KOPENHAGË - Në kuadër të veprimtarive të planifikuara me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kopenhagë ka hapur në sallën e pritjeve të Bashkisë Frederiksberg, një ekspozitë me kostume popullore kombëtare.

Veshjet e paraqitura në ekspozitë i përkisnin trevave të ndryshme shqiptare, nga Kosova në Çamëri, por u paraqitën edhe kostume të arbëreshëve të Italisë, si dhe nga minoriteti grek në Shqipëri.

Të pranishmit në ekspozitë, përfaqësues të trupit diplomatik, autoritetet e larta daneze, miq danezë dhe dashamirës të Shqipërisë, përfaqësues të shoqatave shqiptaro-daneze, shqiptarë me banim në Danimarkë, i përshëndeti e ngarkuara me punë a.i. Sekretarja e Parë e Ambasadës, Aida Sakja.

Gjithnjë në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, nën kujdesin e Ambasadës së Shqipërisë në Kopenhagen, të gjitha shoqatat, mediat dhe studentët shqiptarë në Danimarkë, nën frymen e gjithëpërfshirjes dhe të unitetit të kombit shqiptar, kanë vendosur të krijojnë faqen e tyre zyrtare www.100vjet.dk . Në këtë faqe pasqyrohen të gjitha aktivitetet që shqiptarët në Danimarkë do të organizojnë për të festuar përvjetorin e njëqindtë të ditës më të shenjtë në historinë e kombit shqiptar.

(im/shqiptarja.com)