35 vite më parë, më 8 dhjetor të vitit 1990 shpërtheu revolta studentore, një lëvizje paqësore që do të shënonte fundin e regjimit komunist dhe do të hapte rrugën drejt demokracisë.
Guximi i tyre, i hapi rrugën Shqipërisë europiane, shkruajti Presidenti Bajram Begaj, teksa ishte i pari zyrtar i lartë që uroi Ditën e Rinisë, mëngjesin e këtij 8 dhjetori.
“Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane. Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa.”, shkruan Begaj.
Demokratët dhe ish studentë të dhjetorit u kthyen si çdo vit në Qytetin Studenti, nw sheshin Demokracia, pranë shtatores së Azem Hajdarit, një prej drejtuesve kryesorë të lëvizjes që nisi prej aty.
Në krah të familjarëve të Azem Hajdarit, Sali Berisha kërkoi që të jenë të rinjtë sërish që do të rrëzojnë diktaturën e re, sipas tij, atë të Edi Ramës.
"Unë kam besimin më të madh se Gjenerata Z e të rinjve shqiptare, trashëgimtare e idealeve të rinisë studentore të dhjetorit 1990, do përmbushë misionin e saj", tha Berisha.
Para se të rrëzojnë Ramën, Ish studenti i dhjetorit Osman Stafa. i kujtoi Berishës, se fillimisht demokratët duhet të pastrojnë radhët e tyre.
"Ne kemi nevojë të pastrohemi doktor Berisha, duhet të jemi vetvetja", i tha ai.
Paralel me këtë aktivitet të ish dhjetoristëve dhe demokratëve Kuvendi dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë mbante një aktivitet me të rinj.
Nënkryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu tha se të rinjtë do të vazhdojnë të jenë fokusi kryesor.
8 dhjetori u shpall festë kombëtare në vitin 2009, me vendim të Kuvendit, në nderim të studentëve të dhjetorit te vitit ‘90 dhe rinisë që u bë zëri kryesor i ndryshimit historik.
Protesta e 8 dhjetorit
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh dhe pedagogësh të Universiteteve të Tiranës ndërmorën hapin vendimtar, duke u bërë iniciatorë të protestave paqësore që çuan në përmbysjen e regjimit komunist. Të organizuar, ata marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, duke mbledhur radhëve të tyre gjithnjë e më shumë qytetarë. Brenda pak orësh, turma arriti rreth 1000 pjesëmarrës.
Me thirrjen simbolike “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan pluralizëm politik, integrim europian dhe vendosjen e parimeve perëndimore të shtetit të së drejtës. Lëvizja Studentore e vitit 1990 mbetet e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi rrënjësisht historinë e vendit.
Protestat vazhduan deri më 11 dhjetor, kur në takimin me Ramiz Alinë u konfirmua zyrtarisht pluralizmi politik. Menjëherë pas këtij momenti, studentët filluan organizimet për themelimin e Partisë Demokratike, duke shënuar fillimin e epokës së re politike në Shqipëri.
Lëvizjet dhe protestat studentore vijuan edhe në muajt e parë të vitit 1991, duke kulmuar më 20 shkurt 1991, kur studentë, pedagogë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, duke rrëzuar përfundimisht simbolet e diktaturës.
Foto: Blendi Gonxhja
Në ditën e Rinisë, ish studenti i 8 dhjetorit, ministri Blendi Gonxhja teksa kujton lëvizjen e 90’ës, deklaroi përpara të rinjve se ata janë motori kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit në rrugën drejt anëtarësimit.
