TIRANË, 19 Gusht /ATSH- I. Vata/- Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi në një deklaratë për mediat të martën, ka denoncuar pushimet e padrejta nga puna të mbi 2500 grave dhe vajzave, në mes tyre edhe të nënave kryefamiljare.
Sipas Vokshit, ka nisur një fushatë për mbledhjen e CV-ve në selinë e Partisë Socialiste, dhe jo në Departamentin e Administratës Publike.
"Qeveria premtoi 300 mijë vende pune, premtoi mirëqenie për 97% të qytetarëve shqiptarë, por diskriminim, dhunë psikologjike dhe përndjekje gjinore në këmbim të punësimit, po raportojnë çdo ditë qytetarët shqiptarë", tha Vokshi.
Po ashtu, Vokshi duke folur për ngjarjen e Sarandës u shpreh se "duke e dënuar ngjarjen e rëndë të përfaqësuesit politik në Sarandë, LDG i bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse  të hetojnë të gjitha punësimet në administratë, pas shkarkimeve të shtatorit 2013. Të gjitha "dosjet" kanë një histori të padrejtë për të treguar".
Gjithashtu, Vokshi u shpreh se "LDG i bën thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të reagojnë fuqishëm ndaj këtyre fenomeneve skandaloze". /m.m/