Çfarë është Asllan Patrioti sot? Ai burri i shëndoshë, me flokët prerë shkurt, i përskuqur nga mllefi ndërsa fliste si koordinator i grevës së urisë, deri të mërkurën, mbrëmjen e të cilës e arrestuan, ndërsa shkonte te një televizion lokal për të folur për grevën, presionet, kërkesat, është ekonomike apo politike?
Dje në mesditë ishte në gjykatë dhe gjyqtarja, në shkelje të plotë të procedurave të Kodit Penal (ishte e njëjta gjyqtare që dha vendimin për shkrirjen e grevës), dha vendimin për arrest me burg pa afat. Sërish në burg politik, sin ë vitin 1976, kur e dënonte diktatura e proletariatit dhe vendimi jepej në emër të popullit.

Po çfarë ka bërë Asllan Patrioti?

Po të shikosh dinamikën e ngjarjeve dhe akuzat që janë bërë, në arrest me burg pa afat duhet të shkonte denoncuesi, një shtetas italian, për të cilin të gjithë thonë të njëjtën fjalë: mashtrues. Ngjarja është e thjeshtë: Italianit i kishte humbur makina ne qershor 2012, siç humbin makinat në Shqipëri nga mungesa e rendit. Ai nuk e vajtoi shumë makinën tip “Jaguar” dhe vazhdoi punën, sepse nëse i besohet asaj që ka deklaruar në QKR, ka shumë punë për të bërë. Në korrik, siç e thotë dokumenti që ka “Shqiptarja.com” u lidh me shoqatën e ish të burgosurve politikë. Sipas dëshmisë së përkthyeses së shtetasit italian, Asllan Patrioti dhe italiani Massimiliano Nicolini në takimin e tyre të dytë kanë biseduar për makinën që iu grabit. Ky i fundit, si i huaj në Tiranë, i ka thënë Patriotit se dikush i kishte kërkuar 5000 euro që t’ia kthente, por ky, me dorë në zemër, e ka këshilluar se nuk duhet të paguante aq dhe se do ta ndihmonte që ta gjente. Pas kësaj, historia e makinës është harruar dhe ajo është kthyer te i zoti.

Por pesë ditë më parë, siç dëshmon përkthyesja shtetasi Italian përmes përkthyeses, lidhet me Patriotin, duke kërkuar që t’i jepte diçka, meqë e kishte ndihmuar, por ky i shkreti që e kanë rrasur brenda, nuk pranonte të merrte, edhe pse italiani, pjesë e lojës, kërkonte me insistim t’i jepte diçka.
Kjo është historia e “puçistit” Asllan Patrioti, që u bë armik i partisë dhe i popullit pak ditë më parë, kur gjithë tërsëllëmë kërcënonte Sali Berishën dhe qeverinë e tij që të mos ia vdiste shokët në grevë urie.Prej asaj dite, Patrioti është në burg dhe aty do të mbetet. Edhe pse greva nuk është politike, edhe pse ata që i vënë flakën vetes e bëjnë se janë pa shtëpi, pa bukë dhe pa shpresë, Asllan Patrioti është i burgosur politik dhe ashtu do të përfundojë çdo shtetas që kërkon të drejtën e tij.

(xh.k/shqiptarja.com)