"Datë që shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë të afërt. Na kujton se ndryshimi në Shqipëri nisi nga guximi dhe vizioni i të rinjve. Të rinjtë e dhjetorit të 90-ës ndezën një dritë që vazhdon të udhëheq brezat e sotëm drejt një Shqipërie më të lirë, më të drejtë dhe më europiane. Këtë rininë nuk e shohim thjesht si një grupmoshë, por si motorrin kryesor të zhvillimit ekonomik, të vendit, të zhvillimit kulturor, zhvillimit në çdo prej sektorëve, ndër të cilët dhe turizmi, e sporti dhe fusha të tjera të jetë publike. Ne do të vijojmë përmes AKR-së të mbështesim grupet joorale rinore duke i dhënë më shumë mundësi të rinjve të shprehin kreativitetin, të realizojnë ide që ndikojnë në komunitetin e tyre në mënyra direkte.
Këto iniciativa janë shprehje e demokracisë pjesëmarrëse dhe e frymës së solidaritetit social. Shqipëria e sotme dhe ajo e nesërme mbështetet mbi energjinë, talentin dhe përkushtimin tuaj. Është e pamundur që një Shqipëri si ajo e 2030-s më tutje të realizohet pa kontributin tuaj. Ju jeni trashëgimtare të një ideale që nisi në 8 dhjetorin 1990 përsa i përket pjesës së një demokracie për të cilën e nisëm nga viti 90 për shkak të rrëzimit të diktaturës. Natyrisht ëndërra dhe idealet nuk kanë nisur në vitin 90, kanë nisur shumë më herët dhe sot merr jetë në çdo iniciativë, në çdo qendër rinore, në çdo projekt që ndryshon komunitetin", tha Gonxhja.
Në ditën e Rinisë, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, u bëri thirrje të rinjve të veprojnë për të sjellë Evropën në Shqipëri, duke theksuar se integrimi është një mundësi në të cilën duhet të mobilizohen të gjithë për t’ia arritur.
Deklaratat ambasadori i bëri në aktivitetin “Rrugët e Rinisë 2030”, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.
‘Sot Shqipëria e ka një zgjedhje. A dëshironi ju t'ju vijë Europa këtu në Shqipëri apo dëshironi të ndiqni shembullin e atyre te rinjve të tjerë të cilët janë larguar nga Shqipëria për të shkuar në Europë? Procesi i anëtarësimit në BE, nuk është një proces teknik, është një proces politik. Është një mundësi unike që gjërat të ndryshohen në Shqipëri, për një Shqipëri më të mirë.
Dhe kjo është thirrja ime për ju në mënyrë, që këto reforma të sjellin rezultate konkrete, që reforma të ndryshojë mendësinë, mënyrën se si njerëzit mendojnë. Për t'i dhënë fund korrupsionit, për t’i dhënë fund mos-ndëshkueshmërisë dhe për të luftuar krimin e organizuar.
Për të sjellë begati edhe barazi për të gjithë, për të arritur një shoqëri gjithëpërfshirëse kur të gjithë kanë qasje si në arsim ashtu edhe në shëndetësi. Në mënyrë që të ndodhin të gjithë këto duhet të përshpejtohen punët. Ju duhet te mobilizoheni dhe të veproni. Përndryshe nuk do të ndodhin’, tha ai.
“Lëvizja e Studentëve të 90-ës” e përkujtoi 8 dhjetorin veçmas Partisë Demokratike në një tryezë që bëri bashkë ish-studentët e saj kohe dhe themeluesit e kontributorët e PD-së.
Kryetari Spiro Curra tha se kjo lëvizje qëndron e distancuar nga partitë politike dhe problemet e tyre të brendshme.
'Të gjithë kanë të drejtë të bëjnë aktivitetet e tyre. Politika nuk është vetëm numra është edhe peshë. Mendoj se disa njerëz mblidhen për të bërë një takim të madh, një miting dhe disa të tjera për të diskutuar në planin e mendimit. Këto janë parti politike që janë të konsoliduara, kanë problemet e tyre të brendshme. Ne duam që të qëndrojmë të distancuar nga partitë politike dhe problemet e tyre', tha ai për Report Tv.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka uruar 8 dhjetorin, Ditën e Rinisë. Bardhi shkruan se “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, vijon të mbetet një ëndërr, për të cilën duhet të punojnë të gjithë së bashku për të arritur.
