Deputeti i Rithemelimit Flamur Noka ka denoncuar sot pushimin nga puna të Edvin Shvarc, që prej 15 vitesh ka punuar në presidencë.

Sipas deputetit, Shvarc iu ka shërbyer me profesionalizëm 5 presidentëve të ndryshëm dhe është shkarkuar me një motivacion qesharak të shkruar në letër. Noka e konsideron mungesë respekti nga Presidenti Bajram Begaj shkarkimin e tij.

‘‘Pas 19 vitesh punë në institucionin e Presidencës, ku shërbeu me profesionalizëm e korrektesë për 5 presidentë të ndryshëm, Edvin Robert Shvarc pushohet nga puna me një motivacion qesharak të shkruar në letër, pa i thënë një fjalë. Mungesë e madhe respekti nga Presidenti i Republikës ndaj një nëpunësi civil, i cili jeton me të ardhurat e kësaj pune në një apartament modest bashkë me zonjën dhe nënën e tij. Edvin Shvarc është shtetas shqiptar me prejardhje hebreje, zyrtar serioz dhe profesionist i rrallë. Ky akt i shëmtuar njollos institucionin më të lartë të shtetit. Presidenti Begaj nxitoi të shfaqte veten pa mbushur muajin në detyrë.’- shkruan Noka.

Edvin Shvarc në presidencë mbante postin e Drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Median, dhe sipas urdhrit të Presidentit është pushuar pasi akti i emërimit në këtë pozicion konsiderohet i pavlefshëm. Po ashtu në urdhër thuhet se Shvarc nuk ka njehsuar diplomën nga Ministria e Arsimit siç parashikon ligji.

Urdhri i postuar nga Noka