Krahas kësaj, deputeti i PD-së nuk la pa akuzuar as huan e marrë nga qeveria për shlyerjen e borxheve ndaj bizneseve, rimbursimin e TVSH-së si edhe pagesën e ndihmës sociale për shtresat në nevojë. “Qeveria rriti nivelin e huamarrjes me njësërë pretendimesh ku u përqëndrua në 3 çështje. Çështja e parë kishte të bënte me pagimin e faturave të investimeve të prapambetura.
Janë likuiduar dhe paguar fatura për investime publike vetëm në vlerën 13 miliardë lekë, ndërkohë që në vitin 2012 për të njëjtën periudhë janë paguar 21 miliardë lekë dhe do të thotë 80 milionë dollarë më shumë. Çështja e dytë, ishte rimbursimi i detyrimeve që ka ndaj biznesit. Ky grafik tregon ecurinë përgjatë vitit 2013 të shlyerjes së detyrimeve ndaj biznesit dhe respektivisht Tatimit të Vlerës së Shtuar. Dhe siç e shihni, ka një konsolidim përgjatë këtij viti me rreth 800 milionë lekë ose 8 milionë dollarë në muaj rimbursim, kurse në 3 muajt e fundit të qeverisë siç e shikoni edhe në grafik, ka zbritur në nivelet më të fundit.
Dhe të 3 muajt së bashku nuk bëjnë as sa shuma e një muaji të vetëm të rimbursuar ndaj kompanive. Dhe nga ky marifet qeveria i ka mbajtur biznesit për periudhën e fundit me të njëjtat ritme si më parë po të vitit 2013 rreth 1.7 miliardë lekë të pa-likuiduara, ose 17 milionë dollarë. Çështja e tretë me të cilën qeveria kërkoi të justifikoi rritjen e borxhit, ishte shlyerja e detyrimeve ndaj pagesave për ndihmën ekonomike.
Pagimi i kësaj kategorie që është më e ekspozuar ndaj krizës dhe reformave, është shumë më i ulët krahasuar me vitin 2012 në të njëjtën periudhë. Pra nga 4.8 miliardë që janë shlyer në vitin 2012 për këtë kategori përfituesish, ajo ka zbritur në 4.4 miliardë lekë”,- theksoi deputeti i PD-së, Ridvan Bode, njëkohësisht edhe ish-ministër i financave. Pjesë e akuzave nga ana e demokratëve ishte edhe çështja e të ardhurave të shtetit përgjatë muajit janar të këtij vitit. Sipas Bodes, ato janë ulur në krahasim me një vit me rreth 1.8%. “Për të vërtetuar këtë, shikoni të ardhurat e muajit janar të cilat janë publikuar dje.
Ato janë më të ulëta në krahasim me një vit më parë me rreth 1.8 %. Qeveria, edhe pse në vitin 2014 ka programuar një rritje të të ardhurave në buxhet me rreth 18 %, në muajin janar ka programuar të ardhura më të ulëta nga fakti i vitit 2013 me po 2 %, dhe siç e shikoni, fundi i muajit janar, “sukseset” që shet qeveria me figurantët që nxjerr për tejkalim të të ardhurave, të dhënat flasin për një performancë më të dobët në krahasim me janarin e një viti më parë 2013. Kjo do të thellojë gropën e mosrealizimit të të ardhurave dhe vështirësitë financiare të buxhetit në muajt që do të vijnë”, tha Bode.
Lajmi u perditesua
Redaksia online
(ak/ac/shqiptarja.com)