“Gëzuar 8 Dhjetorin: Ditën e Rinisë, Ditën e Lirisë!
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” vazhdon të jetë ende një ëndërr që duhet ta bëjmë të gjithë bashkë realitet”, shkruan Bardhi.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cilëson Ditën e Rinisë si një ditë reflektimi dhe një thirrje për veprim. Xhixho shkruan se 35 vite më parë rinia i hapi rrugën demokracisë ndërsa sot, emigrimi i tyre është plaga më e madhe e Shqipërisë.
“Sot është Dita e Rinisë – një ditë reflektimi, por mbi të gjitha një thirrje e fortë për veprim.
Sot kujtojmë guximin e të rinjve që në 1990 vranë frikën dhe hapën rrugën e demokracisë. Por 35 vite më vonë, rinia shqiptare po largohet masivisht sepse në vend të mundësive gjen pasiguri, propagandë dhe mungesë meritokracie.
Çdo vit mijëra të rinj braktisin vendin sepse ndihen të përjashtuar nga mundësitë: mungon arsimi cilësor, mungon një treg pune i drejtë e pa klientelizëm, mungon një shtet që i sheh si pasuri dhe motor zhvillimi — jo si pengesë.
Si pedagoge e kam parë çdo ditë në sytë e tyre dëshirën për të ecur përpara, në një vend që nuk ua jep më këtë mundësi. Emigrimi si shpresa e tyre e fundit është plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare sot. Në 12 vjet kemi humbur gati gjysmën e të rinjve!
Ky është dështimi më i rëndë i kësaj qeverie: vrasja e shpresës.
Ndaj sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë jetike për energjinë, idealizmin dhe guximin e të rinjve për ta bërë atë një vend të mundësive për të gjithë e jo vetëm për një pakicë”, shkruan Xhixho.

Partia e Lirisë zhvilloi një takim me forumin rinor të Tiranës. Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi tha se programi i kësaj partie për mbështetjen e familjeve të reja, i jep fund shpopullimit të vendit.
“Sot janë 85% deri 95% e të rinjve që nuk kanë një mundësi reale për të blerë një shtëpi në kryeqytet.
Për fat të keq, vendi sot ndodhet përballë një skenari shumë të rrezikshëm për të rinjtë, veçanërisht nëse rrotacioni politik do të vonojë.
Ndaj i vetmi skenar pozitiv që mundëson ndryshimin e vërtetë, rrënjësor, garanton një Reformë të thellë ekonomike dhe sociale, politika zhvillimore dhe mbështetëse që i vendosin të rinjtë në qendër dhe jo në periferi të vendimmarrjes, është vetëm vënia në jetë e programit të Partisë së Lirisë, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, që e shndërron Shqipërinë njëherë e përgjithmonë në shtëpinë e të rinjve.
Garanton një program strehimi sipas modeli hungarez dhe një fond të posaçëm për banesa për çiftet e reja, në mënyrë që asnjë çift I ri të mos ngelet pa shtëpi dhe të mos përballet me pamundësinë që edhe pse mund të bëjë 2 apo më shumë punë, ta ketë të vështirë që me kursimet e tij të arrijë të ketë një çati sipër kokës”, tha ndër të tjera Blushi.
Në Ditën e Rinisë, Partia Demokratike nderoi figurën e Azem Hajdarit, një prej drejtuesve të Lëvizjes së Studentëve që i dha fund regjimit komunist. I pranishëm ishte edhe djali i Azem Hajdarit, i cili kujtoi të atin dhe rolin e tij, jo vetëm në politikë, por edhe në përditshmërinë e tij me familjen. Djali, i cili mban emrin e të atit, tha se shqiptarët duhet të jenë falënderues për heronjtë që morën pjesë në lëvizjen e dhjetorit. Ai kujtoi edhe momentet se si i ati ra në dashuri me nënën e tij dhe se si u larguan nga Tirana në Tropojë, pasi dashuria ishte e pamjaftueshme për tu bashkuar për shkak të agresionit komunist.
