TIRANE - Pasojat e vendimeve drastike të Partisë Demokratike për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit kanë filluar të ndjehen në selinë blu. Prej strategjisë së bojkotit total të institucioneve që ka zgjedhur Basha, demokratët kanë mbetur të papërfaqësuar si në nivel qendror dhe tashmë edhe në atë lokal dhe kjo për shumë  figura me eksperiencë në PD është e papranueshme. Këmbëngulja e Bashës që të vazhdojë në këtë linjë duke paralajmëruar se nuk pranon të hyjë në negociata për datë të re zgjedhjesh pa largimin e kryeministrit Edi Rama ka shtuar zërat kundër strategjisë së kryetarit.

“Shpërthimi” të premten i ish numrit 2 të PD, Arben Ristani, që u shpreh se “Strategjia e tij po na çon drejt humnerës”, ishte një nga zërat e shumtë të eksponentëve demokratë kundër linjës radikale të Bashës.

 Jozefina Topalli, Rudina Hajdari, Edit Harxhi, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi madje edhe Glauk Olldashi, djali I Sokol Olldashit, etj, i doli kundër liderit Basha.

Që në vigjilje të zgjedhjeve të 30 qershorit dy nga ish-eksponentët e PD-së kanë dalë kundër linjës së Bashës për bojkot të zgjedhjeve dhe bllokimin e tyre në mënyrë të dhunshme.

“Slogani 'Me ne fitojnë të gjithë' u shndërrua në një dekadë në “me mua humbin të gjithë”! Me ty Lulzim humbin qytetarët pa parti që qeverisen ende nga Edi Rama! Me ty LulzIm po humbin demokratet shpresën se do ti sjellësh në pushtet! Me ty Lulzim humbën bashkitë që u fituan me aq mund në 2015 pas humbjes se 2013!”

Edvin Kulluri, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së

“PD organizate e dhunshme? Kurrë nuk ka ndodhur diçka e tille madje edhe ne ditët më të vështira për PD dhe vendin, që Partia që solli pluralizmin në Shqipëri të mund të futet në këtë listë të SHBA. Fajtor kryesor për shkatërrimin e PD është kryetari qe s’u be kurrë lider”,

Ish-zëvendësministrja Edit Harxhi

 Ish-deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, një nga emrat më të rëndësishëm në kohën e Berishës, pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, në një status të gjatë në rrjetet sociale, renditi një pas një dështimet e Bashës në krye të PD-së, sipas së cilit nuk arriti që të bënte asnjë nga premtimet që dha në nisje të aksionit opozitar; që nga largimi i Ramës e deri tek qeveria tranzitore. Sipas saj, Basha  çoi edhe Partinë Demokratike në vetëvrasje politike.

 “Pas rreth 3 dekadash, PD nuk ka më asnjë pushtet. Partia Demokratike nuk është më as në Parlament dhe nuk ka më asnjë bashki.  Me urdhrin për djegien e mandateve Lulzim Basha e nxori atë me dhunë, jashtë parlamentit duke tradhëtur e fyer,mbi 400 mije demokratë, që votuan siglën e kësaj force politike. Me këtë, që është akti më i papërgjegjshëm i historisë së demokracisë, ai praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse. Pas kësaj, premtoi se do krijonte qeverinë teknike dhe do rrëzonte Edi Ramën. Sot, me moshyrjen në zgjedhje, jo vetëm që nuk arriti asnjërën, por i dhuroi Ramës të gjitha bashkitë, të gjitha pushtet”

Jozefina Topalli

Disa ditë pasi u mbyllën zgjedhjet, djali i Sokol Olldashit një figurë historike në radhët e PD propozoi një proces të ri zgjedhor për ristrukturimin e Partisë Demokratike.

Ndonëse në protestat e opozitës është parë krah Bashës, Olldashi duket se e ka humbur besimin tek lidershipi i PD-së, parti për të cilën babai i tij kontribuoi për shumë vite.

 “Akti i hidhur është që PD nuk do të menaxhojë më asnjë pushtet. Kush ka faj? Sigurisht që përgjigja që na vjen në mendje kur na pyesin është “vetja”. Por, demokratët nuk u pyetën për vendimin e mospjesëmarrjes, në fakt demokratët jo vetëm që nuk pyeten më në PD, por edhe kur ndonjëri guxon të kundërshtojë shpallët “tradhtarë”. Kjo mendësi komuniste, edhe pse e huaj për partinë tonë, na ka “infektuar”. C’farë është kura? Për mendimin tim do na bënte mirë një proces zgjedhor për ristrukturimin e partisë tonë.  Po më quajtët tradhëtar nuk mërzitem"

Glauk Olldashi

Ish-kreu i degës së PD-së për qarkun e Kukësit Ibsen Elezi ka renditur sipas tij disa nga mashtrimet e liderit të opozitës.

"Ju tradhëtoi  më 31 Mars 2018, Ju tradhëtoi më 17 Shtator 2018, e shiti Bashkinë e Kukësit në tavolinë te Rama, vjen dhe ju mashtron se zgjedhjet e pushtetit lokal do jenë në 13 Tetor, të dalësh në foto me një tradhëtar dhe shërbëtor të majtisitit të ndyrë George Soros, nuk është kujtim i bukur për nesër”.

Ibsen Elezi

Pas zërave të parë kritikë ndaj Lulzim Bashës nga ish-eksponentë që kanë kohë që janë distancuar nga linja e kryetarit, të premten ka “shpërthyer” edhe ish-sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani. Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale Ristani del hapur kundër strategjisë së kryetarit të PD, duke kërkuar një reflektim të Lulzim Bashës.

 “Fakti që sot PD dhe populli opozitar mbeten të papërfaqësuar në nivel qendror dhe vendor është shumë i rëndë. Ky rezultat, pavarësisht bindjes që na u krijua kur morëm vendimet tona për të dorëzuar si grup mandatet e për të mos hyrë ne zgjedhje me Ramën, ka nevojë për reflektim nga lidershipi i PD, mbi bazën e gjykimit të shëndoshë mbi atë që ndodhi, si dhe pasojave që ai solli”.

Arben Ristani

Ristani nxjerr në pah nevojën e një plani brenda PD-së për të afruar pranë vetes ato demokratë që sot janë të braktisur. Ai madje akuzon Bashën për prishjen e marrëdhënieve me SHBA për shkak të qëndrimeve të liderit demokrat kundër linjës së amerikanëve.

“Na duhet një program i mirë, i qartë dhe i kuptueshëm nga njerëzit. Por kryesor është besimi –na duhet të ringjallim besimin se jemi si parti dhe si individë, në lartësinë e premtimeve tona. Shumë punë mbetet për të bërë për të rivendosur besimin dhe për të rilidhur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata amerikanë”

Arben Ristani

Vetëm 3 ditë nga 30 qershori presidenti Meta duke mos thënë asnjë fjalë për dekretin e 10 qershorit, doli para mediave me firmën e tij mbi një dekret të ri: Dokumenti që cakton 13 tetorin si datë të re të zgjedhjeve vendore të 2019-ës.

Ky vendim i Metës solli një përplasje të re brenda PD-së. Disa prej kryebashkiakëve demokratë të pakënaqur me dorëzimin e bastioneve të tyre pa luftë, e panë si një mundësi të dytë për të mbajtur bashkitë e djathta. Vendimi i Bashës për t'i qëndruar linjës radikale të bojkotit dhe për refuzimin edhe të datës 13 tetor ka sjellë një shprehje publike të pakënaqësisë nga disa prej kryebashkiakëve demokratë.

I pari që doli kundër kësaj linje ishte kreu i një prej bastioneve të PD-së,  Xhelaz Mziu, kryetar në ikje  i Bashkisë Kamëz nga radhët e PD, teksa paralajmëroi se nuk do të lirojë zyrën e tij, ftoi qytetarët të marrin pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit për të parë sa vota do marrë kundërshtari i tij.

 “Asnjë shans për të lëshuar zyrën përpara zgjedhjeve të 13 tetorit. Është e mjaftueshme duke parë raportin e fundit të OSBE/ ODIHR ku theksohet se është shkelur ligji dhe zgjedhjet janë të paligjshme. Shihemi në zgjedhjet e tetorit”.

Xhelal Mziu

Edhe Kryetari demokrat në ikje i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, është shprehur se demokratët po përgatiten për zgjedhje më 13 tetor, dhe vetëm nga ajo garë do t'i lirojnë zyrat, nëse kandidatët e tjerë fitojnë.

Tashmë duket qartë se me kalimin e ditëve Lulzim Basha duhet të përballet me pakënaqësinë në rritje në radhët e demokratëve.

Një dështim i radhës i strategjisë së kreut demokrat do të thellonte edhe më shumë përçarjen në PD.