë përfunduar database-n për pikëzimin mbi lejet e drejtimit të automjeteve në vend. Ylli Spahiu, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor shpjegon se, nëse një drejtues mjeti nuk kryen asnjë shkelje ligjore për një afat kohor dy vjeçar, atëherë në lejen e tij të drejtimit do të shtohen edhe pikët shtesë.

Çdo drejtues mjeti i cili kryen shkelje të qarkullimit rrugor do të njoftohet online në faqen zyrtare të Drejtorisë së Transporteve dhe Infrastrukturës.

"Nëse një qytetar për një periudhë kohore dy vjeçare nuk kryen asnjë shkelje atij i shtohen pikët dhe masa më e madhe që është do jetë deri në 30 pikë. Vetëm heqja do njoftohet çdo qytetar që bën një shkelje i bëhet e qartë, do njoftohet nëpërmjet faqeve të internetit." shprehet Spahiu

Pavarësisht ndryshimeve që pëson sistemi i marrjes së lejeve të drejtimit, procedurat dhe tarifat nuk ndryshojnë. 

"Nuk do të ketë asnjë zgjatje të kohës, janë gjëra të përcaktuara si marrja e kohës për patentën dhe tarifat janë të përcaktuara dhe nuk do ketë asnjë lloj ndryshimi dhe asnjë lloj ngritje për tarifat e lejes së drejtimit." tha ai

Nga ana tjetër Drejtori i Komisarit të Policisë Rrugore në kryeqytet, Besmir Qibini shton se, pikëzimi i lejeve të drejtimit duhet të ishte bërë kohë më parë, ku ky modalitet do të afrojë Shqipërinë me vendet e Bashkimit Evropian.

"Pikëzimi i ri i patentave, i lejeve të drejtimit është një nga risitë e fundit bazuar edhe vendeve të BE-së ku pikëzimi i patentave është në mënyrë graduale, i ka ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve të cilët në mënyrë kronologjike penalizohen për shkeljet e tyre." sqaron Qibini

Vetë drejtuesit e mjeteve e mirëpresin këtë ndyshim në ligj, sepse nuk do t’i pezullohet patenta thjesht do t’i hiqen pikët nëse kryejnë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. 

Në kuadër të dixhitalizimit për pajisje me leje drejtimi shumë shpejt po harton edhe një projekt-ligj, ku të gjithë drejtuesit e automjeteve do të pajisjen me patentë brenda ditës, duke minimizuar burokracitë dhe korrupsion në sistem.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)