TIRANË- Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend raportin e 5 anëtarëve të opozitës në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit duke kërkuar heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun, për të cilën SPAK kërkon arrestin. “Jemi pro kërkesës së SPAK dhe pro drejtësisë”, tha kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi në një konferencë për mediat, duke renditur të gjithë arsyet përse demokratët e mbështesin kërkesën e SPAK.
Ligjvënësi i Partisë Demokratike u shpreh se SPAK ka depozituar në Kuvend gjithsej 80 prova për arrestimin e Ballukut, duke shtuar se sipas prokurorisë, ajo ka paracaktuar garën për 11 procedura publike, rrezikon 35 vite burg dhe se ka kërcënuar dëshmitarët përmes vartësve të saj dhe personave të “fortë”.
“Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish Zëvendëskryeministria Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro. Sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj.
Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria", tha Bardhi.
Ndonëse Belinda Balluku është shkarkuar nga detyra e saj si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, Bardhi tha se ajo ende rrezikon të prishë provat përmes të besuarve të saj në qeveri dhe administratë, duke përmendur edhe ministrin e ri të propozuar nga Edi Rama për drejtimin e ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi.
“Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputetja Belinda Balluku. Pozicioni i saj si deputet i mazhorancës, ish-Zëvendëskryeministër dhe ish-ministër; lidhja e ngushtë me një numër të konsiderueshëm të ministrave aktual në detyrë apo funksionarë të lartë të administratës publike (drejtorë të përgjithshëm të promovuar në detyra prej saj), është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së saj për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal”, tha Bardhi.
Në rast se Kuvendi refuzon t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut, për Bardhin kjo do të ishte një ndërhyrje në kompetencat e pushtetit gjyqësor.
“Nëse Kuvendi do të vlerësonte që një masë e caktuar sigurimi është më e përshtatshme sesa një tjetër, apo një masë e caktuar sigurimi është e mjaftueshme, kjo do të përbënte ndërhyrje në kompetencat e pushtetit gjyqësor dhe për pasojë ndërhyrje e drejtpërdrejtë, në mënyrë antikushtetuese, në hetimin penal. Në rastin në shqyrtim Kuvendi nuk është ftuar për të caktuar një masë sigurimi, sepse nuk është kompetencë e tij caktimi i masës së sigurimit. Kuvendit i është kërkuar autorizim nga Prokuroria, që ajo të ketë mundësi t’i drejtohet gjykatës për caktimin e masës së sigurimit”, tha Bardhi.
Mazhoranca ende nuk ka paraqitur raportin e saj, por Kryeministri Edi Rama është shprehur në Asamblenë e PS se shkarkimi i Ballukut nga detyra e bën të pavlefshme kërkesën e SPAK. Dy raportet, ai i opozitës dhe mazhorancës, pritet të kalojnë për votim në seancën plenare të 12 marsit. Bardhi tha për Report Tv se opozita do të thërrasë protestë ditën që Kuvendi do të shqyrtojë kërkesën dhe paralajmëroi përshkallëzim nëse Kuvendi refuzon t’i heqë imunitetin Ballukut.
"Dua sot të njoftoj që ditën kur Kuvendi do të shqyrtojë mandatin e Ballukut, PD do të thërrasë në protestë qytetarët përpara parlamentit. Nëse shkon skenari i refuzimit, dhe shndërrimin e Kuvendit në bunker qytetarët do ta trajtojnë kuvendin si bunker ku janë strehuar të korruptuarit dhe do duhet të shembet", tha Bardhi.
Socialistët ende nuk e kanë dhënë vendimin e tyre. Edhe vetë Kryeministri Rama e përsëriti dje qëndrimin se do të fliste vetëm pasi socialistët e Këshillit të Mandateve ta bënin gati raportin paralel të tyre.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Gazment Bardhi në përgjigje të pyetjes së gazetares së Report Tv Danjela Maloku, paralajmëroi protestë përpara Parlamentit ditën kur ligjvënësit do të shqyrtojnë heqjen ose jo të imunitetit të deputetit për Belinda Ballukut.
