Ish-kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar këtë të mërkurë polemikat e krijuara brenda forcës politike të PD-së dhe reagimin e Sali Berishës përkundrejt propozimit të ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode nga kryeministri Rama për të qenë anëtar i Bankës së Shqipërisë.
Përmes rrjetit social “Facebook”, Patozi rikthen kokën pas, ku kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama ranë në dakordësi për të patur një qeveri të përbashkët. Duke e cilësuar 18-majin si “pazar të pisët”, Patozi shprehet në nota sarkastike se Partia Demokratike nuk mund të dalë sot dhe të komentojë propozimin e kryeministrit Rama për të vendosur si anëtar të Bankës së Shqipërisë Ridvan Boden.
"Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë akoma që, edhe pasi të vrasin me gjakftohtësi, të të kërkojnë llogari se përse nuk u kërkon leje ekzekutorëve sesi ta organizosh funeralin", shkruan në fund të postimit të tij Patozi.