TIRANE - Një ditë pas lirimit nga qelia, ish koordinatori i grevës së urisë të ish të përndjekurve, Asllan Patrioti tregon historinë e njohjes me shtetasin italian Massimiliano Nicolini, marrjen e 700 eurove dhe ndërmjetësimin e tij për gjetjen e makinës Jaguar, motivi zyrtar për të cilin policia i vuri prangat më 17 tetor.

Në studion e TV A1 Report, me gazetarin Edvin Parruca, Patrioti tregon se si ishte njohur me shtetasin italian, flet për një marrëveshje që ishte parashikuar të lidhej me Nicolinin dhe për një premtim të këtij të fundit. Massimiliano Nicolini kishte deklaruar se nëse makina Jaguar do të gjendej e do të shitej atëherë gjysma e shumës do i kalonet shoqatës së ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë me seli në Durrës. Shoqata drejtohej nga Asllan Patrioti.

NJOHJA
Njohja kishte nisur 5- 6 muaj më parë dhe kishte përfunduar në firmosjen e një marrëveshjeje mes shoqatës së të përndjekurve dhe të burgosurve politikë në Durrës, që ai drejton dhe kompanisë që Masimilano Nicolini drejtonte, “Balkan Investment Company”.
“. Me këtë zotërinë, (flet për Nikolinin) kemi 5- 6 muaj që jemi njohur. U njohëm nga një vajzë e cila ishte pjesë e shoqatës tonë por që punonte dhe në kompaninë e Nicolinit. Ai na u paraqit si drejtues i kompanisë së sigurimit “Balkan Investment Company” dhe do të firmosnim një marrëveshje siguracioni për mbulimin e shpenzimeve për ndërhyrje kirurgjikale dhe analizave shëndetësore, në këmbim të 120 mijë lekëve që çdo i përndjekur politik do të paguante në vit. Meqë të përndjekurit nuk kanë të ardhura mori përsipër të na japë një ndihmesë. Ramë dakord që të bëjmë marrëveshjen e cila u firmos më 2 gusht.

SI NISI HISTORIA E JAGUARIT

Patrioti tregoi se shtetasi italian që në korrik i kishte kërkuar ndihmnë atij për të rimarrë makinën e vjedhur. “Meqë cështja ndiqej nga komisariati nr 4, dhe unë kisha miq atje, i premtova se do ta ndihmoja”- tregon Patrioti.
“Atë ditë kishte ardhur në këmbë. U ulëm në një restorant në Durrës. Më nxorri një laptop dhe në bazë të xhi-,pi-es më tha se makina ndodhej në Babrru dhe hetimet i kishin kaluar komisaritit nr 4”- kujton Patrioti takimin me Nicolinin, që mendohet se është zhvilluar në korrik, por nuk saktësohet data.

NDËRMJETËSIMI I PATRIOTIT

Patrioti tregon më pas si kishte shkuar në komisariatin nr 4 për të folur me një nga drejtuesit e saj.  Policia ishte në dijeni të  historisë, pak të komplikuar pasi Nicolini akuzonte për vjedhje sekretaren e tij, me të cilin kishte pasur lidhje intime.

“Kjo e fundit e kishte pasur në përdorim gjatë kohës që Nicolini ndodhej në Itali.. Ndërhyra me njerëzit dhe brenda 10 ditësh makina Jaguari u gjet. Më marrin në telefon dhe më thonë se makina u gjet”.
Nikolini kishte kërkuar ndihmë edhe për të ndërhyrë tek prokurori, pasi duhej të lëshonte firmën për të marrë makinën. Për këtë shërbim, sipas Patriotit italiani i kishte premtuar se do t'i jepte gjysmën e parave të makinës, kur ajo të shitej.
“Shefi i komisariati i tha se nuk mund ta marrë makinë pa pasur firmën e prokurorit. Ai më kërkoi ndihmë. Erdha në Tiranë dhe e gjeta me 2 çuna. Më thanë se nuk mund të më japin makinën, unë ndërhyra dhe i dhanë makinën.
Nicolini premtoi se nëse makina do shitej gjysmën e parave do i jepte shoqatës dhe një dhuratë për ata që do ia gjenin.”

ARRESTIMI MË 17 TETOR
Patrioti kujton se paraditen e 17 tetorit i kishte dhënë 100 euro dhe i kishte premtuar se do t'i jepte 600 euro pasdite. "Unë fillimisht nuk i pranova pasi më tregoi se kishte mamanë sëmurë .. por ai insistoi...”- kujton Patrioti.

“Në orën 16: 30 të (17 tetorit) kisha një intervistë te Tv A1 Report, sapo mbarova intervistën, Nicolini më mori në telefon. Dhe u ulëm në një restorant tjetër. Nxori nga xhepi 600 euro. Unë i mora dhe dola përjashta, shkova te greva dhe po hanim darkë me Skënderin. Pamë hyrje e dalje të tepruar, dhe i thamë njëri tjetrit këtu ka diçka o ti o unë do arrestohemi. Më pas u larguam. Rrugës së Ali Demit, po më ndiqnin me makina private. Ndalova pranë një pallati dhe doja të ndërroja makinë, kur më erdhën dhe më thanë vetëm arrestohesh.”- kujton Patrioti

PRESIONI NË QELI, PSE FLET PER GREVEN
Në komisariat filluan presionet për grevën. pse flet? Kur erdhi drejtori më tha se të kemi arrestuar për një tjetër muhabet për akuzën e “Korrupsion pasiv”. Unë lekët i kisha në xhep dhe nuk më shkoi ndërmend se Nicolini mund të bënte një gjë të tillë . Ia nxora 700 eurot. Ne prisnim një peshk të madh jo ty.”- kujton Patrioti momentet e para të arrestimit në orët e vona të mbrëmjes së 17 tetorit. “Ky ishte një komplot. Unë kam dyshimet e mia se Masimiliano bashkëpunon me ta.”- shton Patrioti.

Gjatë rrëfimit për studion e Tv A1 Report Patrioti kujton dhe se gjyqi ndaj tij në mënyrë të padrejtë ishte bërë me dyer të mbyllura dhe arresti me burg, i dhënë nga gjykata e Tiranës (2 ditë pas 17 tetorit) ishte i padrejtë.

“Arrest me burg nuk kisha pse të shkoja”- thotë Patrioti.

Nga dita e djeshme ai ndodhet në arrest shtëpie pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit. Zyrtarisht policia e arrestoi me akuzën “për ushtrim të ndikimit të personave me detyrë publike”, pasi mendohet se Patrioti i ka marrë 700 euro Nicolinit me të cilat do të paguante punonjësit e policisë si shpërblim për gjetjen e makinës. Por të përndjekurit e cilësuan arrestimin e tij si politik për shkak se Patrioti ishte koordinator i grevës së urisë së ish të përndjekurve e cila nisi më 22 shtator dhe u mbyll më 22 tetor.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)