Bardhi tha se në rast se Kuvendi do të votojë kundër kërkesës së SPAK për arrestimin, protestuesit do e konsiderojnë Kuvendin një bunker i të korruptuarve që duhet shembur.
“Ky do të ishte momenti më i rënë në 35 vite demokraci që vë në pikëpyetje ekzistencën e një shteti ligjor në vend. Dua sot të njoftoj që ditën kur Kuvendi do të shqyrtojë mandatin e Ballukut, PD do të thërrasë në protestë qytetarët përpara parlamentit. Nëse shkon skenari i refuzimit, dhe shndërrimin e Kuvendit në bunker qytetarët do ta trajtojnë kuvendin si bunker ku janë strehuar të korruptuarit dhe do duhet të shembet. Ditën kur kuvendi shqyrton kërkesën për Ballukun, qytetarët janë të ftuar në protestë përpara selis së Kuvendit”, tha Bardhi.
Bardhi tha gjithashtu se shkarkimi i Belinda Ballukut ishte e vetmja rrugë për Edi Ramën, i cili sipas Bardhit nuk po mbron vetëm Ballukun, por dhe veten e tij.
“Shkarkimi i Ballukut është rrjedhojë i betejës s humbur personale të Ramës me Gjykatën Kushtetuese. Përreth 2 muaj e ca Rama tentoi të ishte zyrë avokatie e Ballukut pasi dështoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk kishte mbetur rrugë tjetër përveç shkarkimit. Deklarime të tilla politike janë sinjal për drejtësinë dhe konfirmojnë atë që kemi thënë, Rama nuk po mbron thjeshtë Ballukun, por veten e tij se është pjesë e dosjes, është dhe peng i Ballukut, nëse ajo do të bashkëpunonte me drejtësinë, pas Belindës me burg do të shkonte dhe Rama”, tha Bardhi.
5 anëtarët e opozitës të Këshillit të Imunitetit dhe të Mandateve, rekomandojnë deputetët e parlamentit të votojnë pro kërkesës së SPAK, për heqjen e imunitetit të deputetit Belinda Ballukut dhe hapjen rrugë të arrestimit të saj. Duke iu referuar standardeve të Komisionit të Venecias, në deklaratë thuhet se Kuvendi nuk mund të bëjë shqyrtim ligjor të çështjes, referuar argumenteve të palës tjetër se ‘masat e marra deri më tani për Ballukun janë të mjaftueshme’, në të kundërt do të kishim ndërhyrje në kompetencat e gjyqësorit.
“Në përfundim të shqyrtimit nga Këshilli, përfundimisht, 5 anëtarët e Këshillit, përfaqësues të pakicës parlamentare, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës, neneve 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit; si dhe nga analiza e fakteve dhe rrethanave të cështjes, rekomandojnë deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë TË VOTOJNË PRO, për miratimin e kërkesës nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:
-“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e "Ndalimit të daljes jashtë shtetit" e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe "Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik", e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për deputeten Belinda BALLUKU”, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.
Në këtë kuptim, Komisioni i Venecias ka mbajtur qëndrimin dhe ka krijuar standardin, sipas të cilit duhet të ekzistojë një prezumim themelor që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat ndaj deputetit përkatës janë të motivuara politikisht dhe se paprekshmëria e tij duhet të zbatohet vetëm në rastet kur ka arsye për të dyshuar se në vendimin për ndjekjen penalisht të deputetit ka element partiako-politik.
Në këtë terren kushtetues, në rastin konkret, është detyrë e Kuvendit të verifikojë vetëm nëse ekzistojnë të gjitha kushtet për dhënien e autorizimit, që kërkohet nga prokuroria për arrestimin e deputetit. Kuvendi, në cilësinë e pushtetit legjislativ, në këtë lloj procedure ka vetëm një detyrë: të sigurojë që deputeti në procedurë të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partik për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare.