“Shqiptarët duhet të jenë falënderues për heronjtë që bënë pjesë në lëvizjen studentore, me kryetar babanë tim, doktor Berishën dhe shumë heronj të tjerë. Heroizmi që bën këta njerëz, shqiptarët duhet ta dinë që kjo sakrificë, vetëm me parimin për të pasur të ardhme me të mirë, sot shqiptarët kanë mundësinë të shkollojnë fëmijët aty ku dëshirojnë, të dëgjojnë muzikën që dëshirojnë, të martohen me atë që dëshirojnë.
Babai ka qenë një person që kur erdhi herët në Tiranë për studime, ishte një person që donte ta rrëmbente të ardhmen e tij. Ai në atë kohë, ra në dashuri me nën time dhe si pasojë e agresionit komunist u detyra që ta ‘rrëmbente’, me dashuri të përbashkët, dhe të largoheshin drejt Tropojës. Dashuria e tyre ishte pamjaftueshme për tu bashkuar me njëri-tjetrin për shkak të agresionit komunist”, tregoi ai.
Djali kujtoi edhe një prej momenteve të të atit kur më pas u kthye nga Tropoja dhe ju bashkua protestave të studentëve. Këta të fundit ngurronin dhe kishin pasiguri se përse duhej t’i besonin lidershipin Hajdarit. Ky i fundit, siç kujton edhe i biri, para studentëve u zotua se nuk i tradhton kurrë dhe për këtë la garant dy fëmijët e tij, Rudinën dhe Kirin.
“Kur u bë me fëmijë, u nis drejt Tiranës me ëndrrën që Shqipëria të ishte Shqipëri pluraliste, demokrate, ku shteti të ishte në funksionin e njerëzve. Gjyshi im e mendonte të pamundur që djali të vinte në Tiranë dhe të hidhte poshtë sistemin me agresiv që ka njohur Ballkani dhe Europa. Ai thonte, lëri këto ëndrra se e ke të pamundur. Por jo, Azemi nuk mendonte sot për sot dhe ishte një njeri që donte të mendonte me afatgjatë për veten, shokët e tij dhe familjen e tij. Azemi ishte me koncepton që frika nuk ndalon as vdekjen dhe as humbjen, por mund të ndalojë fitoren dhe jetën. Dhe u nis për në Tiranë, ku njohu shokët dhe vëllezërit e tij, të cilët kaluan një nga momentet më të vështira duke dalë para autoblindave, plumbave, tankeve, duke rrezikuar jetën. Në ditët kur kaosi i momentit që solli këtë situatë dhe studentët u konfuzuan pak, studentët nuk po dinin nga të drejtoheshin te pjesa ku e dimë në që ti je me ne. Aty babai hipi një shkallë më lart la garant dy fëmijët, Kir dhe Rudinën, duke u thënë se unë lë garant fëmijët e mi, nëse unë u tradhtoj juve, kam tradhtuar fëmijët e mi. Ky moment studentët i shtangu, që një person mund të sakrifikonte çdo gjë, deri në familje, për lirinë dhe demokracinë. Mori lidershipin e shokëve të tij në atë kohë”, tha Hajdari.
Pak foli edhe për rolin e të atit brenda në familje, pasionin për sportin dhe orët e vona që Hajdari lexonte gazetat.
"Ishte baba i dashur, Azemi, ishte sportist i mundjes, sakrifikonte, shkonte nga Tropoja në Kukës me motor për të bërë sport. Pavarësisht agresionit politik dhe situatave voluminoze që ofronte politika, gjente kohën për tu kthyer në shtëpi për të luajtur me vëllain tim, Kir. Luante si të ishte fëmijë, për t’iu bërë shok vëllait. Aq shumë luante sa nëna u mërziste dhe ua ulte automatin e dritave sikur të ishin dy fëmijë të vegjël. Kur ai linte kohën e lirë me fëmijët, i drejtohej politikës deri në orët e vona të natës që priste gazetën për ta lexuar e për të qenë i përgatitur, kur ai priste njerëzit në derën e shtëpisë për të diskutuar për hallet që kishin këta njerëz", tha ai.
