Politika e feston e ndarë 29 nëntorin pasi debati mbi largimin e gjermanit të fundit në vitin 1944 është ende i hapur. Ndryshe nga e majta, e djathta feston 28 nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe Çlirimit.

Në lidhje me këtë historiani Evarist Beqiri tha për Report Tv se politika jonë ka një kulturë të mangët sa i përket kësaj çështje.

“Këto janë festa që bashkojnë të gjithë qytetarët kudo që ndodhen. Festa e Çlirimit është e rëndësishme, për simbolikën që përfaqëson ajo.  Sa i takon mosmarrëveshjeve tona është mirë mos të merremi me gjermanin e fundit e gjermanin e parafundit. Kur kemi vendosur një datë është mirë të jemi në  një mendje.

Një anormale që ka shoqërurar gjithë vitet e tranzicionit në Shqipëri. nuk kam parë që të kemi një përçarje të tilla në data unifikuese dhe të rëndësishëm për të gjithë shqiptarëve.Klasa jonë politike flet për kulturën e mangët demokratike dhe shqiptarët janë lodhur më këto. Nuk ka pse të shkojnë njëri para dhe tjetri pas për të vendosur kurora me lule, kur ka një ceremoni shtetërore”, tha Beqiri.

Sa i përket aktiviteteve në kuadër të këtyre festave ai nënvizoi se mund të kishte një organizim më të mirë. Kështu përveç koncerteve vizitat në muze janë gjithashtu të rëndësishme për të marrë informacione për historinë tonë.

“Mund të kishte edhe organizim më të mirë. Për shembull vizita në muze. Edhe pse Muzeu Kombëtar po rikonstruktohet shpresoj të bëhet më dinjitoz. Muzeu në Vlorë ka nevojë për më shumë për pasurim, për frymën e rilindjes kombëtare, çfarë përfaqëson ajo. Muezu nuk është vetëm ekspozitë me fotografi. Sot kemi edhe inteligjencën artificiale mund të sjellim historinë me të, por jo duke e shtrembëruar",shtoi ai.

Beqiri nënvizoi se sot ka shumë historianë të cilët japin mësim në Universitete e shtrembërojnë historinë.

"Ka shumë gjëra që i dimë përciptazi, shtremebrëohen e hidhet helm pa asnjë motiv. Çdo 28 nëntor ne kemi historianë që e përlyejnë atë moment të vështirë (rrugëtimin e Pavarësisë), ishte një Shqipëri në mes të furtunave. Një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk e dinin se çfarë po bëhej", theksoi Beqiri.

Në fund ai shtoi se Shqipëria po zhvillohet me hapa të jashtëzakonshëm por ende ka shumë problematika. Sipas tij Shqipërisë i nevojitet, një sistem drejtësie më i mirë.

"Nuk është e lehtë të drejtosh demokraci, por disa gjëra mund të bëheshin më mirë. Duhet të jemi vigjilentë në mbrojtje të interesit tonë kombëtar", përfundoi Beqiri.