TIRANË, 11 Dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ -Partia Demokratike festoi sot pasdite 24-vjetorin e themelimit të saj, si partia e parë opozitare e krijuar më 11 dhjetor të vitit 1990, në një ceremoni të organizuar në hotel "Sheraton".
Përkujtimi i kësaj date nisi me një video me momentet më të rëndësishme të kësaj force politike.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh gjatë fjalës së tij se, "pas zgjedhjeve, PD në një vit opozitë vjen më e bashkuar, më e fortë dhe më e mençuar. Pas zgjedhjeve brenda PD-së, kjo parti vjen më e organizuar dhe e strukturuar. Janë të gjithë të ftuar në këtë familje të madhe. Demokratët zemërthyer janë të ftuar të rikthehen në këtë famije të madhe. Të bashkuar do të ngremë alternativën e re", tha ai.
Partia Demokratike festoi sot pasdite 24-vjetorin e themelimit të saj. Foto: Flor Abazi
"24 vjet më parë u nënshkrua akti i themelimit të Partisë Demokratike, hapi i parë i shqiptarëve drejt pluralizmit politik, ashtu siç kërkonin protestat e studentëve të asaj kohe", vijoi Basha.
Basha ka përshëndetur të pranishmit, ndërsa deklaroi se kjo parti është gjeneza e një rilindje të vërtetë. Ai tha se, themelimi i PD-së është një nga ngjarjet më madhore në historinë e vendit.
"Jemi mbledhur të festojmë një ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë, themelimin e PD-së. Fituam të drejtat tona dhe e futëm Shqipërinë në rrugën e kombeve të lira. Jemi pjesë e kësaj trashëgimie. Gëzuar 24 vjetorin e lirisë, gëzuar themelimin e PD-së. Gëzuar në veçanti ju demokrate dhe demokratë, që jeni shpirti i kësaj partie. Si çdo komb që respekton historinë dhe ne i kthehemi rrënjëve të lirisë tonë", u shpreh Basha.

Kreu i demokratëve vlerësoi lëvizjen studentore dhe tha se themeluesit e PD-së ndezën pishtarin e lirisë.
"Lëvizja studentore mposhti frikën dhe krijoi një lidhje me qytetarët e Tiranës. Krijimi i menjëhershëm i PD-së, jetësoi pluralizmin e vërtetë. PD u bë zëdhënësja e revoltës popullore, antikomuniste. Në një kohë rekord themeluesit, krijuan programin e saj, pa përvojën, pa financat, mes vështirësish, themeluesit ndezën pishtarin e lirisë. Këta heronj të gjallë të demokracisë ndërtuan alternativën e parë perëndimore në Shqipëri", deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Ai theksoi se "gjeneza e një rilindje të vërtetë është gjeneza e Partisë Demokratike". "PD-ja lindi si parti e lirisë dhe atdhetarisë. PD përqafoi përgjegjësinë qytetare. PD-ja zgjodhi gjithpërfshirjen, zgjodhi dashurinë në vend të urrejtjes. PD u rrit me këto vlera. Këto janë vlerat e ADN-së tonë, e identitetit tonë", tha Basha.
Kreu i demokratëve akuzoi të majtët se janë përpjekur të përbaltin Partinë Demokratike dhe lëvizjen studentore, ndërsa ka vlerësuar disa prej figurave kryesore të PD-së që sot nuk janë më.
Partia Demokratike festoi sot pasdite 24-vjetorin e themelimit të saj. Foto: Flor Abazi
"Kundërshtarët e së majtës janë përpjekur të përbaltin këtë pasuri kombëtare. E kanë kot. Historia e lëvizjes studentore është shkruar me akte, me vlera. Kujtojmë heronjtë, Azemin të parin, prijësin e lëvizjes studentore. Kujtojmë tre themeluesi e tjerë Gramoz Pashkon, Pjetër Arbnorin, Ali Spahinë. Kujtojmë Sokol Olldashin dhe Ferdinand Ponin. Nderim dhe mirënjohje për të gjithë. Janë ndarë nga jeta, por janë këtu mes nesh", tha kreu i PD-së.
Nuk ka munguar përshëndetja e Bashës edhe për ish-kreun e PD-së, Sali Berishën, për të cilin tha se mbajti të madhe dhe të fortë këtë forcë politike.
"Ne të gjithë bashkë jemi familja e madhe e demokratëve, që ka bërë histori dhe do vazhdojë të bëjë histori vlerash në këtë vend. Nderim dhe mirënjohje për liderin historik të partisë, Sali Berishën, i cili ka meritën se e mbajti të PD edhe më të fortë. Me këtë trashëgimi të vyer po rindërtojmë alternativën tonë", tha kreu i PD-së, Lulzim Basha./m.m/