Deputetët e Partisë Demokratike Edmond Spaho dhe Arben Ristani depozitojnë në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal lidhur me dyshimin e PD-së për cënimin e listave të zgjedhësve nga bashkiaku Vangjush Dako.
Sipas Partisë Demokratike, janë afro 2700 zgjedhës që i janë shtuar listës zgjedhore, në cënim të plotë të ligjit dhe Kodit zgjedhor. Deputeti i PD, Spaho theksoi se justifikimi i Dakos për të shtuar zgjedhësit në 21 Qershor në emër të lëvizjes së lirë, cënon dy parimet thelbësore të procesit zgjedhor që janë zgjedhjet e lira dhe zgjedhje të ndershme.
Ristani u shpreh se kjo qeveri dhe mazhorancë po tentojnë të manipulojnë zgjedhjet  në mënyrë të shumëanshme, me shumë makinacione.
"Dorëzuam kallëzimin penal që Partia Demokratike ka përgatitur dhe faktet që ne disponojmë nga hetimi në lidhje me këtë çështje. Kërkuam hetim të shpejtë dhe të plotë të kësaj çështje për shkak të urgjencës që ka, pasi së shpejti dalin listat përfundimtare dhe afron dita e zgjedhjeve.  Këta zgjedhës që janë futur në mënyrë arbitrare në lista, detyrimisht do të hiqen prej tyre dhe nuk do të votojnë në zgjedhjet e 21 Qershorit në Durrës. Kjo është kërkesa e Partisë Demokratike", tha Spaho.
/atsh/