PD, (nuk) do të ringrihet…

PD, (nuk) do të ringrihet…

Ish kryeministri, Sali Berisha

Një artikullshkrues thoshte se “ribashkimin apo ringritjen e Partisë Demokratike e ka në dorë vetëm Berisha”. Unë mendoj se as Berisha, as Alibeaj, dhe as Salianji, apo ndonjë tjetër, nuk do të mund të ringrejnë më kurrë atë parti. Ajo forcë politike, e nisi shkërrmoqjen 30 vite më parë, qysh asokohe kur Sali Berisha i rrëmbeu asaj gjithçka. I rrëmbeu me dhunë verbale dhe fizike, stemën, firmën, vulën, flamurin, idetë, programin, alternativën, i rrëmbeu historikun dhe flaku në rrugë njerëzit më të mirë të saj.

PD, ishte e para parti politike që vinte nga sallat e fakulteteve, nga grevat studentore, vinte nga hovi rinor i studentëve, që me protestat e tyre përmbysën regjimin dhe kishin ëndërr “Shqipëria në Europë”. Ajo parti u krijua si simbolikë e ndryshimit historik, që po pësonte vendi, dhe aderuan brënda saj studentë, profesorë, intelektualë, gazetarë dhe militantë me shpirt dhe ide të pastra. Rrugës ajo parti u deformua, u përdhos aq keq, sa dhe sot  nuk ka shansin të ribashkohet, të ringrihet, të paktën në nivelin e vitit 1992. Sot PD është partia e Berishës, strukturat janë të tij, baza e tij, zyrat të tij, primaret dhe çdo zgjedhje apo zgjidhje, janë të tij.

Ajo parti, duket sikur të  ringjall Partinë e Leninit. Asgjë nuk bëhet pa dijeninë e Berishës, asgjë nuk thuhet apo dhe mendohet pa e ditur Berisha. Gjendja e cila ka kapluar atë forcë politike, nuk e ka burimin tek Basha apo Alibeaj, por tek fryma dhe drejtimi që i ka dhënë me qasjen apo disi largimin e tij Berisha. Ai ndodhej aty, edhe kur dha dorëheqjen, ai ndodhej aty edhe kur Basha bënte “të fortin”, dhe turfullonte pas çdo veprimi që binte ndesh me interesat e ish-liderit. Ringritja dhe ribashkimi i Partisë Demokratike (në mungesë të një opozite të re e cila duhej të kishte dalë tanimë) de facto duhet të jetë edhe në interesin e kundërshtarit të saj politik, Partisë Socialiste.

Kurrë nuk duhet menduar dhe pranuar se, zgjedhjet dhe jeta e shëndoshë politike, mund të jenë në parametrat  e një demokracie europiane, në rast se nuk ka opozitë aktive në një vend që pretendon se  ka përmbysur monizmin. Por ajo ç’ka po ndodh me Partinë Demokratike, mbetet  sa enigmatike aq edhe djallëzore. Dikush po e mban peng, dikush po e tërheq zvarrë, dhe ky “dikushi” do të  vazhdojë ta mbajë ashtu të copëzuar derisa ajo të shkrihet si forcë politike. Manovrat e Berishës me partinë e tij, ngjajnë si dy pika uji, me ato që bënte dikur Stalini me Partinë Bolshevike.

Nga Partia Demokratike, kanë dalë 10 herë më shumë “armiq dhe tradhëtarë”, sa ç’kanë dalë nga PKSH. Dhe kjo është shqetësuese për çdo shqiptar, apo dhe ndërkombëtar. PD është sot në rrezik shpërbërje totale, edhe pse vendimi  i Apelit mund të favorizonte Berishën apo Alibeajn, ndaj mendoj se fatin e saj e kanë në dorë baza, anëtarëtarësia dhe mbështetësit e paanshëm, dhe jo ata që e katandisën në këtë gjendje që është sot.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?