Ne deputetët e pakicës parlamentare në Këshill, mbajmë në konsideratë edhe standardin e vendosur nga Komisioni i Venecias, sipas të cilit: “organi parlamentar që shqyrton një kërkesë për heqjen e imunitetit nuk duhet të bëjë një shqyrtim ligjor të çështjes. Vendimi duhet të bazohet mbi faktet dhe meritat e çështjes siç i parashtrojnë autoritetet dhe deputeti në fjalë dhe jo mbi konsiderata të tjera politike apo të jashtme.”. Në përputhje me këtë standard, Kuvendi nuk ka kompetencë për të vlerësuar meritën e çështjes për caktimin e masës së sigurimit, llojit të saj apo kushteve për secilën masë, por ka rol vetëm në verifikimin e ekzistencës formale të përmbushjes së këtyre kushteve. Në të kundërtën ai do të bënte shqyrtim ligjor të çështjes, jashtë kompetencës së tij kushtetuese dhe në shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit midis pushteteve.
Kuvendi, duke mos qenë organ kompetent sipas Kushtetutës përgjegjës për hetimin penal, nuk mund të çmojë meritën se cila është masa e përshtatshme e sigurimit për të mbrojtur hetimet, apo të veprimeve konkrete që duhet të ndërmarrë prokuroria që hetimi të jetë i plotë dhe i pacenuar. Kjo është një kompetencë ekskluzive e pushtetit gjyqësor. Nëse Kuvendi do të vlerësonte që një masë e caktuar sigurimi është më e përshtatshme sesa një tjetër, apo një masë e caktuar sigurimi është e mjaftueshme, kjo do të përbënte ndërhyrje në kompetencat e pushtetin gjyqësor dhe për pasojë ndërhyrje e drejtpërdrejtë, në mënyrë antikushtetuese, në hetimin penal”, tha ndër të tjera Bardhi.
PD ka prezantuar 6 pikat përfundimtare të raportit të opozitës, përmes së cilit kërkojnë heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun.
Më poshtë 6 pikat e prezantuara nga PD
1. Provohet se ekziston një procedim penal i ligjshëm dhe se në rastin konkret jemi përpara prezumimit bazik që imuniteti duhet të hiqet sepse nuk ka asnjë pretendim apo arsye të besohet se akuzat kundër deputetes Balluku janë të motivuara politikisht. Madje edhe vetë ajo, përmes avokatëve të saj, e konfirmon një fakt të tillë.
2. Provohet “dyshimi i arsyeshëm” i bazuar në prova. Prokuroria tregon në mënyrë të qartë se ekziston dyshimi i arsyeshme dhe ai bazohen në një set provash që janë depozituar bashkëlidhur kërkesës dhe relacionit shoqërues, gjithsej 80 prova, të ndara në 12 volume.
3. Provohet rreziku për procedimin penal. Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputetja Belinda Balluku. Pozicioni i saj si deputet i mazhorancës, ish-Zëvendëskryeministër dhe ish-ministër; lidhja e ngushtë me një numër të konsiderueshëm të ministrave aktual në detyrë apo funksionarë të lartë të administratës pubike (drejtorë të përgjithshëm të promovuar në detyra prej saj), është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së saj për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal.
Për më tepër, gjatë mbledhjes së Këshillit të datës 23.02.2026, prokurorët sqaruan më tej këtë rrezik, duke theksuar dhe paraqitur provat përkatëse se deputetja Belinda Balluku është përpjekur të ushtrojë presion mbi dëshmitarët, përmes dy formave: (1) Përmes “të fortëve”, për të cilët prokuroria deklaroi se po verifikohet nëse janë të përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar, verifikim që mbulohet nga sekreti hetimor; (2) përmes zyrtarëve publikë, pjesë e kabinetit të ministres, të cilët, ose kanë shantazhuar për shkarkime nga puna ndaj familjarëve, ose kanë ofruar para në këmbim të ndryshimit të dëshmive dhe avokatit.
