Ministria e Brendshme ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me oficerin e lartë në Policinë e Shtetit, Julian Balliu, i cili është shpallur në kërkim pas skandalit që publikoi mbrëmë ‘Fiks Fare’. Policia e Shtetit i bën thirrje PD-së të heqë dorë nga dhuna verbale, ndërsa e fton që të punojnë bashkë.

“Fiks Fare” denoncoi rastin e një 40-vjeçari nga Poliçani, i cili kishte probleme pronësie me oficerin e policisë, Julian Balliu, shef sektori për sigurinë rrugore në Shkodër dhe i komanduar në Tiranë. Denoncuesi akuzon se i ka paguar 30 mijë euro familjes së oficerit për një truall dhe nxjerrjen e lejes për ndërtimin e një karburanti në fshatin Mbrakull. Nëpërmjet kamerave të fshehta, u dokumentua se shefi i policisë i thotë denoncuesit se nuk i ka lekët dhe në këmbim i premtoi 200 gramë kokainë, të cilën do e merrte në Itali.

Reagim i MB-së për deklaratën e PD-së
Ministria e Brendshme, përmes Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe Policisë së Shtetit reaguan menjëherë mbrëmë pas publikimit të pamjeve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, duke pezulluar dhe shpallur në kërkim oficerin e dyshuar si të implikuar në këtë vepër penale.

Hetimet e plota nisën menjëherë nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë. Ky është treguesi më i qartë se aktualisht në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, apo të mbrojtur në “çadrën” partiake, ashtu siç tregon vullnetin e qartë për pastrimin e radhëve nga çdo efektiv që shkel ligjin.

Ministria e Brendshme siguron qytetarët se, askush dhe për asnjë motiv, nuk do mund të ndryshojë vullnetin, për të luftuar krimin dhe goditur korrupsionin. Përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit të së drejtës nuk do ndalen. Vetting-u në Policinë e Shtetit, i mbështetur fuqimisht nga partnerët ndërkombëtarë, është një mekanizëm ligjor që do ta përshpejtojë procesin.

Vetting-u do të reformojë kapacitetet njerëzore në Policinë e Shtetit, duke promovuar pjesën më të shëndetshme, punonjësit më me integritet, të trajnuar, të mirë arsimuar, të cilët janë shumica në organizatë. Duke përfituar nga rasti, i bëjmë thirrje PD-së të heqë dorë nga dhuna verbale ndaj Policisë së Shtetit, e të punojmë bashkë për ta bërë vendin dhe jetën e qytetarëve më të sigurt.

d.b/shqiptarja.com