Partia Demokratike ka vijuar me akuzat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës  Erion Veliaj për betonizimin e zonës rreth liqenit Artificial tek Garda e Republikës.  

Denoncimin është bërë zëdhënësja Ina Zhupa sipas të cilës pranë Gardës së Republikës po ndërtohen pallate me lartësi mbi 9 kate, duke shpallur fituese të tenderit per zgjidhje urbanistike firmën e të afërmes së kryeministrit Edi Rama. 

Në deklaratën e bërë publike në rrjetet sociale, zëdhënësja Zhupa thotë se Partia Demokratike e ka paralajmëruar që në  vitin 2018 këtë projektin, i cili sipas saj po dëmton qytetarët e Tiranës.

"E kemi paralajmeruar dhe faktuar me dokumenta që në 2018, betonizimin e zonës së parkut te Liqenit, atje ku ndodhet Garda e Republikës, me preteksin që aty do transferohej Biblioteka Kombetare edhe Qëndra Kulturore për femijë për të hapur rrugën e ndërtimeve shumëkatëshe. Ateherë Veliaj e mohoi, edhe si në cdo rast tjetër thjesht mashtroi. Zona e propaganduar nga Veliaj se do i kthehej parkut të liqenit por nderkohë është planifikuar për shërbime, zyra, parkim, banim, ku kullat e klienteve të zakonshem do zaptojnë edhe këtë territor në hyrje të parkut. Ky plan i Veliajt dëmton akoma më shumë qytetarët e Tiranës, ku çdo cep po betonizohet edhe hapësira e vetme e gjelbër si parku po kafshohet me kulla nga te gjitha anët e saj", ka denoncuar Zhupa.