4. Provohet nevoja e kryerjes së veprimit nga ana e prokurorisë, në kuadër të përshtatshmërisë së masës së kërkuar. Prokuroria, në kërkesën e saj dhe në përgjigjet e dhëna përpara Këshillit, tregoi qartë se cdo masë tjetër, vec asaj të arrestit, është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprës penale për të cilat po procedohet dhe për shkak të personalitetit kriminal të deputetes Belinda Balluku. Në këtë drejtim, duhet të evidentohet se rasti konkret paraqet rrezikshmëri të shtuar, për shkak të përsëritjes në vazhdimësi të të njëjtës vepër penale, duke dëmtuar drejtpërdrejt imazhin e institucioneve shqiptare në sytë e opinionit publik, por edhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, nevojat e sigurimit janë rënduar për personin nën hetim dhe të pandehurën Belinda Balluku. Është fakt që prokuroria nuk ka kërkuar masë sigurimi në momentin që deputeti Belinda Balluku është marrë i pandehur për një fakt penal – Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë. Më pas, ka lindur nevoja për caktimin e masës së sigurimit, sepse ajo ka marrë cilësinë e personit nën hetim për një tjetër fakt penal – Ndërtimi i Lotit të 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, ku prokuroria dhe gjykata, në respekt të parimit të përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit të masave të sigurimit personal, kanë kërkuar dhe caktuar një masë të lehtë të sigurimit personal, atë të “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe të masës ndaluese të “Pezullimit të ushtrimit të një funksioni a shërbimi publik”, e cila ka mbetur e pazbatueshme për shkak të shkarkimit të saj nga detyra. Më pas, në ngarkim të deputetit Belinda Balluku janë atribuuar edhe 6 fakte të reja penale dhe indicie të mjaftueshme për 3 fakte të tjera penale, dhe kjo ka diktuar nevojën e prokurorisë për të kërkuar autorizimin nga Kuvendi i Shqipërisë për të lejuar paraqitjen në gjykatë të kërkesës për caktimin e masës “arrest në burg” apo “arret në shtëpi”. Për më tepër, mos kryerja e veprimit mund t’i japë mundësi të pandehurës që të dëmtojë hetimet dhe të pengojë drejtësinë. Është kompetencë e prokurorisë dhe gjykatës që më pas të vlerësojnë në mënyrë periodike vijimin ose jo të nevojave që diktojnë kryerjen e një veprimi të caktuar në mbrojtje të hetimeve.
5. Provohet përmbushja e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për heqjen e imunitetin. Deputeti Belinda Balluku, përmes avokatëve të saj, nuk ngriti asnjë pretendim se ndodhemi përpara ndonjë prej kritereve që ka përcaktuar Komisioni i Venecias për mbajtjen e imunitetit dhe konkretisht: kur pretendimet janë qartazi dhe haptazi të pabazuara; kur shkelja e pretenduar është një pasojë e paparashikuar e një veprimi politik; kur pretendimet janë paraqitur qartësisht për motive politiko-partiake (fumus persecutionis) me qëllim shqetësimin ose intimidimin e deputetit ose ndikimin tek mandati i tij; kur procedurat ligjore mund të rrezikojnë seriozisht funksionet demokratike të parlamentit ose të drejtat themelore të një deputeti ose grup deputetësh.
