Pavarësia e Katalonjës mund të
jetë fillimi i një krize të re në BE

Pavarësia e Katalonjës mund të<br />jetë fillimi i një krize të re në BE
Spanja është duke u përpjekur dëshpërimisht për të ndaluar pavarësinë e Katalonjës, e cila mund të sjellë rrëzimin e ekonomisë rajonit dhe ta fusë në kaos të gjithë Europën. Zyrtarët e Katalonjës paralajmëruan se mund të shpallin pavarësinë nga Spanja në një kohë të shkurtër, pas ndërhyrjes së Madridit në referendumin e të dielës. Gjatë ditës kur do të votohej për referendumin e pavarësisë, përplasje të dhunshme mes policisë spanjolle dhe votuesve u regjistruan në shumë zona të Katalonjës.

Protestat kanë vazhduar edhe gjatë ditës së martë, ku sindikatat e punëtorëve u bënë thirrje anëtarëve të tyre t’i bashkoheshin protestave të cilat sollën edhe “paralizimin” ekonomik dhe shërbimeve në rajon. Nga ana tjetër investitorët janë duke peshuar rrezikun që kjo situatë sjellë për Spanjën, ku vetëm gjatë të mërkurës indeksi i bursës së Spanjës ka rënë me 2.7%, ndërkohë që “Banka Spanjolle”, me seli në kryeqytetin e Katalonjës, Barcelonë, tregtoi me 7% më pak dhe letrat me vlerë të Spanjës kanë rënë.

Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemond, rriti rrezikun e një kolapsi ekonomik, pas mbylljes së tregjeve, duke lëshuar një sulm verbal drejt Mbretit të Spanjës, duke thënë se monarku është duke “injoruar miliona katalanas, të cilët e mendojnë çështje e pavarësisë ndryshe nga mbreti”. Gjithashtu Puigdemond është shprehur se ishte i gatshëm që të bëhej pjesë edhe e negociatave të udhëhequra nga një ndërmjetës ndërkombëtar.

Ndërkohë që politikanë po planifikojnë lëvizjen e tyre të radhës, bizneset dhe investitorët janë në mes të këtij konflikti. Katalonja është rajoni ekonomik më produktiv i Spoanjës, ku operojnë 7,100 kompani të huaja, përfshirë “Volkswagen”, “Nissan” dhe “Cisco”.

Skenarët e mundshëm të negociatave
Shumë ekspert mendojnë se pse marrëdhënia mes zyrtarëve të Barcelonës dhe atyre të Madridit duken tepër të acaruara, të dyja anët do të jenë të afta për tu përfshirë në negocimin e një marrëveshjeje.

“Katalonja nuk do të ketë mjetet e nevojshme, përfshirë edhe mjetet ekonomike për të përfituar një pavarësi të plotë”, është shprehur Holger Schmieding, krye ekonomist në bankën Berenberg. “ Barcelona dhe Madrid në një pikë do ta kenë të nevojshme që të ulen në tryezën e negociatave”, shoti ai.

Një marrëveshje mes Katalonjës dhe Madridit mund t’i japi më shumë autonomi rajonit i cili kërkon pavarësinë, duke i dhënë mundësi që të ketë edhe më shumë kontroll mbi financat e saj.  Por situata që ekziston tashmë në rajon nëse zgjat për një kohë të gjatë mund të shkaktoj një dëm të konsiderueshëm në biznesin lokal dhe në ekonomi.
Nga protestat e të martës u detyruan të mbylleshin shumë autostrada të cilat shkaktuan vonesa në linjat e prodhimit të kompanive ndërkombëtare që operojnë në këtë rajon. Ndërprerje të tjera të punës në këto kompani mund të çojë në largimin e tyre. 

Nga ana  tjetër edhe investimet në rajon mund të vonohen, duke pasur parasysh që korporatat që operojnë në Katalonjë janë duke parashikuar disa skenarë për sa i përket pavarësisë së Katalonjës. Sipas Stephen Brown, ekonomist në “Capital Economics”, thotë se një konfuzion i investuesve mund të sjellë një ngadalësim të ekonomisë spanjolle e cila tashmë është 3.2% të shkojë në 2.5%.

Skenari i një kolapsi ekonomi, kriza e re që prek edhe Bashkimin Europian
Nëse të dyja palët vendosin të mbajnë qëndrimet e tyre dhe të refuzojnë zgjidhjen e situatës së krijuar nëpërmjet arritjes së një pakti, gjendja mund të shkojë shumë më keq për të dyja anët. Nëse Katalonja do të shpallë pavarësinë, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, mund të vendosë për një sundim të drejtpërdrejt mbi  rajonin, i cili momentalisht është pjesë autonome e Spanjës.

Një vendim i tillë mund të çojë në më shumë protesta, përplasje të dhunshme dhe greva punëtorësh  si ajo e të martës. Shumë gjëra janë të paqarta për sa i përket një sundimi të drejtpërdrejt në Katalonjës. Një gjë e tillë mund të ngadalësonte zhvillimin e biznesit në rajon Ekspertët shprehen se një skenar i shpalljes së pavarësisë pa një marrëveshjeje mes Madridit dhe Katalonjës mund të çonte shumë shpejt në një situatë shumë të rrezikshme për sa i përket operimit të bizneseve ndërkombëtare në rajon.

Bizneset në Katalonjë mund të përballen me probleme për të operuar në një shtet i cili sapo ka fituar pavarësinë dhe pa një marrëveshje tregtie me BE, do të krijohet një situatë edhe më e vështirë se ajo e Brexit. Ekonomia e Katalonjës është e 5 në Spanjë, duke prodhuar 25% të prodhimit të mallrave që eksportohen.

“Kjo gjë do të kishte një ndikim shumë të madh edhe për sa i përket ekonomisë së Spanjës, në një kohë kur ekonomia spanjolle sapo është ripërtërirë nga kriza”, tha Megan Greene, krye ekonomiste në  “Manulife Asset Menagment”.  “Në një skenar të tillë, investitorët mund të zgjedhin të ndalojnë blerjen e borxhit të Katalonjës dhe Spanjës, duke çuar kështu në rriten e kostove të financimeve qeveritar. Spanja mund të shkonte drejt një kolapsi ekonomik i cili shumë shpejt mund të përhapet edhe në Bashkimin Europian, duke sjellë sërish një krizë në eurozonë”, shtoi ajo.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Nuk miratohet rritja e pagave për Kushtetuesen, Xhafaj del nga ‘rreshti’, voton kundër

Nuk miratohet rritja e pagave për Kushtetuesen, Xhafaj del nga ‘rreshti’, voton kundër