Pavarësia Rubens Shima:
35 mijë euro për fituesin

Pavarësia Rubens Shima:<br />35 mijë euro për fituesin
Zoti Shima, ende nuk janë bërë publikë emrat e pesë boceteve fitues për Monumentin e Pavarësisë. A mund të na thoni, është ndonjëri prej pjesëmarrësve të huaj fitues?
-Juria pasi e pa me kujdes gjithë materialin, maketet dhe bocetet e sjella nga artistët, pas një seleksionimi të kujdesshëm, bëri përzgjedhjen me faza, ku seleksionoi pjesë – pjesë projektet të cilat paraqisnin shmangie nga koncepti derisa mbërriti në një grup projektesh/bocetesh prej 15 punësh, që ishte edhe bërthama më e mirë e konkursit. Pasi u bënë përzgjdhjet e para me short-list të mbyllur, në grupin prej 10 veprash që mbetën hyri në punë sistemi i pikëve, nga njëshi deri tek pesa, nga ku dolën dhe pesë projektet më të mira. Sigurisht këtu unë mendoj se është përzgjedhur materiali më i mirë që ka sjellë ky konkurs, dhe këtu ka edhe artistë të huaj.

Shumica e artistëve janë shprehur se koha e konkursit nuk mjaftonte. Kështu janë shprehur edhe disa prej atyre që morën pjesë. Cili është mendimi juaj, a ishte e mjaftueshme koha?
-Koha gjykoj që ka qenë tamam korrekte. Ky konkurs është shpallur në nëntor të 2012-s. Është lënë gati tre muaj kohë për të menduar rreth një ideje. Ata që nuk kanë pasur dot ndonjë ide gjatë këtyre tre muajve, nuk besoj se do t’u vinte ndonjë ide në muajin e katërt apo në muajin e pestë. Kështu që unë mendoj se ky është një konkurs që merret me një koncept universal që është liria dhe pavarësia e një vendi dhe ky koncept nuk është e vështirë të mbartet në mendësinë e çdo artisti. Ashtu siç e gjetën kohën artistët ndërkombëtarë, mund ta gjenin të gjithë. Megjithatë, unë mendoj se ka më shumë mundësi për përzgjedhje të mira, sepse ky është konkursi me pjesëmarrjen më të madhe. Janë 61 artistë me 75 punë, ku disa kanë ardhur edhe me dy variante.

Më media është zhvilluar një debat i shumanshëm, jo vetëm për mënyrën e organizimit të konkursit, por edhe për konceptin artistik. Skulptorët kanë pohuar se ka shprehje të patetizmit dhe keqpërdorim simbolesh. Arkitektët shprehen se po prodhohen monumente me elementë turbofolklorikë. Janë opinione të drejta apo paragjykohet?
- Mendoj se janë komente njerëzish me frymëzim spontan, dhe kategoria e dytë janë njerëz që merren eksluzivisht me punën e të tjerëve. Nuk kemi parë realisht se çfarë prodhojnë këta njerëz që bëjnë kaq shumë komente, përveç fjalëve. Por mos harroni se gjykimi mbi artin shpesh bëhet mbi baza subjektive. Çdo artist që ka marrë pjesë në këtë konkurs ka marrë parasysh që do të gjykohet nga njerëzit. Një vepër në momentin që del nga studioja e artistit e humb intimitetin dhe i nënshtrohet gjykimit të njerëzve. E rëndësishme është që gjykimi të jetë sa më profesional. Ne në këtë konkurs kemi një ndarje qartazi të pjesëmarrësve. Kemi artistë ndërkombëtarë që kanë kanë preferuar ta paraqesin konceptin e pavarësisë nëpërmjet një simbolike jo figurative, me një gjuhë brenda një estetike moderniste dhe materialet që kanë propozuar janë materiale tepër bashkëkohore në realizmin e këtyre skulpturave. Ndërsa artistët shqiptarë, këtu ndikon dhe shkolla, kanë preferuar që simbolikën e pavarësisë ta shprehin nëpërmjet simboleve, për shembull personazheve historike, flamurit, në një gjuhë më tradicionale.

A nuk ka në këtë konkurs shumë simbole klishe?
-Mendoj se asnjë simbol nuk është klishe.

Por..., kur ato keqpërdorohen ose devijojnë nga kuptimi i mirëfilltë simbolik, mund të kthehen në klishe artistike. Apo jo?
-Varet sesi e ripropozon një simbol artisti, apo e thënë ndryshe si e sjell në kohë. Këtu hyn në punë estetika dhe formimi kulturor i artistit, i cili në këtë rast është shumë i rëndësishëm, madje është faktor përcaktues. Nëse artisti citon, madje hiperciton një simbol tradicional e rëndësishme është që ta sjellë nëpërmjet një estetike të re dhe me një gjuhë bashkëkohore. Kur kjo arrihet nuk kemi të bëjmë me klishe.

A ka vepra të prezantuara në këtë konkurs që duken si imitime të realizmit socialist, që shfaqen me një shije brutale, përzier me një lloj elementi folklorik?
-Nuk ka se si të mos ketë të tilla, sepse ky ka qenë një konkurs i hapur, pa asnjë lloj paraseleksionimi. Nuk mund të them se është vendi për të bërë një analizë mbi shkollën shqiptare, apo shijet estetike që janë prezentë aty.

Mendoni ju se një humbje të vlerave ka sjellë edhe mosnjohja e faktorëve historikë për të sjellë një koncept të drejtë për pavarësisë si një histori komplekse, e cila solli mëvetësi, pavarësi, por ende jo aq liri sa pritej?
-Mendoj se koncepti i pavarësisë, i lirisë, janë koncepte universale. Të huajt, madje, kanë “gërmuar” shumë rreth historisë së Shqipërisë për të marrë informacione rreth saj sic kemi rastin e një artisti italian pjesëmarrës i cili propozon një grup figurash në sfond ku ka vendosur një yll gjashtecepash, marrë ky simbol nga stema e dikurshme e Kastriotëve. Por që praktikisht me kalimin e shekujve ka humbur simbolikën e dikurshme. Praktikisht ky kërkim ka rezultuar konfondues për artistin. Në disa bocete pjesëmarrëse vihet re një estetikë e tejkaluar përzier më elementë kitsch.


Duke parë bocetet, vërejta se ka një përdorim në masë të figurës së femrës, ku ajo shpesh duket edhe më tepër se ç’duhet erotike. Pse është konceptuar kështu pavarësia jonë. Si kanë menduar artistët?
-Historia e monumenteve në periudha të ndryshme është pasqyruar nga simbolika të ndryshme, që mund të përsëriten, të riciklohen, të rithuhen, ose mund të propozohen ndryshe. Edhe kjo simbolika e këtyre femrave me pak erotizëm, siç i cilësoni edhe ju, është modeli pak a shumë perëndimor i lirisë, modeli francez i lirisë, ku liria gjithmonë paraqitet në artin botëror si një femër, madje po të shohësh Delakruanë, liria është një femër me gjirin përjashta. Ky koncept vjen nga Perëndimi, por është model i tejkaluar.

Pavarësia e Shqipërisë nuk ishte një liri e atij kuptimi. Ishte një prag, një gur themeli për të ardhmen tonë. Fituam pavarësi, por jo aq liri, siç e tregon më pas historia jonë...
-Gjykoj se për këtë konkursi i vuri në provë të gjithë. Ne ua kemi lënë në dorë artistëve konceptin e lirisë. Kompleksitetin e historisë së Shpalljes së Pavarësisë s’e kanë zgjidhur ende as historianët...

Si janë përcaktuar përmasat e derdhjes së një monumenti për pavarësinë?
-Përmasat janë të lidhura nga koncepti që ka secili artist dhe po ashtu përmasat janë të lidhura ngusht me vendin ku do të vendoset. Artistët kanë përdorur modele variabël në funksion të sheshit dhe të realizimit të materialeve të ndryshme që ata propozojnë.

A kanë pasur një dijeni të përafërt artistët se një vepër e tij mund të vendoset, p.sh. te Piramida, te Lulishtja apo te Katedralja?
-Një ndihmë e madhe për Jurinë ishte fakti se artistët kur kanë sjellë bocetet kanë propozuar edhe vendin se ku duhet të vendoset vepra. Disa e kanë vendosur veprën në një mjedis të gjelbër, brenda një parku apo lulishte. Disa të tjerë e kanë vendosur brenda qendrave urbane me blloqe ndërtimi në sfond.

Sa e lidhur me ju është zyra e arkitekturës në bashki për të përcjellë këtë koncept të veprës në variacionin e sheshit të kërkuar?
-Pas shpalljes së fituesit, dhënia e sheshit do të bëhet pas një konsulence të Bashkisë të Tiranës, Ministrisë së Kulturës dhe Komisionit Shtetëror të Festimeve.

Sa do të paguhet fituesi?
-Fituesi do të paguhet me 35 mijë euro.

Sa ka akorduar shteti për koston totale të Monumentit të Pavarësisë?
-Kostimi, fatura financiare e monumentit do të vendoset kur të përcaktohet sheshi dhe materialet për ndërtrimin e monumentit fitues. Tek artistët e huaj kemi mundësi zgjedhje. Ata kanë propozuar që veprën mund ta ndërtojnë në çfarëdolloj materialesh si tradicionale ashtu dhe bashkëkohore.

Pse u ka interesuar të huajve tema e Pavarësisë së Shqipërisë?
-Pavarësia, liria janë tema universale.

A kanë pasur ata ide të qarta për çështjen e pavarësisë sonë?
-Kanë pasur, kanë kërkuar në arkiva, kanë lexuar. Kanë kërkuar thellë në historinë dhe në dinamikën e ngjarjeve të historisë së Shqipërisë. Madje, disa prej tyre ishin zhytur aq thellë sa ishin ngatërruar me këto simbole, siç është rasti i një skulptori italian i cili në kërkimet e veta ka mësuar se pjesë e simbolit të Kastriotëve ka qenë ylli me gjashtë cepa dhe na e ripropozon këtu. Por, kjo është një simbolikë që edhe vetë ne shqiptarët e kemi humbur. Këto kërkime kaq thellë nuk mendoj se janë shumë favorizuese. Ai është vërtetë një simbol yni, por nuk është më i pranishëm.

Me pak fjalë, cili është gjykimi juaj në përfundim të këtij konkursi?
-Ajo që më gëzon është se në këtë konkurs ka pasur prurje, ka pasur koncepte bashkëkohore. Por duhet të theksoj se ne nuk duhet të ndërtojmë më monumente me një estetikë të kohës së shkuar. Dhe mendoj se ka ardhur koha të distancohemi estetikisht nga monumentet që ne jemi mësuar të shohim.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza