
Opozita nuk do të marrë pjesë në Këshillin Kombëtar të Integrimit. Deputeti Tritan Shehu tha se pr.ligji për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Europian dëmton procesin e integrimit. Ai tha se ky pr.ligj është dorëzuar në mënyrë të njëanshme, ndërsa akuzoi mazhorancën se po eliminon opozitën nga ky proces.
“Kjo mazhorancë kërkon të kontrollojë edhe këshillin e integrimit, ky ligj ul rolin e Kuvendit në procesi e integrimit, ashtu sikurse dëmton procesin e integrimit. Procesi i integrimit bazohet në balancat mazhorancë opozitë, ligji ekzistues që kemi i ka këto balanca, duke pasur një konsensus, mazhorancë-opozitë. Ky ligj sillet në mënyrë të njëanshme, duke prish konsensusin që kishte ligji i parë. Duke e bërë në këtë mënyrë, ngre dy probleme, njëanshmërinë e tij dhe dëmton rëndë procesin e pjesëmarrjes së opozitës në procesin e integrimit. Në vende të tilla si Shqipëria të gjitha rekomandimet e be janë që të ruajmë balancat, duke i dhënë rolin drejtues në këshill opozitës. Ju keni lëvizur në mënyrë tinëzare për të dëmtuar dhe shkatërruar rolin e opozitës në procesin e integrimit. Ju eliminoni komisionin e integrimit, që drejtohej nga opozita, e bashkuat me komisionin e politikës së jashtme, tani doni t’ia hiqni edhe rolin këtij komisioni. Me çfarë logjike mund të kemi të tilla vendime arbitrare në një moment delikat për procesin e integrimit, që shkon kundër direktivave të be që kërkon pjesëmarrjen e opozitës. PD ka vendosur të mos marrë pjesë në këshillin e integrimit, do ketë kosto të rëndë politike,. Ne aspirojmë integrimin, por bazohet në disa parime, principe. U bëj thirrje kolegë të mazhorancës të mos e votojmë këtë ligj, ta ripunojmë sërish me konsensus dhe ta sjellim të plotë”, tha Shehu.
Lajmi kryesor:
Seanca maratonë në Kuvend/ Miratohen ndryshimet në Këshillin e Integrimit, bashkëdrejtim PD-PS, opozita shpall bojkotin: Doni të na hiqni rolin











