KRUJE- Partia Demokratike prezantoi kandidatët për deputetë në qytetin e Krujës për zgjedhjet e 23 qershorit. Kryeministri Sali Berisha tha se “shpreh mirënjohje të pakufishme për kontributin që qytetarët e Krujës i kanë dhënë në vite kësaj force politike”.
 
Duke u ndalur tek arritjet e vendit sa i takon anëtarësimit në mekanizmat europiane, Berisha vuri theksin në votimin e 3 ligjeve të integrimit sot në Parlament.

“Firmosëm marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si një përpjekje për integrimin e vendit, si dhe arritën anëtarësimin në NATO. Po kështu mundësuam lëvizjen e lirë, pa viza. Sot në miratuam 3 ligjet e integrimit duke i hapur vendit mundësinë e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Berisha.

“Alternativa tjetër është alternative mashtrimi. Rama thotë se 95 % e shqiptarëve nuk do paguajnë taksa. Po a mund të imagjinoni në komb të lirë që mund të jetojë në kurriz të 5 % të anëtarëve të tij? Rritësi më i madh i taksave mashtron se do t’i ulë ato. Alternativat janë të ndara. Alternativa jonë është rruga e integrimit, së shpejti do të arrijmë statusin e vendit anëtar, dhe do të hapim së shpejti negociatat për anëtarësimin e vendit në BE”, u shpreh Berisha.
 
Duke përmendur investimet e bëra, Berisha tha se “Së bashku me ju, me heqjen e taksës mbi makineritë, dhe çdo gjë tjetër që duhet për prodhimin ne i dhamë biznesit një shtytje të fuqishme, e cila do të shoqërohet me krijimin e dhjetëra vendeve të punës”.
 
“Do të përfundojmë rrugën Krujë-Tiranë, unë nuk harroj kurrë fjalën e dhënë. Ju garantoj se ajo rrugë do të përfundojë brenda 2 viteve të para të mandatit që vjen. Sikundër Mati do të vijë nga Kruja, për në Tiranë. Ne ndërtuam rrugën e Kombit, përfundon së shpejtin autostrada Tiranë-Elbasan, do ndërtojmë rrugën e Arbrit, dhe Boshtin e Jugut”, vijoi Berisha.

BERISHA: MOS I OFENDO SHQIPTARET, RILINDASIT JANE SHENJTORE TE SHQIPTARESI
 
Kreu i PD-së, Sali Berisha vijoi nga Kruja akuzat ndaj Edi Ramës dhe deputetëve të PS-së, Tom Doshi dhe Koço Kokëdhimën.
 
“Ata le të rrinë në autobusin mavi, të shpifin, të trillojnë, të mashtrojnë. Të quash Koço Kokëdhimën, Fidelin apo Tom Doshin, rilindës të shqiptarëve është si të quash Zani Çaushin, Skënderbeun e tyre. Ndaj dhe nga Kruja i bëj thirrje: mos i ofendo shqiptarët. Për shqiptarët rilindësit janë shenjtore të shqiptarësisë. Rilindje nënkupton kthimin në pushtet të neobllokmeneve, por e shkruara në Shqipëri nuk do të kthehet më kurrë, ne do të shkojmë përpara”, u shpreh Berisha.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)