Deputeti i PD Genc Pollo, tha se prej 9 ditësh opozita ka paraqitur fakte për të shkuarën kriminale të Ndokës, ndërsa nënvizoi se sërish kryeministri Rama hesht. Pollo tha se as për dhunën ndaj deputetit Strazimiri nuk është marrë asnjë masë ndëshkuese, ndërsa shtoi se sipas tij kriminaliteti ka hyrë në Parlament.
“Nëntë ditë më parë, në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri u sulmua dhunshëm nga deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Gent Strazimiri mbajti një fjalim objektiv dhe të saktë për gjendjen e kriminalitetit dhe tha një të vërtetë të madhe që kriminelët kanë hyrë edhe në Kuvend me mandatin e deputetit. Z. Rama, Kryeministri, ishte i pranishëm me shenja, me dorë, dhe me sms në fillim donte të nxiste z Strazimiri që të thoshte emra dhe ta kthente në një sherr gjoja banal. Pastaj me frymëzimin e tij, deputeti Ndoka dhe të tjerë e ndoqën për ta goditur në koridorin e Kuvendit. Kaq dhe do të ishte shumë e rëndë. Por në ditët në vijim Partia Demokratik publikoi dokumenta për të kaluarën krminale të deputetit të Partisë Socialiste, Ndoka. Shfrytëzim prostitucioni, rrëmbim personi, dënim në Itali nga gjykatat e atij vendi dhe vuajtje dënimi në burgjet e Italisë dhe në burgjet e Shqipërisë.” tha Pollo
Sipas Pollos, çdo kryeministër në botë do të kishte reaguar, ndërsa i bëri thirrje Edi Ramës të lërë mënjanë promovimin e arritjeve të qeverisë, që sipas tij janë imagjinare.
“Çfarë duhet të bëjë një kryeministër në këto rrethana ?! Një kryeministër që thotë se Europën duhet ta ndërtojmë brenda nesh. Minimumi duhej të kishte reaguar që atë ditë dhe të dënonte aktin e dhunshëm dhe autorin e tij. Edi Rama u paraqit si solomonik. E dënojmë dhunën dhe nga e majta dhe nga e djathta, sikur nuk kishte ndodhur goditja para syve të tij. Por mbasi u publikuan të dhënat e dosjes penale, asnjë kryeministër në Europë, Amerikë Latine por edhe në Afrikë, nuk do të mund të kishte heshtur ashtu siç hesht prej gati një jave Edi Rama. Që shëtit lart e poshtë Shqipërisë për të shpallur suksese imagjinare, arritje virtuale, që egzistojnë ndoshta vetëm në mendjen e tij, apo në propagandën e ekipit të tij. Por nuk thotë asnjë fjalë. As ai dhe as njerëzit, ministrat dhe deputetët fjalëshumë që ai ka rreth vetes, për një incident që ka tronditur opinionin publik në dimensionet e tij dhe që ka tronditur komunitetin ndërkombëtar të interesuar për Shqipërinë.” u shpreh Pollo
Në përfundim të fjalës së tij, deputeti demokrat akuzoi kryeministrin se ka ardhur në pushtet përmes lidhjeve kriminale, ndërsa i bëri thirrje që të reagojë për të shkuarën kriminale të Ndokës.
“Prandaj, është koha të themi, ndoshta jo për herë të parë, por me forcë të re, të vërtetën që Edi Rama erdhi në pushtet duke bërë aleancë me këto segmente të shoqërisë, duke kapur vota me të fortët, banditët, të dënuarit, burgaxhinjtë, e një krahine apo një tjetre. Dhe sot nuk mund që ti shmanget përgjegjësisë si Kryeministër për të qënë i qartë para publikut në raport me ligjet e këtij vendi. Fatkeqësisht ai vazhdon të heshtë dhe ne e ftojmë edhe njëherë të prononcohet çfarë ka për të thënë. Qoftë edhe të thotë shumë mirë ia bëri, ta godiste edhe më shumë e madje ta vriste në vend, ose ta dënojë aktin ose të dënojë edhe deputetin, ose të thotë se çfarë ka ndërmend të bëjë nëse ka ndërmend. Të marrë masa ligjore apo edhe politike për të shkëputur elementët kriminalë sepse Arben Ndoka është vetëm një prej tyre. Mund të flasim për një duzinë po të shikojmë dosjet e botuara edhe nëpër gazeta të deputetëve të këtij lloji. Për të mos shkuar më pas tek drejtorët e përgjithshëm dhe ata rajonalë të cilët PD i ka denoncuar në vazhdimësi dhe janë persona me precedent penalë për drogë, grabitje, vjedhje, korrupsion, etj.” përfundoi Pollo
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)