Edhe sikur Partia Socialiste të mos merrte pjesë në zgjedhje, Sali Berisha nuk do të arrinte ta çonte PD-në drejt fitores. Kështu u shpreh analisti Ilir Yzeiri, i ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, duke e cilësuar opozitën një forcë politike që nuk i kalon 20-25% të votave dhe që nuk ka asnjë mundësi të bashkojë partitë e tjera për sa kohë Berisha qëndron në krye.
“Opozita zyrtare sikur t'ia heqësh të gjithë, të dalë vetëm, pra mos marrë pjesë Partia Socialiste, mos marrë pjesë asnjë kandidat tjetër, opozita nuk arrin dot pragun mbi 50%. Me kë do bashkohet? Kush do bashkohet me Sali Berishën? Të gjithë ata i kanë dalë kundra. Këta që organizojnë, Arlind Qori me të tjerë, i kanë dalë kundër, thonë kurrë me Sali Berishën, kurrë. Si do bashkohet? Nuk i kalon 20-25% Partia Demokratike. Ajo forcë politike ka marrë fund”, u shpreh Yzeiri.
Sipas tij, largimi i Berishës është kusht për bashkimin e opozitës dhe rikthimin e saj si alternativë fituese.
“Ia kanë thënë ata se çfarë duhet: të ikë, të largohet. Këtë ia kanë thënë të gjithë. Largohu ti që të fitojmë. Ai thotë jo, do rri unë se kam halle të tjera. Nuk e them vetëm unë. E thonë ata që kanë qenë te partia. E kam thënë me kohë që ai duhet të largohet. Po ia thonë edhe vetë ata që ikin nga Partia Demokratike. Edmond Spaho është një prej atyre tani në fund fare. Janë dhe shumë të tjerë që rrinë atje brenda. Aty kanë mbetur vetëm ata që kanë nga një post prej Saliut edhe nuk duan t'ia dinë më”, tha Yzeiri.
Lajmi kryesor:
'PS rrezikon të paguajë koston e çarjes Rama-Veliaj', analisti në Report TV: Erioni nuk mund të lihet jashtë vendimmarrjes për Tiranën











