TIRANË - Mazhoraca nuk do të lejojë zgjatje të mandatit të prokurores së përgjithshme Ina Rama. Deputeti demokrat, Enkeled Aliebaj tha sot se nuk do të ketë asnjë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të vijuar mandatin e kryeprokurores, e cila është zgjedhur në nëntor të vitit 2007. Në kohën e zgjedhjes, mandati i saj ishte i pakufizuar, ndërkohë që pak muaj më vonë Kuvendi miratoi mandatin 5 vjecar të prokurorit të përgjithshëm.
“Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë qenë tepër të qarta. Mandati 5 vjecar i kryeprokurores nuk preket. Ajo e përfundon atë në nëntor të vitit 2012 dhe për këtë nuk ka asnjë diskutim”, tha Alibeaj.
Deputeti demokrat reagoi sot pas deklaratës mediatike të ish kryeprokurorit Theodhori Sollaku, sipas të cilit, Ina Rama duhet të vijojë të mbajë postin e saj.

SOLLAKU: MANDATI TË ZGJIDHET NË KUSHTETUESE
Paraardhësi i Ina Ramës, Theodhori Sollaku në një deklaratë mediatike tha se zgjidhja për mandatin e kryeprokurores duhet të vijë vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Kjo, sepse sipas tij, partitë u treguan të paqarta me ndryshimet e ligjit themeltar të shtetit në vitit 2008.
Sipas këtyre ndryshimeve të miratuara në unanimitet nga Kuvendi, mandate pa limit i Prokurorit të Përgjithshëm kufizohej me 5 vjet. Në rast se Kushtetuesja, sipas Sollakut, merr parasysh majin, kohën kur këto ndryshime hynë në fuqi, si skadimin e mandatit të Ina Ramës, atëherë lind një tjetër problem. Në këtë muaj, pra maj 2013, Kuvendi do të jetë i shpërndarë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme dhe nuk mund të zëvendësojë Ina Ramën, e cila sipas gjasave duhet të qëndrojë në detyrë deri në një moment të dytë.

(aq/shqiptarja.com)