Marketingu ka pësuar ndryshime të mëdha vitet e fundit, veçanërisht me zhvillimin e rrjeteve sociale dhe inteligjencës artificiale. Kjo ishte tema e diskutuar në emisionin “Studio Live”, ku të ftuar ishin agjenti i marketingut Arbër Dervishaj dhe ekspertja e marketingut Adela Kallanxhi.
I njohur për mënyrën e tij kreative dhe ndryshe të krijimit të përmbajtjes në rrjetet sociale, Arbër Dervishaj shpjegoi se përshtatja me marketingun digjital ka ardhur si rezultat i studimit të vazhdueshëm të rrjeteve sociale dhe algoritmeve.
Sipas tij, sfida kryesore e një krijuesi përmbajtjeje është të tërheqë vëmendjen e publikut dhe më pas ta shndërrojë atë vëmendje në interes për produktin apo shërbimin që reklamohet.
“E gjitha erdhi si pasojë e studimit të rrjeteve sociale dhe algoritmit. Nëse nje video është interesante ka shikueshmëri ajo përhapet si një virus. Në fillim një content creator vret mendjen si ta bëj një video virale, më pas një reklamë virale në mënyrë organike dhe del përfundimi se në fillim duhet të tërheqësh vëmendjen sepse ne duhet të reklajmojmë një produkt të caktuar, një përqindje shumë e vogël janë të interesuar për produktin, por ne duhet të bëjmë që ta shikojnë të gjithë që ata që kanë interes të kontaktojnë që të rriten shitjet. Kjo është baza dhe sekreti.”
Nga ana tjetër, ekspertja e marketingut Adela Kallanxhi theksoi ndryshimet që kanë sjellë jo vetëm algoritmet e rrjeteve sociale, por edhe motorët e kërkimit të bazuar në inteligjencën artificiale.
“ Ndryshimet janë nga më të mëdhatë, përveçëse algoritmit në rrjetet sociale, ne shikojmë nga statistikat që kemi nga bizneset që një numër shumë I madh jo vetëm vizitash por edhe konvertimi më pas në shitje vjen edhe nga motorët e kërkimit të IA. Marketingu është eksperiment që ti ekperimenton derisa ti të gjesh atë ekperiment që funksionon”
Duke folur për mënyrën kreative të realizimit të përmbajtjes, Dervishaj solli si shembull një video ku ai shfaqej duke dalë nga dheu. Sipas tij, për të tërhequr vëmendjen në një treg ku përmbajtja është gjithnjë e më e shumtë, duhet të guxosh të bësh diçka ndryshe, por pa kaluar kufijtë.
“Mos shkel në vijat e kuqe. Cilat janë vijat e kuqe, mos I bjer njeriu në qafë, mos ofendo njeri, mos u fut në cënim privatësie. “
Ndërkohë, Kallanxhi theksoi se ndryshimi është reflektuar edhe në buxhetet që bizneset i dedikojnë marketingut.
“Buxheti po zhvendoset dalëngadalë, tek content creator, në krijim e një përmbajtjeje më cilësore dhe më të sofistikuar për rrjetet sociale. Nëse më parë mjaftoheshin me disa postim e të krijuara në photoshop tashmë kanë avancuar në, shpenzojnë edhe disa mijëra euro për të realizuar edhe shooting.”
Për Dervishajn, çelësi i një fushate të suksesshme qëndron te mënyra se si ndërtohet përmbajtja. Ai tha se ka zgjedhur një metodë të tijën, ku fillimisht synon të tërheqë vëmendjen, më pas të japë kontekstin e reklamës dhe, në fund, ta rikthejë sërish vëmendjen e audiencës.
“Unë kam zgjedhur një mënyrë timen… Arkitektura është tërheq vëmendjen, më pas jep konteksit e reklamës, pastaj kur bie vëmendja ti tërhiq sërish vëmendjen.”








Komente
Komento