Në mungesë të këtij pretendimi, Kuvendi nuk mund të dalë jashtë vlerësimit të këtyre kritereve dhe është i detyruar të votojë pro heqjes së imunitetit, për shkak se provohet që përmbushen kriteret e Komisionit të Venecias për heqjen e imunitetit si më poshtë:
(i) Heqja e imunitetit të deputetit, nuk e vë në rrezik serioz funksionin demokratik të parlamentit;
(ii) kërkesa për dhënie autorizimi (heqje imuniteti) është përshkruar në aktet e Prokurorisë se bazohet në shkaqe të drejta, të rëndësishme dhe të sinqerta;
(iii) Shkelja e pretenduar nga ana e prokurorisë (akuzat) është veçanërisht e rëndë, për shkak se ajo është e përsëritur në 11 fakte penale, me një dëm të konsiderueshëm financiar dhe për një fond publik me vlerë jashtëzakonisht të lartë – 1.1 miliard euro;
(iv) Shkelja që i atribuohet deputetit e për të cilat kërkohet heqja e imunitetit, nuk është pasojë e veprimtarisë së tij si parlamentare;
(v) Dhënia e autorizimit (heqja e imunitetit) është një barrierë e vërtetë, e cila nëse nuk realizohet, atëherë verifikohet një pengim real i drejtësisë;
(vi) Mosdhënia e autorizimit, është një akt i cili kompromenton tërësisht autoritetin dhe legjitimitetin e Parlamentit në sytë e publikut dhe në marëdhëniet institucionale me organet e tjera, për shkak se shkelet pa asnjë motiv ligjor parimi kushtetutes i barazisë përpara ligjit dhe parimi i ndarjes e balancimit mes pushteteve.
6. Provohet përmbushja e të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore të caktimit të masave të sigurisë, të parashikuara nga nenet 228, 229, 230 dhe 260 të Kodit të Pocedurës Penale. Konkretisht:
i. Deputeti Belinda Balluku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit të parashikuara në pikën 1, të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “1. Askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova.”. Dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale në të paktën 11 fakte penale ekziston dhe ai është i bazuar në prova (80 prova) që prokuroria i ka paraqitur në mënyrë shteruese në Kuvend.
ii. Deputeti Belinda Balluku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit të parashikuara në pikën 2, të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “2. Asnjë masë nuk mund të zbatohet kur ka shkaqe padënueshmërie të shuarjes së veprës penale ose dënimit.”. Në rastin konkret nuk ka shkaqe padënueshmërie dhe të shurjes së veprës penale apo të dënimit sipas legjislacionit në fuqi.
iii. Deputeti Belinda Balluku përmbush të gjitha kushtet për caktimin e masve të sigurimit penal, të parashikuara në pikën 3, të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale sepse: a) prokuroria provoi se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, bazuar në rrethana fakti; b) ekziston rreziku që ajo të largohet, për shkak se rrezikon një dënim të rëndë për një krim të rëndë; c) për shkak të rrethanave të faktit (përsëritjes së krimit) dhe personalitetit të të pandehurit (dyshohet për kryerjen e veprave penale në 11 raste) ka rrezik që ajo të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet (tentativa për pengimin e drejtësisë përmes intimidimit të dëshmitarëve tashmë ka ndodhur dhe po hetohet nga prokuroria).
iv. Në kërkesën për autorizim prokuroria ka argumentuar se në kërkesat e saj për caktimin e masave të sigurimit ka mbajtur parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret, duke përmbushur kështu kushtin e përcaktuar në pikën 1, të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penale. Është fakt që prokuroria dhe gjykata kanë respektuar deri më tani parimin e përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit të masave të sigurimit perosnal. Në këtë mënyrë, Prokuroria përmes veprimeve konkrete të përshkallëzuara, ka respektuar kërkesat e pikës 2 të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penal, sipas të cilës “2. Çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe me sanksionin që parashikohet për veprën penale konkrete. Mbahen parasysh edhe vazhdimësia, përsëritja, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parashikuara nga Kodi Penal.”. Kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit” me ato të “Arrestit në burg” apo “Arrestit në shtëpi”, ka ndodhur kur rëndësia e faktit penal është rritur (nga 2 fakte penale, tashmë është nën hetim për 11 fakte penale – nga të cilat për një ka statusin e të pandehurit, 7 ka statusin e personit nën hetim, ndërsa për 3 të tjera ende nuk ka një status të konfirmuar procedural, por veprimet/mosveprimet janë në proces hetimi paraprak); sanksioni për dënimin e mundshëm ka shkuar potencialisht nga maksimumi në 10 vjet, në maksimumi në 35 vjet; është vërtetuar vazhdimësia dhe përsëritja, si dhe ekzistenca e rrethanave rënduese të parashikuara nga Kodi Penal (veprat penale dyshohen se janë kryer në bashkëpunim).
v. Është mbajtur në konsideratë kushti i parashikuar në pikën 1, të nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “1. Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit.”. Është fakt që prokuroria ka vepruar në mënyrë të përshkallëzuar. Kur nevojat e sigurimit e kanë mundësuar dhe është vlerësuar e përshtatshme caktimi i një masë më të lehtë të sigurimit, kur kemi qenë përpara 2 fakteve penale, nga ana e prokurorisë nuk është kërkuar masa e sigurimit “Arrest me burg”, por ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit”. Në këtë moment të hetimit, ku pozita dhe nevoja e sigurimit është rënduar, për shkak të hetimeve për 11 fakte penale, që janë dëshmi e rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit, organi i prokurorisë vlerëson të papërshtatshme masat e tjera të sigurimit personal, përvec masave të sigurimit “Arrest në burg” apo “Arrest në shtëpi”.
vi. Deputeti Belinda Balluku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit ligjor për caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg”, të parashikuara në pikën 2 të nenit 230, për shkak se: (a) nuk është një grua shtatzënë ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç dhe që jeton me të; (b) nuk është një person që ndodhet në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë; (c) nuk është person që ka kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç; (d) nuk është një person toksikoman apo i alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm.
vii. Përmbushet kriteri ligjor i parashikuar në pikën 3 të nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale, për zëvendësimin e një mase më të lehtë sigurimi me një masë më të rëndë, për shkak se ndodhemi në rrethanën kur nevojat e sigurimit janë rënduar. Sikurse është argumentuar gjerësisht nevojat e sigurimit janë rënduar, në të dyja drejtimet: qoftë në drejtim të rëndësisë së faktit penal (nga 2 fakte/vepra penale aktualisht janë 11 fakte/vepra penale të dyshuara); qoftë në drejtim të sanksionit që parashikohet për veprën penale konkrete (sanksioni ka shkuar potencialisht nga maksimumi në 10 vjet, në maksimumi në 35 vjet).

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat tha se opozita është pro heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut. Në konferencën për mediat, Bardhi tha se Belinda Balluku ka paracaktuar garën për 11 tenderë dhe po kërcënon dëshmitarët.
"Ne jemi pro kërkesës së SPAK. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit. Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish Zëvendëskryeministria Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro. Sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj. Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria. Kjo sjellje e Edi Ramës është antikushtetuese, është rrënim i shtetit ligjor, është goditja më e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi dhe pritshmërisë së qytetarëve për barazi para ligjit dhe për fundin e pandëshkueshmërisë", tha Bardhi.
Komente









U justifikuan se nuk dinin gje se kishte njerez brenda dhe Spaku nuk nuk mori asnje mas hetimore per tentativen e vrasjes ndaj 13 vetave!!!! Dhe shqiptaret neper gjyqet e Evropes justifikohen se nuk dine gje po gjykatat e atyre vendeve nuk i marrin parasysh dhe vazhdojn hetimet dhe gjykimet!! Ku jane standartet e drejtesis sone me ate evropiane ne cfare niveli ne zero??
PërgjigjuEdhe sikur 10%te Jen të vërteta e para duhet qe te ishe ti ore By... Ne burg per vrasjen ne Elbasan jo te dalesh ty e te besh moral ,por si duket ky vend do vazhdojë akoma te vuaj nga këto mostra bashke me SPAk..qe jan te gjithë 6 mujorshit e plepave
PërgjigjuIk or pirdhuni,Ne bashkepunim me Spakun beni Zhurmuesin te largoni vemendje nga krye krimineli sali e hajdutet cifti Meta
PërgjigjuSi nuk ju denuan juve qe vrate ne Elbasan nje person apo spaku vepron me dy sandarte
Përgjigju