Qeverisja me PDK-në shënon vazhdimin e agonisë për popullin e Kosovës. Nuk do të ketë kurrfarë shansi për luftim të krimit e të korrupsionit s’e lëre më për çështjet e tjera si zbutja e papunësisë apo reformat në arsim. Kolaboracionizmi i Isa Mustafës me PDK-në do t’i bëjë të korruptuarit edhe më të pasur, kriminelët edhe më të mbrojtur, të varfrit edhe më të mjerë, klasën e mesme edhe më të varfër, ShIK-un edhe më të fuqishëm, Mitrovicën edhe më të ndarë, Serbinë edhe më të pranishme. 
 
Për pesë muaj rresht e kemi pamundësuar PDK-në. Kemi dëshmuar që është i mundshëm ndryshimi. Kemi dëshmuar që PDK-ja është pakica që e ka kapur shtetin. Asnjërin prej 63 deputetëve PDK-ja nuk ka arritur as ta frikësojë dhe as ta blejë. Kthesa e mbrëmshme sjell dëm të pallogaritshëm për Kosovën. Nuk do të ketë as hetim të privatizimeve të egra e as të pazareve me Serbinë. Do të ketë edhe më shumë gjëra të njëjta në rrugën e njëjtë të Thaçit.
 
Ditëve të fundit, ambiciet e pakontrolluara dhe apetitet e papërmbajtura për pozitën e kryeministrit e rrënuan bashkëpunimin e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në kuadër të luftës për t’ia ngritur pazarin vetes dhe për t’ia zbritur tjetrit, dy pretendentët brenda LAN-it e sjellën mundësinë për takime e marrëveshje me Thaçin të cilën e maskonin me konsultime strukturash të partisë. Madje, nuk bëhet fjalë për pushtet partie por vetëm për pushtet personal sepse realisht nuk u diskutuan koalicionet por pozita e kryeministrit. Mbrëmë te presidentja vazhduan njësoj: e ndanë qeverinë me thikë porsi tortën (po të ishin fëmijë, sepse, në fakt, qeverinë e ndanë si plaçkë).  
 
Për neve është e qartë se mbrëmë te Presidentja është bërë pazari me dosje: Isa Mustafa e amniston PDK-në dhe ShIK-un për krimet dhe korrupsionin kurse ambasadorja amerikane ia ngrin ato 70 lëndë për krimet në komunë që mund të shpijnë te përgjegjësia e Isa Mustafës. Vetëm dy ditë pasi që Ambasadorja ia përmendi publikisht Isa Mustafës ato 70 lëndë, ajo shkoi në vizitë te u.d. të kryeprokurorit të Kosovës, Sylë Hoxha. Porosia ishte e qartë.
 
Me vendimin e mbrëmshëm Isa Mustafa i ka hyrë rrugës së Behgjet Pacollit. Kryeministri në Qeveri me PDK-në e ka fatin e Pacollit kurse partinë e tij e pret fati i AKR-së. Nga PDK-ja kanë dalë edhe Jakup Krasniqi, Hydajet Hyseni e Lumnije Morina. Atje ka shkuar vetëm Ramiz Kelmendi. PDK-ja kurrë s’ka qenë më e keqe se tash dhe mu kësaj PDK-je iu bashkëngjit Mustafa.
 
Ne nuk e kemi votuar Isa Mustafën me 17 korrik për kryeparlamentar. Gjithmonë e kemi marrë me shumë rezervë atë. Po ashtu, nuk i kemi besuar marrëveshjes deri kur është nënshkruar me 10 shtator – fundja, atë që u patëm marrë vesh në mbrëmje me 16 korrik e anuloi në mëngjes me 17 korrik. Një marrëveshje të shkëlqyeshme si ajo e 10 shtatorit na e kanë rezistuar plot 3 muaj. Megjithatë, nuk jemi pishman: jemi të bindur që më mirë që kemi qëndruar kështu pesë muaj sesa e gjithë kjo të kishte ndodhur qysh në qershor.