“Sot është data 11 dhjetor dhe jo që në Kuvend nuk ka mbërritur asgjë, por as në qeveri nuk është miratuar projekt-dokumenti më i rëndësishëm ekonomik, financiar, social dhe zhvillimor i vendit”, deklaroi Mima gjatë konferencës për median.
Mima deklaroi se, “Partia Demokratike do të ç’pojë me shifra, fakte dhe argumente këtë tullumbace demagogjike dhe propagandistike të kryeministrit sapo dokumenti buxhetor dhe politikat e shkruara të vijnë në Kuvend”.
“Paraprakisht - tha deputeti demokrat, - vërejmë se projekti i ri buxhetor dhe politikat e taksave, janë jo në mbështetje të 95% të shqiptarëve, por kundër interesave të 100% të tyre. Ky është buxheti i demagogjisë, i pasigurisë, i terrorit mbi biznesin dhe konsumatorin, është buxheti i mllefit dhe urrejtjes ndaj shtresës së mesme dhe buxheti i varfërimit të mëtejshëm të të varfërve”.
“Me këtë akt, do të varfërohen më shumë të tërë konsumatorët shqiptarë, do të varfërohen qindra mijëra nxënës dhe studentë, do të goditen pronarët e ambienteve të bizneseve të vogla, të cilët, atë që gjoja do të fitojnë nga taksa më e ulët mbi biznesin e vogël, do ta lënë shumëfish nga rritja e tatimit mbi pasurinë. Do të varfërohen mbi një milion konsumatorë të produkteve të duhanit dhe mbi çerek milionë shqiptarë që përdorin karburantin për lëvizjen me automjetet e tyre”, deklaroi gjatë fjalës së tij, deputeti, Florion Mima.
Me këtë akt do të goditen të gjitha bizneset e mëdha, tha deputeti i PD-së, sipas të cilit, do t’u duhet të paguajnë më shumë për të kënaqur premtimet ekstravagante të qeverisë për gjoja taksim të drejtë e të ndershëm.
“Atyre do t’u duhet të paguajnë më shumë duke kyçur në sirtar planet e tyre për më shumë investime, më shumë eksport, më shumë punësim. Projekti i ri dhe paketa shoqëruese fiskale do të rrënojnë edhe atë avantazh modest krahasues që ekonomia dhe vendi ynë u ofronin investitorëve të huaj të drejtpërdrejt. Ne jemi këtu për të qëndruar dhe do të qëndrojmë fort në mbrojtje të interesave të të gjithë shqiptarëve!”, përfundoi deklaratën e tij, deputeti demokrat, Florion Mima.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)