Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pasi Grupi i PD-së deklaroi nuk do të merrte pjesë në seancën plenare të ditës së nesërme në Kuvend.

Përmes një njoftimi, Balla ka deklaruar se ky bojkot i seancës nga Grupi Parlamentar i PD-së vjen në një moment që PS ka propozuar një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.

Balla tha se sipas PD-së, nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale.

Ai shtoi se seanca e nesërme jo vetëm që nuk ka agjendë personale, por është propozuar që në 18 shkurt dhe miratuar me vendim të seancës plenare një muaj më parë.

Reagimi i Ballës:

Keqardhje për njoftimin se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, me pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga ne një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni. Gjithashtu qenka thënë se seanca është thirrur në kundërshim me Rregulloren. Gënjeshtër! Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike). Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë.

Gëzuar Natën e Kadrit


Lajmi kryesor:

Kuvendi shpall nesër Iranin shtet sponsor të terrorizmit, PD s’merr pjesë: Seanca, axhendë personale e Ramës! PS: Reflektoni, rezolutë urgjente