TIRANË- Partia Demokratike ka publikuar ditën e sotme një e-mail, sipas së cilëve është një provë e rëndësishme dhe vërteton që te Ministria e Shëndetësisë, në zyrën e prokurimeve ka rënë zjarr. Nga selia blu, është ish- deputeti i PD-së, Bardh Spahia i cili ka publikuar e- mailin që mban datën 15 prill ora 18:00në të cilën konfirmohet se ka pasur zjarr, është ndezur sistemi i alarmit dhe pas kontrollit të bërë është dalë në përfundimin se janë djegur disa letra, të cilat më pas janë shuar me ujë. Këto letra, sipas PD-së janë provat e tenderave "sekret" në kohë pandemie për të cilat opozita ka denoncuar prej një muaji.

"Në datën 15 Prill, në orën 18:00, në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur dokumente. Pas rënies së alarmit për zjarr, rojet e godinës kanë konstatuar djegien e dokumenteve në katin e katërt të godinës.Siç e shikoni, kjo nuk është fantazi e jona. Është një email zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, që provon rënien e zjarrit dhe djegien e dokumentave në katin e Zyrës së Prokurimeve, pikërisht atë që mohoi dje paturpësisht Ministrja e Vjedhjeve COVID, Ogerta Manastirliu.  Hajdutëria me tenderat sekret është aq e madhe, saqë nga një krim korrupsioni, qeveria e Edi Ramës po kryen edhe një tjetër vepër penale, siç është asgjësimi dhe fallsifikimi i dokumenteve shtetërorë për të zhdukur provat e megavjedhjes me mjetet mbrojtëse për mjekët, me maskat antiCOVID, me kitet e testimit, me pajisjet shëndetësore të respiratorëve", tha mes të tjerave Spahia. 

Akuzat shkon për qeverinë, por nuk mungojnë edhe për SPAK-un! Për këtë të fundit, PD-ja thotë se ka heshtur deri më tani, pavarësisht se opozita ka denoncuar prej kohësh këto tendera, si strategji për të fituar kohë për fshehjen e gjurmëve të krimit dhe zhdukjen e provave. Për demokratët, mohimi i këtij zjarri nga ana e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu është fakt që edhe ajo është e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë krim!  Ishte kreu i PD-së, Lulzim Basha ai artikuloi i pari këtë akuzë, por që u përgënjeshtrua nga ministria Manastirliu duke thënë se tymi ka qenë vetëm në kokën e kryedemokratit.

Dokumenti i publikuar ng PD-ja

Deklarata e plotë e PD-së
"Një muaj më parë, ne denoncuam zhvillimin e procedurave korruptive të tenderimeve me kontrata sekrete. Për disa ditë me radhë, u provuam shqiptarëve me fakte dhe të dhëna të pakundërshtueshme, se Qeveria po vidhte me tendera sekret në këtë periudhë epidemie, kur gjendja ekonomike e shqiptarëve përkeqësohej çdo ditë. Qeveria heshti për këto vjedhje. SPAK-u po ashtu. Edhe më herët, ne kemi denoncuar se qeveria po e përdor heshtjen si strategji për të fituar kohë për fshehjen e gjurmëve të krimit dhe zhdukjen e provave. 

Ky krim është kryer përmes djegies. Aq shumë dokumente janë djegur në Ministrinë e Shëndetësisë brenda një dite, sa është aktivizuar sinjali antizjarr. E vërteta është kjo. 

Në datën 15 Prill, në orën 18:00, në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur dokumente. Pas rënies së alarmit për zjarr, rojet e godinës kanë konstatuar djegien e dokumenteve në katin e katërt të godinës. 
Siç e shikoni, kjo nuk është fantazi e jona. Është një email zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, që provon rënien e zjarrit dhe djegien e dokumentave në katin e Zyrës së Prokurimeve, pikërisht atë që mohoi dje paturpësisht Ministrja e Vjedhjeve COVID, Ogerta Manastirliu.  Hajdutëria me tenderat sekret është aq e madhe, saqë nga një krim korrupsioni, qeveria e Edi Ramës po kryen edhe një tjetër vepër penale, siç është asgjësimi dhe fallsifikimi i dokumenteve shtetërorë për të zhdukur provat e megavjedhjes me mjetet mbrojtëse për mjekët, me maskat antiCOVID, me kitet e testimit, me pajisjet shëndetësore të respiratorëve. 

Në email thuhet shprehimisht: “Pas kontrolleve rezultoi se u gjetën letra të djegura dhe të shuara me ujë në katin e katërt të ndërtesës, tymi i të cilave aktivizoi sinjalin e alarmit”.
Fakti që Ogerta Manastirliu u investua personalisht dje për të mohuar zjarrin dhe djegien e dokumentave, duke sulmuar kreun e opozitës me akuzat shabllon të dala boje, provon se ajo është e përfshirë direkt në vjedhje. 

Është vjedhja e shqiptarëve të varfëruar, së bashku me klientet e veta FARMANET, EUROMED, O.E.S. DISTRIMED, që e detyroi Ogerta Manastirliun të mashtrojë qytetarët. Është blerja me dy deri në katër fish e mjeteve mbrojtëse për mjekët, e kiteve të testimit apo respiratorëve, që ka detyruar Ministren të urdhërojë djegien e dokumenteve dhe fshehjen e ngjarjes. Është babëzia për të vjedhur paratë e shqiptarëve që i detyron të zhyten edhe më shumë në krim, duke i vënë zjarrin dokumenteve apo duke zhdukur provat. Çdo qytetar që ka humbur vendin e punës, çdo qytetar që e merr të përgjysmuar rrogën, çdo tregtar që kjo qeveri e ka zhytur më borxh, çdo shqiptar që po vuan padrejtësinë e kësaj qeverie sot ka të drejtë të ndjehet i tradhëtuar prej saj. 

Vjedhja e qytetarëve në kohë pandemie është tradhëti kombëtare.  Qytetarët e varfëruar edhe më shumë këtë kohë nga abuzimi, keqpërdorimi i parave të tyre dhe nga mungesa e mbështetjes nga shteti, kërkojnë drejtësi. Hajdutët në kohë pandemie duhet të shkojnë në burg!  Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK, të përfshijë në hetimin e kësaj çështje edhe djegien e dokumenteve më 15 Prill, siç e tregon ky email zyrtar, si dhe fshehjen e të vërtetës nga Ministrja e Shëndetësisë, duke mohuar publikisht rënien e zjarrit. 

Ne kemi paralajmëruar që në fillim, tentativën e Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut për të manipuluar provat, për t’i zhdukur apo ndryshuar ato. Ky është një krim i ri, që duhet të hetohet pa asnjë vonesë".