Pavarësia, Prof. Puto: Përjashtimi
i Rexhep Qoses, ndërhyrje e Berishës

Pavarësia, Prof. Puto: Përjashtimi <br />i Rexhep Qoses, ndërhyrje e Berishës
Profesor Arben Puto, i pyetur sesi e mendon faktin që për 100-vjetorin e Pavarësisë Kryeministri u mëshon gjykimeve personale mbi ngjarjet dhe figurat historike, të tërheq vëmendjen me këto fjalë: "Në radhë të parë duhet thënë se përse i bën këto referime, cila është arsyeja…". E kur këto ndërhyrje nuk janë e para herë që ndodhin e kanë një qëllim, sipas tij. "Mendoj se ato kanë së pari si qëllim të krijojnë një zjarrmi debatesh, shashka tymuese që të mbulojnë qeverisjen e korruptuar të një pushteti të uzurpuar", thotë Arben Puto. Në intervistën për "Shqiptarja.com", profesor Puto na kujton se në këtë rast bëhet fjalë për një zhvendosje të vëmendjes "nga problemet më akute të vendit". Puto përmend gjithashtu dhe një faktor tjetër jo më pak të rëndësishëm se i pari që shpjegon më qartë edhe sjelljen aktuale të Kryeministrit Berisha, i cili përpiqet që 100-vjetorin e pavarësisë ta përdor si "një mënyrë për të konsoliduar aleancat elektorale, si një përpjekje për të mos lënë asnjë votë të firojë, përveç atyre metodave të tjera që i dimë të gjithë". Pra, në këtë intervistë Puto e thotë qartë se historia vihet në funksion të politikës së ditës. Pra, "thjesht manipulohet". "Kjo vihet re sidomos te "furçat" që i bëhen pa u kursyer figurës së Zogut", thotë ai, ndërkohë që nëpërmjet një udhëpërshkrimi me argumente shkencore në histori, rrëfen gjithë prapaskenat e mbledhjeve të Komitetit të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe tregon se pse nuk u ftua Akademik Rexhep Qosja në jubileun mbarëkombëtar.

Profesor Puto, cilat janë arsyet e reagimit të historianëve të njohur kundër tezave të Kryeministrit Sali Berisha për rishikimin e historisë?
-Historia po vihet në funksion të politikës së ditës. Pra, thjesht manipulohet. Kjo vihet re sidomos te "furçat" që i bëhen pa u kursyer figurës së Zogut. Duke ndjekur metodat e vjetra ai përshkruhet vetëm si ëngjëll, dhe kundërshtarët e tij si djaj. Duhet kujtuar këtu se vite më parë kur pasardhësi i tij zbriste në aeroportin e Rinasit, dhe kur nuk ishte në aleancë me Berishën, ai u zbua nga "toka mëmë" pa shumë temenara. Tani është ndryshe, "ruajalistët" janë në koalicionin qeverisës dhe Zogu duhet pikturuar si "hero i kombit". Në fund të fundit është edhe një prirje "antikomuniste" anakronike që përshkon botëkuptimin e kryeministrit dhe që tregon se i ka ngelur ora në mitingjet e viteve 1991-'92. "Tezat" e kryeministrit më lënë edhe një përshtypje tjetër. Më duket sikur i ka "me të dëgjuar" ato që thotë, dhe jo "me të lexuar". Janë kaq amatoreske saqë po të mos ishte në pozicionin që ka nuk do t'ia vlente të merreshim. Por, ka edhe diçka më serioze në këtë "histori me historinë".

Cila është kjo?
-Ajo që më shqetëson mua më shumë është fakti që një kryeministër ndërhyn në studimet historike duke përcaktuar linjat e qëndrimit. Kjo nuk është parë e dëgjuar ndonjëherë në shoqëritë demokratike. Dhe ende më shqetësuesja është se asnjë nga institucionet akademike nuk ngre as zërin më të vogël kundër këtyre "urdhrave" nga lart. Kjo tregon se si organet e tjera shtetërore, edhe institucionet akademike, universiteti, janë komplet të bindur dhe të nënshtruar ndaj autoritetit të kryeministrit. Më keq akoma, duket se kanë edhe frikë, dhe ky është thelbi, që po kthehet frika (sigurisht një frikë e llojit "demokratik") dhe mendimi se "është më mirë të mos merresh me qeverinë". Kjo çdo gjë mund të jetë, por jo karakteristikë e një shoqërie demokratike.

Le të kthehemi te fillimi i pyetjes…
-Sigurisht. Prej disa kohësh tanimë është shfaqur një tendencë ngulmuese për ndërhyrje të vrazhdë të politikës në histori. Mund të mendoja se ajo kohë kishte kaluar dhe nuk do të kthehej më. Për fat të keq është një valë në ngritje që synon të mohojë dhe të denigrojë arritjet serioze të historiografisë. Është si më parë, është i pari i vendit kryeministri Berisha që ka marrë përsipër të përmbysë historinë me "tezat" e tij. Ndërhyrjen në histori po e bën pjesë të programit të qeverisë në vështrim të 100-vjetorit të pavarësisë. Veç shumë fushave të tjera, ai pretendon se e zotëron edhe këtë lëndë. Mund të dijë shumë gjëra (p.sh. kokën e Ali pashës që duhet bashkuar me trupin, ja një ide e mirë). Mund të dijë edhe shumë të tjera, por edhe aq sa di, dhe pretendon të dijë, nuk është bërë pjesë e formimit të tij. Nuk ka kulturë historike dhe hyn në histori si një elefant në një dyqan me qelqurina. Në kohën e tij Enver Hoxha shkroi një artikull për kryengritjen e Shqipërisë së Mesme të Haxhi Qamilit. Më të zellshmit hartonin edhe udhëzime të përgjithshme në emër të "shokut Enver". Kurse ky ka marrë përsipër të ribëjë gjithë historinë.

Në fjalën e tij në Komitetin për përgatitjen e 100- vjetorit të Pavarësisë, Kryeministri ndalet veçanërisht në Luftën Nacionalçlirimtare?
-Po, duket se në qendër të fushatës së tij po vë historinë e Luftës Nacional-Çlirimtare. Është një qasje e re. E fillon me këto fjalë: "rezistenca e armatosur në Luftën e II Botërore përbën një nga faqet më të ndritura të historisë sonë dhe është gabim fatal të vihet në dyshim rëndësia e saj që e rreshton Shqipërinë në anën e Koalicionit antifashist". Mund të duket sikur ka reflektuar dhe bën një vlerësim të ri që nuk e kemi njohur më parë. Kjo vetëm në aparencë. Bëhet pyetja: Kush e bëri këtë luftë? E bënë, e organizuan misionarët britanikë të ardhur nga larg. Nuk mund të quhet veçse përçartje e radhës thirrja që u bën veteranëve që të pranojnë se "Brigada e parë partizane u krijua nga anglezët në Vithkuq". Rrjedhimisht populli shqiptar, rinia shqiptare ishte mish për top për interesa të huaja në këtë luftë të organizuar nga anglezët. Me këtë tezë, që e quan një risi në historinë e Luftës Nacional-Çlirimtare, Berisha bashkohet me tezën greke të përsëritur disa herë. P.sh. për Luftën e Vlorës, grekët patën thënë se vetë shqiptarët nuk kanë ndërgjegje kombëtare, nuk mund të jenë të aftë për rezistencë kundër pushtuesve. Lufta e Vlorës "ishte organizuar" prej italianëve për të penguar pretendimet greke mbi Shqipërinë jugore. Për rezistencën kundër pushtuesve nazi-fashistë e njëjta gjë. Kryeministri grek Caldaris në Konferencën e Paqes në Paris 1946 deklaronte nga tribuna e saj se në Shqipëri "nuk ka lëvizje të vërtetë rezistence. Shqiptarët nuk janë të aftë, kanë qenë vetëm disa aksione të izoluara të disa bandave të nxitura e të organizuara nga jashtë". Pra, shqiptarët arritën të ngrinin një ushtri të vërtetë, por nëse "u rreshtuan në emrin e mirë të historisë" këtë e bënë misionarët anglezë. Nuk mund ta mbyllë veçse me një skandal që poshtëron kujtimin e dëshmorëve të luftës. E ka kapur me Qemal Stafën, dëshmorin 20-vjeçar, simbol i rinisë antifashiste që u vra me armë në dorë. Thotë që ka respekt, por…nuk luante mirë futboll. Prandaj t'i hiqet emri nga stadiumi… po se po, por edhe nga ndonjë rrugë dhe shkollë.