Osman Stafa, ish kreu i PD në Durrës dhe ish student i dhjetorit, teksa mori pjesë në aktivitetin në nderim të Azem Hajdarit për 8 dhjetorin e vitit 1990, theksoi nevojën e pastrimit të PD-së. Në fjalën e tij, ai tha se “nëse një pjesëtar i familjes lëviz në darkë dhe kthehet në mëngjes, ai nuk është më pjesë e familjes”.
“Doktor Berisha, në një fjalë para disa kohësh, tha se duhet të pastrojmë shtëpinë tonë. Shtëpia jonë është e vërtetë që ka nevojë për t’u ndryshuar doktor Berisha dhe pastruar. Këtë se bën dot një person i vetëm por të gjithë bashkë duke goditur në çdo drejtim. Kujtoj një aspekt, ka qenë duke gdhirë data 10 dhjetor ‘90, më erdhi babai për një vizitë pas një interviste ku dilja hapur kundër diktaturës. Nëse do ta fitoni këtë betejë, ju keni fituar një luftë dhe burri është pjekur. Një burrë piqet kur kryen ushtrinë, një djaloj piqet kur i vdes babai në moshë të re. Ne disa faza i kemi kaluar, por jo çdo fazë ka treguar se e pjek burrin. Ne kemi nevojë për më shumë mirëkuptim, tolerancë dhe për të qenë më të vendosur. Ka edhe një parim. Nëse një nga pjesëtarët e familjes në darkë lëviz dhe kthehet në mëngjes, ai nuk është më pjesë e familjes. Unë atë pjesëtar të familjes e pastroj. Ne kemi nevojë të pastrohemi doktor Berisha, duhet të jemi vetvetja. Shqiptarët shpresojnë dhe besojnë tek ne. “, tha ai.
TIRANË – Partia Demokratike bëri homazhe në bustin e Azem Hajrarit në Qytetin Studenti, një prej drejtuesve të Lëvizjes Studentore të 8 dhjetorit 1990, që çoi në rrëzimin e regjimit komunist dhe i hapi rrugën demokracisë. Të pranishëm ishin ish-studentë të kohës dhe deputetë.
Në fjalën e tij, kreu i PD Sali Berisha theksoi rëndësinë e lëvizjes, duke i cilësuar studentët si heronj të vërtetë, të cilët me fuqinë e tyre si "uragan" ndanë vendin nga regjimi.
“Për shqiptarët në Shqipëri, 8 dhjetori i vitit 1990 është ditëlindja e lirive të tyre. Me 8 dhjetor 1990, studentët liberatorë, engjëjt e demokracisë, siç do i thërrisnin ata njerëzit më të shtypur të Europës, të udhëhequr nga princi i tyre legjendar, Azem Hajdari, u ngritën për të përmbysur diktaturën komuniste më të egër të kohës. Studentët e dhjetorit 1990 ishin misionarë të paepur, të pamposhtur, pararendës të një ndryshimi epokal në historinë e kombit dhe vendit të tyre, të cilët që në protestën e parë shpallën si moto të revolucionit të tyre, liri dhe demokraci, Shqipëria si Europa.”, tha Berisha.
Nga ky aktivitet, kryedemokrati shënjestroi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se sot, 35 vite më vonë, vendi ndodhet në narko-diktaturë. Për Berishën, Rama bëri gjithçka që të zhdukte opozitarizmin dhe pluralizmin politik në vend, por nuk ia arriti.
