PD akuza për gjendjen e spitaleve
MSH: 18 mln lekë për Bulqizën

PD akuza për gjendjen e spitaleve<br />MSH: 18 mln lekë për Bulqizën
Pas akuzave të deputetëve të PD-së mbi gjendjen e Spitalit të Bulqizës dhe Maternitetit të Pogradecit ka reaguar Ministri ae Shëndetësisë. Përmes një njoftimi për shtyp MSH thgotë se në spitalin e Bulqizës, po investohen 18 milionë lekë, ndërsa PD për 8 vjet investoi zero lekë.

“Spekulimi dhe kundërvënia e egër NUK NA NDALIN në rrugën e reformës që kemi ndërmarrë për shndërrimin rrënjësor të sistemit të kujdesit shëndetësor,“ thuhet në reagimin e Ministrisë e cila për gjendjen e mjerueshme të spitaleve bën përgjegjëse pikërisht PD-në.

“Materniteti i Pogradecit, apo Spitali i Bulqizës, dhe shumë prej spitaleve të tjera në vend janë në gjendje të mjerueshme tërësisht për faj të PD-së, ndërkohë që ne po ndërtojmë përditë, të vendosur në rrugën tonë për reformimin rrënjësor të shëndetësisë,” thotë MSH.

Por pavarësisht gjendjes së spitaleve, Ministria e Shëndetësisë thotë: Jemi në rrugën e duhur.

Deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë
Në përgjigje të deklaratës së Deputetëve të Partisë Demokratike, znj. Eleni Qirici, dhe z. Roland Keta, lidhur me gjendjen në Maternitetin e Pogradecit, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë opinionin publik se është e vertetë që gjendja e spitaleve sot në vend nuk është ajo që do të dëshironim të ishte, pavarësisht përpjekjeve, mundit dhe përkushtimit tonë, dhe se sigurisht, mbetet ende shumë për të bërë.

Situata mjerane që trashëguam nga keqmenaxhimi dhe keqqeverisja për 20 e kusur vjet me rradhë, nuk mund të zhbëhen sa hap e mbyll sytë në vetëm dy vjet.
Materniteti i Pogradecit, apo Spitali i Bulqizës, dhe shumë prej spitaleve të tjera në vend janë në gjendje të mjerueshme tërësisht për faj të PD-së, ndërkohë që ne po ndërtojmë përditë, të vendosur në rrugën tonë për reformimin rrënjësor të shëndetësisë.

Por, sigurisht, JEMI NË RRUGËN E DUHUR!

Për Spitalin e Bulqizës, sapo kemi filluar projektin e rikonstruksionit dhe mobilimit prej 18 milionë lekësh, përkundrejt ZERO lekë investimi nga qeverisja e vjetër e PD-së.
Ndërkohë, ajo çfarë kemi bërë në këto dy vjet e gjysëm për maternitetet, është lehtësisht e prekshme dhe e verifikueshme për këdo.
Në vitin 2014,
- Vendosëm 10 inkubatorë të rinj në dy maternitetet e Tiranës;
- Përfunduam rikonstruksionin SUOGJ "Koço Gliozheni" në vlerën 350 mijë USD;
- Vendosëm pajisje të reja në laboratorin e SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”;
- Vumë në funksionim kabinetin e ri të fertilizimit in-vitro në SUOGJ “Koço Gliozheni”.
Në vitin 2015,
- Vumë në funksionim ECHO-n e parë 4D (4-dimensionale) në Qendrën e Shëndetit të Gruas të SUOGJ "Mbretëresha Geraldinë";
Te ky institucion, u kryen gjithsej 250 mijë dollarë investime, përfshirë 6 inkubatorët e rinj në shërbimin e neonatologjisë, laboratorët, sallat e kirurgjisë obsetrike dhe reanimacionin, si dhe ECHO-n e re dhe kabinetin e imazherisë.
Ndërkohë, në vitin 2016,
- Eshtë në proces dhe do të përfundojë dhe vihet në shfrytëzim rikonstruksioni i maternitetit të Gjirokastrës për t’i shërbyer rreth 800 lindjeve në vit. Vlera e përgjithshme investimit (rikonstruksion dhe pajisje) është rreth 149 milionë lekë.  Në 2016 do të investohen rreth 49 milionë lekë;
- Vijon zbatimi i investimit për ndërtimin e maternitetit të ri, shtesë 2 kate dhe rikonstruksion i repartit kirurgji dhe patologji në spitalin e Sarandës me një vlerë totale prej rreth 229 milionë lekë.

Ndërkohë, në vetëm 2 vjet e gjysëm, kemi arritur që duke filluar nga ky vit, mjekun e familjes ta vëmë në dispozicion të njerëzve, pa pagesë. Pra, edhe shërbimi i mjekut të familjes është sot FALAS. Dhe padyshim, që duke ecur vendosmërisht deri në fund të këtij procesi, edhe shërbimi në spitale do të jetë FALAS.
Nëpërmjet chek-up-it po krijojmë një bazë të rëndësishme të dhënash dixhitale për gjendjen shëndetësore të gjithsecilit në grupmoshën 40-65 vjeç, dhe duke bërë këtë kontroll shëndetësor FALAS, ju kursejmë qytetarëve 51 mijë lekë.

Po ashtu, prej 1 Shkurtit, në shërbimin tonë Parësor, Ambulator dhe atë Spitalor, ka një ulje të ndjeshme nga 4-6, e deri në 10 herë të tarifave të ekzaminimeve shëndetësore, duke ofruar më tepër mundësi për të marrë një shërbim shumë më të lirë sot, edhe duke ecur vendosmërisht në rrugën e ndërtimit të një sistemi shëndetësor me Mbulim Universal, ku nuk ka rëndësi nëse je i varfër, apo je i pasur, nëse ke apo s’ke lekë, shërbimin shëndetësor e merr njësoj, me të njëjtin dinjitet.

Pra, JEMI QARTËSISHT NË RRUGËN E DUHUR!
Së fundi, Partia Demokratike dhe zëdhënësit e saj bëjnë shumë mirë që sjellin në vëmendje të opinionit publik problemet dhe sfidat me të cilat ndeshet shëndetësia shqiptare.

Por, do të ishte e udhës, gjithashtu, që bashkë me aktin e denoncimit, të merrnin përsipër përpara shqiptarëve edhe përgjegjësinë për gjendjen e mjeruar në të cilën i kanë lënë për 20 e kusur vjet spitalet e vendit, dhe posaçërisht, spitalin e Bulqizës dhe maternitetin e Pogradecit, ndërkohë që qeverisja e Partisë Demokratike investoi ZERO lekë për tetë vjet me rradhë në këtë institucion.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Të ardhurat nga doganat për korrikun 25 milionë euro më shumë se vjet, rritet konsumi produkteve të akcizës

Të ardhurat nga doganat për korrikun 25 milionë euro më shumë se vjet, rritet konsumi produkteve të akcizës