Një çështje tjetër që ka të bëjë me 100 vjetorin është ajo e monumenteve që do të ngrihen për nder të Pavarësisë. Cili është mendimi juaj?
-Së pari, nuk janë propozime, janë vendime që i merr vetë ose në rrethin e ngushtë të atyre që i thonë "amin". Nuk rezulton të jetë përfillur mendimi i artistëve. Ajo që bie në sy për monumentet është vënia e I. Qemalit dhe A. Zogut në një plan, madje me një tendencë të pafshehur për ta ngritur mbretin në një shkallë më të lartë. Kjo do të ishte një zgjidhje arbitrare në kundërshtim me vlerën historike të veprës së njërit apo të tjetrit. I. Qemali hap një faqe të re në histori, hedh themelet e shtetit të ri, është kryetar i qeverisë së parë kombëtare. Nuk arriti të qeverisë, nuk e lanë. Zgjodhën E. Toptanin që do ta nxjerrë Shqipërinë në pazar. A. Zogu e shfaqi qysh herët shijen për pushtet. Bajraktar adoleshent hyn në politikë dhe bëri një karrierë të rrufeshme. Hedh një gur në themelet dhe konsolidon shtetin kombëtar, i cili nga ide kthehet në realitet. Zogu qeveris si president, pastaj si mbret sundon me pushtet diktatorial për 20 vjet. Sundimi i tij ka pika të errëta. Pas një largimi të parë në qershor 1924, ai rikthehet shpejt në dhjetor me ndihmë nga jashtë, me ushtarë jugosllavë dhe mercenarë bjellogardistë. Për këtë ai lidh një marrëveshje të fshehtë me kryeministrin serb Pashiç në gusht 1924. Merr ndihmën, por jep, së pari, Shën Naumin dhe, së dyti, angazhohet të mos lejojë e të godasë irredentizmin kosovar. Këtij angazhimi i qendron strikt gjatë gjithë kohës së tij. Vret Bajram Currin në 1925 dhe Hasan Prishtinën në Selanik në 1933. Mund të bëhet pyetja se pse nuk flitet edhe kaq shumë për Gurakuqin që ka qenë dorë e djathtë e I. Qemalit gjatë veprimtarisë së Qeverisë së Përkohshme brenda dhe jashtë? Angazhimi i Zogut kundër irredentizmit ka edhe një aspekt tjetër. Gjatë gjithë kohës së tij ai nuk ka ndërmarrë asnjë aksion në Lidhjen e Kombeve për të denoncuar genocidin serb në Kosovë, planet e vitit 1938 për dëbimin e popullsisë së saj për në Turqi. Kemi kërkuar në Arkivin e Ministrisë së Jashtme. Nuk kemi gjetur asnjë raport të Legatës shqiptare në Beograd me informacion mbi gjendjen në Kosovë. Dhe sot Zogu propagandohet si mbrojtësi më i vendosur i çështjes së Kosovës. Në politikën e jashtme Zogu i falet Italisë. Për çdo traktat që lidh merr miliona nën dorë, "senza ricevuta", siç shënohej në dokumentet diplomatike italiane. Bën shpërdorime marramendëse, beqaria e gjatë kushton shumë. Në vend popullsia, sidomos në veri, vuan urie. E mbyll karrierën me aktin më të ulët, me braktisjen e vendit në prill 1939, që e njollos rëndë figurën e tij, njollosje që nuk do t'i fshihet kurrë. Saliu bën sikur harron ato që ka thënë. Por i kujtojmë se dikur nuk i kursente sulmet kundër Zogut mbret që e braktisi "vendin në prag të okupacionit", "ndërsa sot nuk përton të shkojë edhe në Burrel për të inauguruar me fanfarë monumentin e "Nalt Madhnisë" (S. Minxhozi, Java, 30.VI.2012). Braktisja e la Shqipërinë pa pavarësinë, por edhe pa përfaqësim në arenën ndërkombëtare... Dhe Saliu thotë se mbreti i shpallte luftë Italisë nga Parisi.

