Për pjesën idealiste të motiveve dhe pjesëmarrësve të protestës kam pasur simpati dhe pata shpresuar që kjo energji të sillte reflektim te politika për t’u investuar në favor të ndryshimeve të shëndetshme të sistemit kushtetues të Republikës dhe demokracisë tonë.

Të jem i sinqertë, jam zhgënjyer jo vetëm nga reflektimi i vakët i deritanishëm i establishmentit, por sidomos nga degradimi gradual i zhvillimeve dhe zëdhënies politike të protestës.

Thagma e ditëve të fundit, e orientuar nga patronazhistët kryesorë të protestës, është një kthim i frikshëm i metodave të vjetra të pasluftës.

Shpallja e kulakëve të rinj në emër të luftës së "pastër" të klasave, me objekt gjithë pronarët e bizneseve që janë kundër protestës, është një zhvillim jakobin jo thjesht tragjikomik, por dëshmon se potenciali i aktivizimit të metodave staliniste apo edhe fashiste qenka më shumë se prezent në shoqërinë tonë.

Angazhimi i organizuar i patronazhisteve të protestës, të PD-së ose jo, për të rrënuar financiarisht ata që politikisht janë kundër protestës është tejet kriminal dhe i dënueshëm.

Disa "oratorëve" opozitarë të protestës aq shumë u ka hyrë vetja në qejf, saqë u duket vetja si heronj dhe kjo ua ka këputur frenat e vetëpërmbajtjes.

Modelet e vjetra të kësaj sjelljeje socialpolitike na kanë ardhur në majë të hundës dhe premtojnë një të ardhme të ndotur e të dhimbshme.

Arsye për të protestuar ka plot. Shoqëria jonë kërkon luftën më të fortë ndaj korrupsionit, politika sociale më të efektshme, barazi shërbimesh nga administrata pavarësisht gjendjes ekonomike dhe padiskutim një Republikë me pushtete të balancuara, me më shumë demokraci institucionale pa domene të paracaktuara politike.

Nëse patronazhistët e protestës do vijojnë me tendencën e ditëve të fundit e me luftë klasash, shpresa për ndryshim si pasojë e saj do të shuhet.

Patronpatronazhistë të protestës, hiqni dorë nga e kaluara, nga e ardhmja e vjetër!

Mos kopjoni stilin, kërkesat, epshin për pushtet dhe mllefin e pashërueshëm të Sali Berishës!

Adaptoni modele që premtojnë të ardhme të re!