TIRANË, 11 Nëntor/ATSH/ - Deputeti i PD-se, Ridvan Bode, ka theksuar sot se buxheti i qeverise për vitin 2015, do të thotë më shumë taksa, nderkohe qe rritja progresive e taksave varfëron në mënyrë progresive shqiptarët.
"Projektbuxheti i sjellë në Kuvend nga qeveria dhe që po debatohet aktualisht në fushën e të ardhurave për mënyrën se si mendon t'i realizojë ato për vitin 2015, karaktrerizohet nga një  rritje progresive e taksave që çon në varfërimin progresivisht të qytetarëve dhe thellon rënien e mëtejshme të ekonomisë. Këto janë tipare lehtësisht të lexueshme në këtë buxhet",  tha Bode.
Bode shpjegon se "pas rritjes me 50% të taksës mbi korporatat vitin e kaluar, në projektbuxhetin e vitit 2015 rritet edhe tatimi  mbi dividentin nga 10-15%, ose me një efekt rritje prej 10 milion dollarë. Rriten taksat mbi depozitat, nga 10 ne 15%, që ka një efekt prej 12 milionë dollarë.  Rritet taksa mbi qeratë, nga 10 ne 15% duke synuar që prej kësaj takse, në buxhetin e shtetit të arkëtohen edhe 10 milionë dollarë shtesë. Po ashtu, rritet taksa mbi çdo të ardhur tjetër nga 10 në 15%. Vetëm prej kësaj takse qeveria synon të marrë 28 milionë dollarë. Nëse i shohim, të gjitha taskat mbi të ardhurat, taksat mbi korporatat, taksat mbi biznesin rriten në nivelin 15%. Një masë e tillë e bën vendin tonë vendin me taksat më të larta, duke humbur çdo avantazh konkurues me vendet e tjera të rajonit, të cilat vijojnë që këtë nivel taksash ta kenë në masën 9-10-11%", tha Bode. /i.v//a.ke/