Në Ditën e Rinisë, Partia Demokratike nderoi figurën e Azem Hajdarit, një prej drejtuesve të Lëvizjes së Studentëve që i dha fund regjimit komunist. I pranishëm ishte edhe djali i Azem Hajdarit, i cili kujtoi të atin dhe rolin e tij, jo vetëm në politikë, por edhe në përditshmërinë e tij me familjen. Djali, i cili mban emrin e të atit, tha se shqiptarët duhet të jenë falënderues për heronjtë që morën pjesë në lëvizjen e dhjetorit. Ai kujtoi edhe momentet se si i ati ra në dashuri me nënën e tij dhe se si u larguan nga Tirana në Tropojë, pasi dashuria ishte e pamjaftueshme për tu bashkuar për shkak të agresionit komunist.

“Shqiptarët duhet të jenë falënderues për heronjtë që bënë pjesë në lëvizjen studentore, me kryetar babanë tim, doktor Berishën dhe shumë heronj të tjerë. Heroizmi që bën këta njerëz, shqiptarët duhet ta dinë që kjo sakrificë, vetëm me parimin për të pasur të ardhme me të mirë, sot shqiptarët kanë mundësinë të shkollojnë fëmijët aty ku dëshirojnë, të dëgjojnë muzikën që dëshirojnë, të martohen me atë që dëshirojnë.

Babai ka qenë një person që kur erdhi herët në Tiranë për studime, ishte një person që donte ta rrëmbente të ardhmen e tij. Ai në atë kohë, ra në dashuri me nën time dhe si pasojë e agresionit komunist u detyra që ta ‘rrëmbente’, me dashuri të përbashkët, dhe të largoheshin drejt Tropojës. Dashuria e tyre ishte pamjaftueshme për tu bashkuar me njëri-tjetrin për shkak të agresionit komunist”, tregoi ai.

Djali kujtoi edhe një prej momenteve të të atit kur më pas u kthye nga Tropoja dhe ju bashkua protestave të studentëve. Këta të fundit ngurronin dhe kishin pasiguri se përse duhej t’i besonin lidershipin Hajdarit. Ky i fundit, siç kujton edhe i biri, para studentëve u zotua se nuk i tradhton kurrë dhe për këtë la garant dy fëmijët e tij, Rudinën dhe Kirin.

“Kur u bë me fëmijë, u nis drejt Tiranës me ëndrrën që Shqipëria të ishte Shqipëri pluraliste, demokrate, ku shteti të ishte në funksionin e njerëzve. Gjyshi im e mendonte të pamundur që djali të vinte në Tiranë dhe të hidhte poshtë sistemin me agresiv që ka njohur Ballkani dhe Europa. Ai thonte, lëri këto ëndrra se e ke të pamundur. Por jo, Azemi nuk mendonte sot për sot dhe ishte një njeri që donte të mendonte me afatgjatë për veten, shokët e tij dhe familjen e tij. Azemi ishte me koncepton që frika nuk ndalon as vdekjen dhe as humbjen,  por mund të ndalojë fitoren dhe jetën. Dhe u nis për në Tiranë, ku njohu shokët dhe vëllezërit e tij, të cilët kaluan një nga momentet më të vështira duke dalë para autoblindave, plumbave, tankeve, duke rrezikuar jetën. Në ditët kur kaosi i momentit që solli këtë situatë dhe studentët u konfuzuan pak, studentët nuk po dinin nga të drejtoheshin te pjesa ku e dimë në që ti je me ne. Aty babai hipi një shkallë më lart la garant dy fëmijët, Kir dhe Rudinën, duke u thënë se unë lë garant fëmijët e mi, nëse unë u tradhtoj juve, kam tradhtuar fëmijët e mi. Ky moment studentët i shtangu, që një person mund të sakrifikonte çdo gjë, deri në familje, për lirinë dhe demokracinë. Mori lidershipin e shokëve të tij në atë kohë”, tha Hajdari.

Pak foli edhe për rolin e të atit brenda në familje, pasionin për sportin dhe orët e vona që Hajdari lexonte gazetat.

"Ishte baba i dashur, Azemi, ishte sportist i mundjes, sakrifikonte, shkonte nga Tropoja në Kukës me motor për të bërë sport. Pavarësisht agresionit politik dhe situatave voluminoze që ofronte politika, gjente kohën për tu kthyer në shtëpi për të luajtur me vëllain tim, Kir. Luante si të ishte fëmijë, për t’iu bërë shok vëllait. Aq shumë luante sa nëna u mërziste dhe ua ulte automatin e dritave sikur të ishin dy fëmijë të vegjël. Kur ai linte kohën e lirë me fëmijët, i drejtohej politikës deri në orët e vona të natës që priste gazetën për ta lexuar e për të qenë i përgatitur, kur ai priste njerëzit në derën e shtëpisë për të diskutuar për hallet që kishin këta njerëz", tha ai. 


Lajmi kryesor:

‘Dita e Rinisë’, 35 vjet nga Lëvizja Studentore që solli demokracinë! Begaj: Çdo hap drejt BE, nderon guximin e tyre! Berisha: Të rinjtë do rrëzojnë Ramën