"Ka vendosur në Shqipëri diktaturën autoritare, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, armik i votës së lirë dhe skllav i pushtetit të krimit. Ka zëvendësuar zgjedhejt lira me farsën më të shëmtuar zgjedhore. Ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë. Kurrë ky komb s'ka pasur në krye një dyshe të tillë si Ramën dhe Ballukun, dy monstra të vjedhjes dhe grabitjes së pasurive. Ai sot është i pari kryeministri në historinë e Evropës që mbron publikisht vjedhjet e tij dhe të ministrave.", tha Berisha.
Berisha më tej shpreh bindjen se të rinjtë shqiptarë do të mund ta rrëzojnë Ramën.
"Duke iu uruar gëzuar këtë ditë, i bëj thirrje të rinjve të ngrihen të frymëzuar nga dita e lirisë dhe të përmbysim sa më parë këtë regjim narkodiktatorial që po shkatërron Shqipërinë. ", shtoi ai.

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar për 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë. Teksa kujton Lëvizjen Studentore të vitit '90, ministrja shprehet se sot ecim më të sigurt drejt BE-së, ku të rinjtë duhet të jenë kontribuues për Shqipërinë demokratike me drejtësi dhe mundësi për të gjithë.
"8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, si faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale. "E duam Shqipërinë si gjithë Europa" ishte esenca e vet historisë shqiptare, në kontradiktën më të thellë e të qenurit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit europian, por njëkohësisht e ndarë gjatë e dhunshëm prej kësaj përkatësie. Sot ecim më shpejt e më të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE, ku të rinjtë e Shqipërisë kërkohet më shumë se kurrë të jenë pjesëmarrës, këmbëngulës, kontribues për Shqipërinë demokratike, meritokratike, të hapur, konkurruese, inovative, me drejtësi e mundësi për të gjithë.", shkruan Spiropali.

Në 35-vjetorin e lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kujtuar sakrificën dhe guximin e të rinjve që i hapën rrugën Shqipërisë drejt demokracisë dhe Europës. Në një postim në rrjetin social Facebook, Presidenti shkruan:
“Si sot, 35 vjet më parë, në rrugët e Tiranës ushtoi thirrja e studentëve idealistë: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!’. Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane. Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa.”, shkruan Begaj.
Presidenti Begaj thekson se aspirata europiane e shqiptarëve është e pandarë nga idealet e lirisë dhe demokracisë së atyre ditëve.
Komente












Kur filloi levizja e Dhjetorit,une isha ne gjimnaz,nxesesit vendosen te shkonin te /Qyteti Studenti/kunder deshires se mesuesve.Mbaj mend turmen studentore,kurse nga folesit mbaj mend vetem Blendi Gonxhen.Kane qene vite interesante.
PërgjigjuThame qe komunzimi ishte utopi , po “ demokracia “ c’fare doli ?
PërgjigjuNji hajdute e thiri demokracin kur akoma edhe sot nuk e din se cfare permban Demokracia,bertiste ne bulevarde ku thoshte dota bejme Shqiperine Evrope ,por cka ndodhi Shqiperia eshte nji shekull larg Evropes pse u vendos Korupsioni populli iku vjedhjet vazhdojn dhe Evropa nuk don ta dij per Shqiperine me nji kushtetute te Koruptuar e pasuruan veten dhe fshatrat i lane edhe pa ujin e pijshem kurse vet jetojne ne villa lukse ,fajin e ka ki popull Injorant qe akoma i mbeshtet keta Zagare.
PërgjigjuDemokracine e soll POPULLI trim I Shkodres, dhe Kavajes. NE 3 Nentor te vitit 1990 Ramiz Alia I detyruar nga presioni I popullit trim te Shkodres lejoi hapjen e xhamise se Plumit ne te cili u thirr ezani pas me shume se 27 vitesh,sikurse me shume siklet lejuan sherbimet e besimtareve Katolike te Shkodres. Ne 8 dhjetorit recitonin femijet e komunistave ne ne qytetit studenti.
Përgjigju35 vite deshtim total
PërgjigjuCdo hap e hedh per te grabitur rrogen e 8 dhe jo vetem. Pleh
Përgjigju