PD dhe LSI do tentojnë sot të bllokojnë votimin në Kuvend për Kryeprokurorin e ri të Përkohshëm. Ky është tubimi i parë i madh i PD-LSI kundër Ramës. Çështja e kryeprokurorit thelloi përplasjet mes pozitës dhe opozitës, pasi kjo e fundit nuk e mbështeti vendimin e mazhorancës për Kryeprokuror të Përkohshëm, duke e cilësuar këtë të fundit politik.
Zhvillimet orë pas ore nga protesta e PD:
12:20 Përfundon protesta e opozitës
Ka përfunduar pas disa orësh tensione protesta e opozitës para Kuvendit të Shqipërisë kundër kryeprokurorit të ri të përkoshëm. Protestuesit kanë filluar të shpërndahen menjëherë pas fjalës së Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, të cilët deklaruan para protestuesve se nuk do të ndalen. Mazhoranca zgjodhi e vetme Arta Markun si kryeprokurore, ndërsa opozita kundërshoi me protesta brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit. Marku u zgjodh mes tymuesve dhe flakadanëve të hedhur nga deputetët, ndërsa jashtë protestues të shumtë u përplasën me policinë, ku pati dhe të lënduar.
Ora 11:28 Protestuesit çajnë sërish kordonin e policisë para Parlamentit, futen në ambientet e brendshme të Kuvendit
Ora 11:20 Policia shoqëron shtatë protestues
Shtatë protestues të opozitës janë shoqëruar nga policia pas përplasjes përpara Kuvendit. Mbështetësit e opozitës tentuan të çajnë kordonin e policisë dhe të futeshin në Kuvend, por u bllokuan nga Forcat Speciale, të cilët rivendosën kordonin e sigurisë.
Ora 11:03 Protestuesit çajnë kordonin e policisë, ndërhyjnë Forcat Speciale
Protestuesit e opozitës kanë thyer kordonin e policisë para Kuvendit, duke tentuar të hyjnë me forcë në sallë, ku vijon seanca për kryeprokurorin e përkohshëm. Ndërkohë, Report Tv mësoi se një vajze i ka rënë të fiktë mes turmës së njerëzve, të cilët janë përplasur ashpër me policinë. Gjithashtu, një punonjës policie është lënduar në kokë pasi është goditur nga druri i një baneri të protestueve.
Ora 10:50 Luan Rama: Prokurorët të tërhiqen nga kandidimi
Zv/kryetari i LSI, Luan Rama u bëri thirrje kandidatëve për kryeprokuror, nga protesta e opozitës përpara Kuvendit që të tërhiqen nga gara. "Dëshmoni që nuk jeni marioneta të PS, dëshmoni që dinin të vendosni dinjitetin dhe integritetin tuaj mbi servilizimin ndaj një republike kriminale. Zotërinj Prokurorë mos harroni se Prokurori më i madh është populli dhe ndëshkimi i popullit do t'ju marrë përpara. Zotërinj prokurorë, ndërpriteni këtë lojë sa nuk është vonë, mos u bëni turpi i parlamentarizmit. Ju nuk duhet të pranoni të emëroheni në kundërshtim me Kushtetutën, pa kryer Vettingun, në kundërshtim me reformën në drejtësi sepse nuk është dita e parlamentarëve, sot është dita e qytetarëve dhe dita e qytetarëbve do t'ju marrë përpara të gjithëve. Ne jemi të vendosur të mbrojmë parlamentarizmin, sepse me ne janë qytetarët mbi krimin, mbi klikën. Bashkë nuk ka forcë që t'ju ndalojë".
Ora 10:20 Dy deputetë të PD nisen drejt turmës
Disa deputetë të PD kanë dalë nga salla e Kuvendit dhe janë nisur drejt turmës së protestuesve, që ndodhen para Kuvendit. Report Tv mëson se i janë bashkuar protestës deputetët Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj.
Ora 09:50 Kryemadhi: Të vendosur për të rrëzuar Ramën
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka folur para nisjes së seancës plenare dhe protestës së opozitës. Jashtë dyerve të Kuvendit, Kryemadhi shprehu vendosmëri për të rrëzuar qeverinë Rama, duke thënë se është e kotë të flaksh me logjikë me këtë të fundit.
“Shqiptarët nuk i rrëmbejnë dot, edhe pse votat i kanë për të rrëmbyer Kryeprokurorin. Nuk do ta lejoja kurrë atë që bën Edi Rama. Është e kotë të flasësh me logjikë me të”, tha Kryemadhi.
Ora 09:40 Deputetët e PD mbërrijnë në Kuvend
Deputetët e Partisë Demokratike do jenë të pranishëm në Kuvend, ndërsa njëkohësisht jashtë tij do protestohet. Grupi i deputetëve demokratë do ndahet në dy pjesë, në Kuvend dhe protestë. Burime pranë selisë blu bëjnë të ditur se do tentohet bllokimi i procesit të votimit të Kryeprokurorit. PS vendosi më herët të mbështesë prokuroren e Shkodrës, Arta Marku.
Ora 09:35 Basha porosit deputetët:Veproni në bazë të asaj që ndodh në Kuvend
Pak minuta para nisjes së protestës, kreu demokrat, Lulzim Basha, mblodhi grupin parlamentar. Report Tv mësoi se Basha iu ka kërkuar deputetëve të djathtë të veprojnë në bazë të asaj që ndodh brenda sallës së Kuvendit.
(Deputetët e PD mbërrijnë në Kuvend)
Ora 09:30 Protestuesit e opozitës mblidhen përpara Kuvendit
Protestuesit e opozitës janë mbledhur përpara Kuvendit për të protestuar kundër procedurës së ndjekur nga maxhoranca për zgjedhjen e Kryeprokurorit. Në orën 10:00 pritet të nisë seanca e Kuvendit.
(Protestuesit e opozitës mblidhen përpara Kuvendit)
Ora 09:05 Mberrin eskorta me kryeministrin Rama
Kordoni i policisë është vendosur nga të dyja anët e parlamentit në të dalë të pedonales, i cili përbëhet nga policë meshkuj dhe femra, si dhe ësahtë gati teli me gjeba, i cili pritet të vihet në përdorim në rast rreziku, ndërsa nga i gjithë vendi janë nisur mijëra protestues.
[gallery]25141[/gallery]
Elbasani-Niset në 08.30 një autobus para selisë së PD. Asnjë drejtues i degës së PD dhe asnjë nga këshilltarët e PD me protestuesit. Ndërkohë, nga zyrat e LSI në Elbasan pritet të nisen rreth 300 protestues.
Lezhë: Po vijnë drejt kryeqytetit rreth 1500 simpatizantë.
Dibër: Janë rreth 1500 simpatizantë që po udhëtojnë drejt Tiranës.
Berat: Rreth 100 persona nisen drejt Tiranës.
Fier: 700 simpatizantë të PD do t'i bashkohen protestës
Korçë: Nisen drejt kryeqytetit 50 persona
Sarandë: Niset një autobus me 30 simpatizantë
Gjirokastër: Janë nisur 150 simpatizantë
Ora 08:00 Sot seanca e fundit e 2017,Kuvendi voton për Kryeprokurorin e ri
Parlamenti do të hedhë në votim në seancën e sotme projektvendimin për caktimin e prokurorit që do të ushtrojë përkohësisht funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm. Janë tre emra që do të hidhen në votim: Arta Marku, Ermira Tafani dhe Ferdinand Elezaj, nga 7 persona që paraqitën kandidaturat.
Ndërkaq, Besnik Muçi, Granit Shahu, Arqile Koçi dhe Artur Selmani u skualifikuan nga gara, pas verifikimeve të bëra nga komisioni i Ligjeve, lidhur me kriteret ligjore. Pas skualifikimit pati edhe pakënaqësi, kryesisht nga kandidati Muçi, i cili deklaroi se i përmbushte 15 vite punë si jurist, ashtu sikurse e parashikon edhe ligji.
Madje ai u bëri thirrje ambasadave të SHBA e BE të bënin verifikime mbi përzgjedhjet e Komisionet të ligjeve. Projektvendimi i sotëm pritet të votohet me shumicë të thjeshtë, ndërsa kjo është seanca e fundit plenare për vitin 2017.
d.c-l.q./shqiptarja.com