Vendimi i Partisë Demokratike për të bojkotuar votimin për amnistinë penale erdhi për shkak të “pabesisë” së mëparshme të qeverisë. Kështu u shpreh drejtuesi i PD, Sali Berisha, gjatë një komunikimi me gazetarët ku tha se nuk janë dakord me një proces të përvitshëm.
Sipas tij, përmes amnistisë, qeveria Rama futi në amnisti njerëz të dënuar për korrupsion.
“Nuk jemi kurrë dakord me një proces të përvitshëm. Ata sollën amendamentin, me të cilin donin të ndërprisnin proceset gjyqësore, gjë që kishte të qartë Ballukun. Ne atë nuk e pranojmë kurrë. Specialistët tanë konstatuan që ligji që kanë hartuar i detyron shumicën e atyre që gjoja përfitojnë të kalojnë nga Gjykata e Apelit, kjo për qëllime shumë të mbrapshta, e shndërron në një proces gjobash universale. Kjo ishte arsyeja, ne kemi votuar njëherë me ta; ata, në pabesi, morën dhe futën njerëz të dënuar për korrupsion dhe ndaj ne vendosëm të mos votojmë. Edi Rama ka votuar në favor të krimit. Ta heqim drejtësinë fare, ta mbajmë me këshilla popullore. Po ky nuk është shtet”, tha Berisha.
I pyetur edhe për marshimin e protestuesve një ditë më parë, i cili bëri një ndalesë edhe para selisë blu ku njerëz pranë PD u përplasën me tubuesit për shkak të thirrjeve “Berisha në burg”, kreu i PD e minimizoi në një “provokacion” të vogël.
“Ishte një akt, një provokacion i vogël, por ne u themi demokratëve se gjethet dhe degëzat nuk duhet të na pengojnë të shohim trungun madhështor të kësaj proteste. Thirrjet përpjekjet për të krahasuar Ramën me Berishën lidhen me opozitën e opozitës, vegël e qeverisë”, u shpreh Berisha.
Thirrjen e fundit e shfrytëzoi për të nxitur demokratët të marrin pjesë masivisht në protestë dhe të qëndrojnë si opozitë e pamposhtur, pavarësisht kundërshtimeve të përsëritura nga protestuesit që figurat dhe partitë politike të mos përfshihen.
Komente







