TIRANE- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të shohë mundësinë e bashkëpunimit me parti të Polit të Qendrës nëse sistemi zgjedhor nuk ndryshon. Kryetari Vangjel Dule thotë se po pret përfundimin e diskutimit të ligjit elektoral për të vendosur sesi do garojë partia e tij në zgjedhjet e ardhshme.

Ai saktëson se nuk ngurron të bashkëpunojë me partinë e pritshme të të larguarve nga PD, në kushtet kur dy partitë e mëdha po kërkojnë sipas tij të ruajnë të pakorrektuar sistemin aktual zgjedhor. "Janë zhvillime të cilat i presim me shumë interes. Nëse Poli i Qendrës do krijojë hapësira, të cilat do t'u shërbejnë interesave strategjike të vendit, që nuk janë të tjera veç ato integruese, me një ritëm të ri dhe me një motivim mbarëshoqëror, sigurisht që partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk mund të refuzonte kontributin e vet në këtë drejtim", u shpreh Dule.

Ndërkohë që deklaratën e tij e ka përkrahur dhe kreu i PDK, Ndoka i cili ka nënvizuar se "do të ishte shumë mirë bashkimi në një Pol të Qendrës të partisë së Topit, PDK dhe të PBDNJ të Dules". Ndërsa në lidhje me Spahiun ai tha se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse ata zbusin qëndrimet ndaj njëri tjetrit, bashkë me Dulen.
(sg/shqiptarja.com)