“Qerim Aliaj, drejtor i Kufirit në Shkodër. I implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike përmes kalimit në Malin e Zi. Më parë, kur ishte drejtor kufiri në Gjirokastër organizonte kalimin e drogës në Greqi. Në tre raste të kapjes së sasive të mëdha të kanabisit në vendin fqinj, Aliaj ka mbyllur çështjen duke mos kryer asnjë verim hetimor”, ka deklaruar Alibeaj.
Sipas tij, një tjetër emër është ai i Gëzim Zhupës, drejtor i Kufirit në Vlorë, “lidhje e ngushtë e ministrit Tahiri dhe hallkë kyçe në kalimin e tonelatave me drogë në Itali me peshkarexha”.
“Sokol Çelaj, drejtor rajonal i Kufirit në Vlorë, i përjashtuar nga policia në vitin 2002. Me rikthimin në vitin 2013 në polici, konkretisht në Vlorë, është drejtuesi kryesor për trafikimin e lëndëve narkotike të forta kokainë dhe heroinë në bashkëpunim me Albert Patën, ish-drejtor i Njësisë Operacionale”, ka bërë me dije Alibeaj.
Ai ka theksuar se këto janë informacione të konfirmuara nga autoritetet partnere. “Albert Pata, me Edi Ramën u emërua drejtor i Forcës së Posaçme Operacionale. Informacionet e shërbimeve partnere e nxjerrin të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nga Lazarati në drejtim të Italisë dhe Greqisë”, ka vijuar Alibeaj.
Një tjetër emër i përmendur prej tij ka qenë ai i Artion Dukës, drejtor i Forcës së Posacme Operacionale, i cili sipas PD është i lidhur drejtpërdrejtë me Emiljano Shullazin dhe ka manipuluar provat në ngjarjet kriminale të Kasharit dhe në rrugën e Kavajës, në Tiranë, pak vite më parë.
Mes emrave të tjerë të përmendur nga eksponenti i partisë më të madhe opozitare figurojnë: Ermal Muça, zv/drejtor i Policisë së Tiranës; Arben Skëndo, drejtor i përgjithshëm i SHÇBA-së; Taulant Kondi, zv/drejtor i përgjithshëm i Antikontrabandës; Genc Merepeza, zv/drejtor i përgjithshëm për Kufirin dhe Emigracionin; Zija Çela, shef komisariati në Korçë.
“Ky është realiteti i drogës, i këtij biznesi qindra milionë eurosh që po pasuron një grusht njerëzish rreth Edi Ramës, dhe po mbyt ekonominë e ndershme, po shfrytëzon çdo aset të vendit, po shfrytëzon mjerimin e varfërinë e të papunëve dhe po sjell krime, vrasje e hasmëri në shoqërinë tonë”, ka shtuar Alibeaj.
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com