KESHILLTARET: KUVENDI TE MOS NDERHYJE
“Presidenti ka ushtruar kompetencat e tij Kushtetuese dhe në asnjë rast nuk është gjendur në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtesuese” – ky është reagimi i këshilltarëve ligjorë të presidentit në përgjigje të deklaratës së deputetëve të PD-së, anëtarë të Komisionit Ligjor, të cilët i kërkuan presidentit të zbatojë Kushtetutën për dekretet e emërimeve.
Presidenca sqaron se “Presidenti i Republikës gjatë gjithë veprimtarisë së tij ka qenë konsekuent në zbatim të kompetencave të tij e në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe në asnjë rast, Presidenti i Republikës nuk është gjendur nga Gjykata Kushteutese në kundërshtim me këto dispozita.”
Presidenca gjithashtu deklaron se kompetencat e presidentit janë përcaktuar dhe me vendim të Gjykatës Kushteutese nr. 2 datë 19.01.2005, ku përcakton rolin dhe pozicionin e Presidentit të Republikës dhe i Kuvendit të Shqipërisë në rastet e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese- vazhdon presidenca- nuk bën fjalë për konsultime paraprake midis institucioneve, por për bashkëpunim institucional si dhe vendimarrjet duhet të jenë të pavarura nga ndërhyrjet paraprake të njëri – tjetrit.
“Ne gjykojmë se emërime të tilla nuk mund të kërkojnë konsultime paraprake, jo vetëm sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e kërkon, diçka të tillë, por edhe sepse parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve presupozon respektim të kompetencave të secilit institucion dhe jo konsultim paraprak.”- nënvizohet në deklaratën për shtyp të këshilltarëve ligjorë të Presidentit të Republikës.
Këshilltarët Ligjorë shtojnë se ky është edhe mendimi i anëtarëve të Komisionit të Venecias në Opinionin e datës 7 dhjetor 2004, ku thuhet se: Kërkesa për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi, nuk do të thotë një ndërhyrje paraprake të Kuvendit në zgjedhjet e Presidentit, por do te thotë se Kuvendi ka kompetencën për dhënien ose jo të pëlqimit. "
Presidenca mbyll deklaratën me propozimin për një debat të hapur të Kuvendit mbi dekretet e Presidentit të Republikës, i cili do të ishte “I rëndësishëm, për t’i dhënë Presidentit informacionin e nevojshëm për arsyet e refuzimit të dhënies së pëlqimit, arsye të cilat do ta lejonin Presidentin, që në të ardhmen të dërgojë në Kuvend kandidatura të pranueshme nga Kuvendi”
DEPUTETET PD: PUNO SIPAS KUSHTETUTES
Deputetet demokrate te Komisionit Parlamentar të ligjeve i kërkojnë Presidentit, që çdo propozim që kërkon miratimin e Kuvendit, duhet ta bëjë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, thuhet në një komunikatë të shpërndarë prej tyre.
Dje, për herë të parë në historinë e Parlamentit shqiptar, që nga viti ’91, një dekret në Kuvendin e Shqipërisë mori vetëm një votë.
Ky ishte votimi për kandidatin për kryetar të Kontrollit të lartë të Shtetit, të dekretuar nga Presidenti i Republikës.
Ky ishte propozimi i Presidentit të Republikës, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Deputetet demokrat të Komisionit te ligjeve, duke respektuar Presidentin e Republikës, i kërkojnë atij që, çdo propozim që kërkon miratimin e Kuvendit, duhet ta bëjë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të respektohet funksionimi i institucioneve kushtetuese të vendit, thuhet ne komunikaten shperndare per mediat sot.
(s.g/shqiptarja.com)