Si e shikoni këtë prezencë kaq aktive në aktivitetet që i kushtohen 100 vjetorit?
-Berisha zë tani vendin e udhëheqësit. Ai sillet dhe vepron si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror. Dhe ka eksperiencë. I ka mësuar metodat që herët në nivelin e ulët të sekretarit të një fakulteti, kurse tani po i përdor në nivelin më të lartë të Sekretarit të Parë të KQ. Nuk mund të quhet i tepruar ky titull deri sa ka përqëndruar gjithë pushtetin. Eshtë në krye të një ekzekutivi. Institucionet e pavarura janë në vartësi të tij të plotë. Janë dy prej tyre që i vlejnë më shumë. Së pari, janë zgjedhjet, të cilat janë kthyer në instrumentin kryesor për të mbajtur gjatë një pushtet me rekord falimentimi. Eshtë virtuoz në deformimin dhe degradimin e procesit elektoral, ka zgjedhur mirë njerëzit, me Ristanin në krye. Në parti autoriteti i tij është i padiskutueshëm. Na sjell të vërteta deputeti pd-ist Mark Marku, ai që dukej fanatik në mbrojtjen e vijës së partisë. Dëshmon se nuk ka kurrfarë debati, nuk guxon njeri t'i dalë përpara. Ka edhe të tjerë si Marku në parti, por Berisha ua qep gojën, "i shantazhon jo vetëm me dosjet e Sigurimit, por edhe me ato të korrupsionit". D.m.th. i lë të vjedhin, por u bën dosjen.

Cili është mendimi juaj për Konferencën që do të mbahet në Tiranë më 26 nëntor?
-Së pari, nuk është caktuar kot kjo datë. Është ajo e "shpalljes së pavarësisë" së Tiranës që i paraprin asaj të Vlorës. Duan t'ia marrin Vlorës ngjarjen e madhe. Pra, në këto terma anakronikë bëhet "rishikimi i historisë". Për sa i takon vetë Konferencës ajo nuk duhet të jetë thjesht një mbledhje solemne, duhet të jetë një Konferencë shkencore që të bëjë një bilanc. Mund të mbahen referate e kumtesa për tema historike. Nuk përjashtohet që të ndërhyjë aty edhe politika për të pëmbushur porositë e Berishës. Përjashtimi I Rexhep Qoses dhe ndërhyrja e Berishës të japin një ide se ç'mund të jetë kjo Konferencë. Eshtë e natyrshme që 100-vjetori të përkujtohet jo vetëm për Pavarësinë, por edhe për kurorëzimin e saj me kthesën tjetër historike, asaj të demokracisë. Pyetja e madhe e madhe që shtrohet sot është: a është demokraci kjo që po jetojmë? Padyshim nuk është diktaturë, por nuk është as demokraci. Nuk mund të konceptohet regjim demokratik një pushtet që shkel parimet bazë të sistemit, kap të gjitha institucionet, lejon korrupsionin e niveleve të larta, shkel të drejtat e njeriut, të marrë jetë siç bëri në 21 janar kur shtiu direkt mbi turmën, duke vrarë katër qytetarë të pafajshëm. Dhe nëse nuk ka ndonjë fajtor për këto akte të rënda, pushteti do ta ndjejë veten të plotfuqishëm për të vendosur për çdo gjë në mënyrë të patrazuar, madje edhe për çështje të tilla se si duhet të shkruhet historia. Mënyra se si kërkohet të ndërhyhet në histori është pasqyrë direkte e natyrës së një pushteti. Në këtë shkrim jam i ndërgjegjshëm se kam kaluar ndonjë cak. Por është mëkat që 100 vjetori ta gjejë vendin në një situatë të tillë të pasigurtë, nën një pushtet të uzurpuar autokratik, në një tranzicion të gjatë që nuk e lë vendin të mbërrijë finishin tjetër historik, atë të vendosjes së demokracisë me të gjitha vlerat e saj.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin