Krizë brenda PD/ Ristani del hapur kundër Bashës: Reflekto! Gabuam me mandatet e zgjedhjet

Krizë brenda PD/ Ristani del hapur kundër Bashës: Reflekto! Gabuam me mandatet e zgjedhjet

TIRANË- Reagimet e njëpasnjëshme të ish-sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Arben Ristani (lexo këtu) vënë në dukje krizën që po kalon kjo forcë politike brenda saj, pas zgjedhjeve vendore. Pasojat e vendimeve drastike për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit kanë filluar të ndjehen në selinë blu dhe për këtë arsye, Ristani kërkon hapur një reflektim të liderit të kësaj partie, Lulzim Bashës.  

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, në kohën kur demokratët nuk janë të përfaqësuar në asnjë nivel pushteti, Ristani "i penduar" shkruan se PD-ja duhet të nisë menjëherë nga puna për rifitimin e besimit të mbështetësve të saj, teksa e ka cilësuar një gabim edhe largimin e figuarave të rëndësishme nga kjo parti, mes tyre Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Ridvan Boden etj, duke kërkuar rikthimin e tyre dhe lënien pas të hatërmbetjeve.

Shqipëria ka nevojë për një opozitë me strategji të qartë, të mirëorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm, që sipas ish-sekretarit kjo nuk është ajo që u ofrohet qytetarëve ditëve të sotme, prandaj nxjerr në pah nevojën e një plani brenda PD-së për të afruar pranë vetes ato demokratë që sot janë të braktisur.

Reagimi i plotë
Para disa ditësh jam shprehur publikisht në lidhje me një fakt të qartë si drita e djellit: pavarësisht përpjekjeve, opozita nuk arriti ta ndalonte mbajtjen e zgjedhjeve vendore me Ramën kryeministër.

Zgjedhjet u mbajtën -edhe përkundër përbetimeve të disa personave publike, analistëve pro-opozitarë, njërit prej të cilëve jam i detyruar t’i përgjigjem sot me këtë shkrim. Besoj ju kujtohet solemniteti i atyre që përbetoheshin se nuk do lejonin zgjedhje me 30 qershor – solemnitet që mbante nënshkrimin viral #metoo. Zgjedhjet u mbajtën. Jo vetëm kaq, por mesa duket këtë vit në horizont nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, pa Ramën kryeminister. Ky ishte përbetimi tjetër i madh që bëhet tym. Ajo që mbetet janë prokurorja e përgjithshme e përkohshme, përjetësisht besnike ndaj kryeminstrit Rama, ajo që mbetet është një katastrofë institucionale, ekonomike dhe njerëzore, me pak ose aspak dritë në fund të tunelit. Në kete situatë jam shprehur se PD mund dhe duhet ta mundë në zgjedhje –dhe jo në llafe– Ramen dhe Rilindjen, si e vetmja rrugë qe kemi, edhe pas keshillave dhe insistimit të partnerëve ndërkombëtare, evropianë dhe amerikanë.

Kam shprehur mendimin se fakti që sot PD dhe populli opozitar mbeten të papërfaqësuar në nivel qendror dhe vendor është shumë i rëndë. Ky rezultat, pavarësisht bindjes që na u krijua kur morëm vendimet tona për të dorëzuar si grup mandatet e për të mos hyrë ne zgjedhje me Ramen, ka nevojë për reflektim nga lidershipi i PD, mbi bazën e gjykimit të shëndoshë mbi atë që ndodhi, si dhe pasojave që ai solli. Rruga që duhet ndjekur, sipas mendimit tim, kalon nga puna për të rritur besimin dhe angazhimin e mbështetësve të opozitës. Na duhet një program i mirë, i qartë dhe i kuptueshem nga njerëzit. Por kryesor është besimi –na duhet të ringjallim besimin se jemi si parti dhe si individë, në lartësinë e premtimeve tona. Shumë punë mbetet për të bërë për të rivendosur besimin dhe për të rilidhur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata amerikanë.

Gjithashtu kam përmendur nevojën për të bashkuar partinë me të gjithë ata që kane kontribuar për PD ndër vite, me ata që kanë ekspertizën dhe eksperiencën për organizimin e partisë  dhe suksesin e saj në betejat elektorale, pavarësisht qejfmbetjeve, komplekseve, apo kontradiktave parimore. Në menyrë të permbledhur këto kam thënë. E gjitha kjo, për ” këshilltarin mediatik / zërin më të afërt mediatik” (sipas medias ku e lexova lajmin), Gjekmarkaj, është konsideruar si një “gjuajtje e Ristanit ndaj Lulzim Bashës”. Sipas analizës së analistit Gjekmarkaj, meqë atëherë unë nuk dola kundër vendimit për të dorëzuar mandatet e për të bojkotuar zgjedhjet e Ramës, që sot e tutje duhet të mbyll gojën e të hesht përgjithmonë. Kjo nuk më duket një këshillë me vend – as për mua, as për këdo, që si unë, do që PD të vijë në pushtet, për të mirën e shqiptarëve.

Nuk më duket me vend që të mos kemi të drejtë të reflektojmë mbi gabimet tona. Nuk më duket me vend që një analist të mund të ketë të drejtën të ndryshojë qëndrime e deklarata sipas rastit dhe dëshirës, ndërsa politikanit i hiqet mundësia të reflektojë mbi gabimet e bëra dhe konkluzionet e nxjerra. Vetë Gjekmarkaj, pak kohë më parë është shprehur se Lista “Basha” e kandidatëve për deputetë në 2017 ishte e fëlliqur, e neveritshme, e hartuar për të vjelë frytet e një marrëveshje okulte të bazuar në interesa financiare. Akuza këto tëmerrësisht të rënda, ndoshta të justifikuara në një farë mënyre nga lënia e tij jashtë listës së kandidatëve.

Megjithate, une besoj se në këtë moment kaq të rëndë, në një krizë të plotë eknomike, politike dhe juridike, kushdo që orientohet nga e mira nuk duhet të heshtë, pavarësisht mënyrës sesi analizon Gjekmarkaj;  përkundrazi – çdokush duhet të flasë sa të mundet më fort, të bëjë gjithçka që ka në dorë, në mënyrë që të dalim të gjithë së bashku nga mizerja rilindëse. Në kohën kur analistë e gazetarë, mendje “të bukura” e media “të pavarura” shkruajnë e komunikojnë si militantë partish, duke e kaluar Shqipërinë në plan të dytë në funksion të interesave të veta, lind nevoja që shqiptarët të aderojnë në formacione që mendojnë më shumë për Shqipërinë sesa partinë.

Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë me strategji të qartë, të mirëorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm. Ideja se ne duhet të flisnim kur ishte koha për të folur, ndaj tani duhet të heshtim përgjithmonë, më shtyn të mendoj se, sipas kësaj aksiome Gjekmarkiane, njeriu politik është i destinuar të jetojë paradoksin e mërzitshëm në të cilin, nëse flet jashtë llafollogjisë së miratuar nga lidershipi, je i dënuar të quhesh automatikisht ose i shitur, ose i hatërmbetur. Nga ana tjetër, nëse njeriu politik i mbështet dhe miraton tezat e lidershipit, me shpresë dhe besim në vërtetësinë e tyre, ai duhet të heshtë përgjithmonë, pasi duhet të kishte folur kundra tyre më parë.

Ku do na shpjerë ky qëndrim? Uniteti grusht-bashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbëthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erna: 27/07/2019 21:27

    Qe kur iku Jozefina Topalli Partia demokratike Ra me koke poshte.

    Përgjigju
  • Ghjj: 27/07/2019 08:12

    Gjekmarkaj eshte nje amfib disfunksional

    Përgjigju
  • asl: 26/07/2019 21:54

    Dogjen mandatet,menduan se bene trimeri i bene gropen vetes se vetem nje pjese e vogel ndoqi rugen tuaj te "ndritshme".U bete tellalli i botes bashke me Liro hajdutin,sju vjen zore idiota analfabete,n.q.s ju jeni demokrat me keto veprime atehfre une jam Napoleon Bonaparti.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë