TIRANË – Partia Demokratike bëri homazhe në bustin e Azem Hajrarit në Qytetin Studenti, një prej drejtuesve të Lëvizjes Studentore të 8 dhjetorit 1990, që çoi në rrëzimin e regjimit komunist dhe i hapi rrugën demokracisë. Të pranishëm ishin ish-studentë të kohës dhe deputetë.

Në fjalën e tij, kreu i PD Sali Berisha theksoi rëndësinë e lëvizjes, duke i cilësuar studentët si heronj të vërtetë, të cilët me fuqinë e tyre si "uragan" ndanë vendin nga regjimi. 

“Për shqiptarët në Shqipëri, 8 dhjetori i vitit 1990 është ditëlindja e lirive të tyre. Me 8 dhjetor 1990, studentët liberatorë, engjëjt e demokracisë, siç do i thërrisnin ata njerëzit më të shtypur të Europës, të udhëhequr nga princi i tyre legjendar, Azem Hajdari, u ngritën për të përmbysur diktaturën komuniste më të egër të kohës. Studentët e dhjetorit 1990 ishin misionarë të paepur, të pamposhtur, pararendës të një ndryshimi epokal në historinë e kombit dhe vendit të tyre, të cilët që në protestën e parë shpallën si moto të revolucionit të tyre, liri dhe demokraci, Shqipëria si Europa.”, tha Berisha.

Nga ky aktivitet, kryedemokrati shënjestroi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se sot, 35 vite më vonë, vendi ndodhet në narko-diktaturë. Për Berishën, Rama bëri gjithçka që të zhdukte opozitarizmin dhe pluralizmin politik në vend, por nuk ia arriti. 

"Ka vendosur në Shqipëri diktaturën autoritare, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, armik i votës së lirë dhe skllav i pushtetit të krimit. Ka zëvendësuar zgjedhejt lira me farsën më të shëmtuar zgjedhore. Ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë. Kurrë ky komb s'ka pasur në krye një dyshe të tillë si Ramën dhe Ballukun, dy monstra të vjedhjes dhe grabitjes së pasurive. Ai sot është i pari kryeministri në historinë e Evropës që mbron publikisht vjedhjet e tij dhe të ministrave.", tha Berisha. 

Berisha më tej shpreh bindjen se të rinjtë shqiptarë do të mund ta rrëzojnë Ramën. 

"Duke iu uruar gëzuar këtë ditë, i bëj thirrje të rinjve të ngrihen të frymëzuar nga dita e lirisë dhe të përmbysim sa më parë këtë regjim narkodiktatorial që po shkatërron Shqipërinë. ", shtoi ai.


Lajmi kryesor:

‘Dita e Rinisë’, 35 vjet nga Lëvizja Studentore që solli demokracinë! Begaj: Çdo hap drejt BE, nderon guximin e tyre! Berisha: Të rinjtë do rrëzojnë Ramën