Ministria e Brendshme i takon Partisë Demokratike. Kështu është shprehur kreu i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi në emisionin e gazetarit Alfred Peza. Patozi ka komentuar zgjedhjen e Presidentit, votën kundër dhe të pavlefshme të Nishanit.

Çfarë ndodhi me zotin Hoxha? Po prodhoheshin fletët e votimit, Garda u vu në mbrojtje të tij. Ishin luftërat brenda PD-së që nuk garantuan votat, apo kishte diçka në të kaluarën e tij?
Ajo që publiku pret është bërë e qartë. Mos prisni prej meje që unë të futem në detaje të një historie të pakëndshme, e cila sipas meje është e iniciuar politikisht nga të njëjtët njerëz, nga të njëjtat segmente politike që detyruan Zaganjorin të tërhiqej nga gara. U përdor e njëjta artileri për të krijuar një traumë në procesin e zgjedhjes së presidentit. Arsyet Hoxha i ka bërë vetë publike. Ajo që ndodhi ishte e papritur, ishte një betejë e pistë për ta ndotur procesin dhe duke pasur si target zotin Hoxha që ishte kandidati për President.

Cila ka qenë arsyeja që refuzuat Sandër Lleshin si kandidat?
Ne dhamë disa shembuj që, me gjithë lojën e pistë të opozitës për t'i asgjësuar si kandidatura, dhamë disa shembuj pse politika është më mirë që ta synojë. Historia e tregoi dhe produkti ishte i tillë që e përligj këtë që po them. Imagjino sa larg do ishim ne sikur të kishim një kandidat për President ushtarak. Unë nuk mund të mos them që një ushtarak është shumë më pak se një diplomat dhe një gjyqtar njëkohësisht. Një ushtarak ndoshta është më pak për të qenë President edhe se një diplomat vetëm. Një ushtarak është shumë më pak se një përfaqësues i shoqërisë civile që ka pasur edhe karrierë politike. Unë nuk e njoh personalisht zotin Lleshi.

Sa pranë zgjedhjeve të parakohshme ishim atë ditë?
Asnjë milimetër pranë. Ishim qindra vite dritë larg. Kam qenë plotësisht koshient që ne në të gjitha votimet do të merrnim të njëjtin numër votash.

Ka pasur hatërmbetje në grup?
Jo nuk e besoj. Ambicia presidenciale është një gjë shumë njerëzore sidomos për politikanët, sepse është kulmi i karrierës dhe asnjë politikan nuk mund të privohet nga stacioni i fundit, siç një gjykatës nuk mund të privohet nga zgjedhja në krye të gjykatës së lartë apo në gjykatën kushtetuese.

Si kanë qenë ato orë me zonjën Topalli?
Kjo që thoni ju është thjesht një spekulim mediat.

Berisha e tha në Parlament...
Kjo është një rrjedhojë logjike e asaj që duhet të ndodhte në rast se ne do ishim në një situatë normaliteti në raport me opozitën, që ti do e fillosh nga pika më e lartë dhe pika më e lartë i takon të ishte zonja Topalli, sepse Berisha tha që nuk jam. Piramida fillonte me zonjën Topalli, që është numri dy i shtetit. Berisha e ka thënë pasi ngjarjet rrodhën. Zonja Topalli kurrë nuk ka thënë që unë aspiroj për të qenë Presidente e Shqipërisë.

Nano ka pasur shans për të qenë ai President?
Fatos Nano nuk ka pasur asnjë shans për të qenë president konsensual, por ka pasur shanse për të qenë kandidat i PS-së. Por në çastin që Rama solli në tryezë vetëm emrin e Lleshit dhe askush në tryezë nuk e njihte, madje edhe Rama tha që kështu më ka thënë Kadareja, Nano ka të gjithë të drejtën e botës që të ndihet i lënduar, por edhe çdo socialist që mund të mos e dojë Nanon. Të paktën më përfaqësues i PS-së se Lleshi ishte Nano. Ai s'mund të ishte i propozuar nga PD-ja.

Vendi i ministrit të Brendshëm është bosh. Kush do ta zëvendësojë, i është premtuar LSI-së?
Vakanca e përkohshme e ministrit të Brendshëm nuk prish ndonjë punë në performancën e qeverisë. Zëvendësimi do të bëhet në kohën që Kryeministri do e gjykojë të përshtatshme dhe nuk gjykoj se kjo kohë do të jetë e gjatë. Do të jetë e shpejtë.

Do jetë ministër nga PD?
Nishani u largua nga ai post për t'u ngjitur një shkallë më lart në karrierë si deputet i PD, kështu që i takon PD-së të ketë ministrin e Brendshëm.

A do jeni ju ministër i Brendshëm?
Unë kësaj pyetjeje të drejtpërdrejtë po i jap një përgjigje të drejtpërdrejtë. Unë ndihem mirë në punën që bëj dhe do ta mbyll këtë legjislaturë në Parlament. Ndihem shumë mirë dhe shumë i motivuar në punën që bëj si kryetar grupi.

Edhe nëse Berisha j'ua kërkon?
Unë mendoj se kjo s'ka për të ndodhur, por tek e fundit unë e kam shumë të zhvilluar sensin e detyrës. Këtu nuk ka nevojë për ta pasur për shkak, pasi PD ka shumë personalitete për ta ushtruar atë detyrë.

E dini e kujt ishte vota kundër?
Është fare e qartë. Vota kundër është e zotit Oketa dhe dy votat e bardha janë të Dules dhe Islamit. Diferenca mes Dules dhe Islamit është që Dule e bëri demonstrative votën, ndërsa Islami respektoi më shumë procedurën, sepse është njeri më strikt dhe shkoi deri te dhoma e fshehtë. Të dy këta personazhe megjithëse nuk votuan për një kandidat të mazhorancës, bënë një gjest prej politikani të përgjegjshëm.
(sg/shqiptarja.com)